Ministrja gjermane sot e nesër në Kosovë, kjo është agjenda e saj

Aktuale

Ministrja gjermane sot e nesër në Kosovë, kjo është agjenda e saj

Më: 22 tetor 2022 Në ora: 11:43
Anna Luhrmann

Ministrja gjermane për Evropë dhe Klimë, Anna Luhrmann, pritet të arrijë sot në Kosovë dhe ka planifikuar të zhvillojë takime me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës si dhe përfaqësues të partive opozitare.

Ajo do të qëndrojë për vizitë dyditore, më 22 dhe 23 tetor, ndërsa temë e diskutimeve do të jenë zhvillimet aktuale politike në vend, sikurse edhe klima e energjia.

Lajmin e ka konfirmuar Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, ku ka treguar se në kuadër të këtij udhëtimi, ajo do të marrë pjesë edhe në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

“Në kuadër të këtij udhëtimi Dr. Luehrmann do të marrë pjesë në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, do të zhvillojë biseda bilaterale me përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me përfaqësues të partive politike opozitare, të shoqërisë civile, si dhe do të vizitojë edhe fabrikën për prodhimin e paneleve diellore, Jaha Solar Factory dhe parkun për prodhim të energjisë diellore në Obiliq”, ka thënë Ambasada gjermane.

Sipas ambasadës, temë e diskutimeve do të jenë çështjet aktuale politike, si dhe ato për klimën dhe energjinë.

“Përmbajtjet e bisedave do të përfshijnë temat aktuale politike të spektrit të gjerë, si dhe atë të klimës dhe energjisë”, theksoi Ambasada.

Kujtojmë se kohë më parë, ministrja Luhrmann pati deklaruar se liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodhë sivjet.

Gjatë ditës së djeshme, edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se BE-ja duhet ta mbajë premtimin për liberalizim të vizave, dhe se ky vendim duhet të merret shpejt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat