Manaj thotë se modeli franko-gjerman mund të pranohet nëse është alternativa e fundit

Aktuale

Manaj thotë se modeli franko-gjerman mund të pranohet nëse është alternativa e fundit

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 20:06
Ramë Manaj

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj tha se nëse modeli franko-gjerman është alternativa e fundit ose nuk ka marrëveshje me Serbinë, duhet të pranohet, por në mbështetje të plotë të SHBA-së dhe vendeve tjera mike.

Ai tha se pa një garanci të faktorit ndërkombëtar, e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka shumë siguri në premtimet e palës serbe.

Sipas Manajt, duhet të ketë shumë kujdes që të mirren garanci për zbatim të një marrëveshje të tillë.

“Nëse është alternativa e fundit, ose kjo ose nuk ka marrëveshje, gjithnjë me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve tjera mbështetëse të Kosovës, atëherë na mbetet që duhet të pranohet megjithëse do shumë kujdes, maturi, përkushtim që të ketë sa më shumë garanci të zbatimit të një marrëveshje të tillë”, theksoi ai.

Sipas ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës, ka elemente që tregojnë se njohja reciproke mund të ndodhë edhe për 5 vite.

“Ka elemente që japin shpresë që mund të ndodhte qoftë edhe 5 vite njohja reciproke për shkak se vendet edhe të kësaj pjese të Evropës duhet të shkojnë kah demokratizimi dhe kah proceset e stabilitetit të përgjithshëm në mes vendeve dhe popujve, kah marrëdhëniet e mira dhe fqinjësore dhe në qoftë se ato ndërtohen edhe në qoftë se u shuhet ambicja për pushtime atëherë është e pritshme dhe e mundshme që të ndodhë edhe njohja”, deklaroi Manaj.

Propozimi franko-gjerman nuk është bërë publik dhe nuk dihet se çfarë përmban saktësisht. Ambasada e Francës dhe ajo e Gjermanisë në Kosovë nuk e kanë konfirmuar ekzistimin e një dokumenti të tillë.

Franca dhe Gjermania është raportuar se i kanë ofruar një propozim liderëve të Kosovës dhe Serbisë, për shtyrjen përpara të procesit të dialogut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat