Haradinaj-Stublla: Në MPJD ka edhe njerëz joprofesionalë, Vettingu ishte i gatshëm, nuk u vazhdua nga ministrja

Aktuale

Haradinaj-Stublla: Në MPJD ka edhe njerëz joprofesionalë, Vettingu ishte i gatshëm, nuk u vazhdua nga ministrja

Më: 15 tetor 2022 Në ora: 21:42
Meliza Haradinaj- Stublla

Pushteti aktual në vazhdimësi ka hedhur akuza drejtë qeverisjeve të kaluara se Ministria e Punëve të Jashtme është udhëhequr me njerëz jo kompetent, jo meritor që janë pranuar pa procedura.

Opozita këto pretendime nuk i komenton, duke thënë se janë procedurat ligjore ato që i vërtetojnë apo jo këto pretendime dhe se deri më tani në MPJD, ka pasur diplomatë të aftë, por ish ministrja Meliza Haradinaj- Stublla nuk e përjashton se ka edhe njerëz jo meritor.

“Këtu nuk e përjashtoj faktin që aty poashtu ka një trup diplomatik, nuk është shumicë por që janë njerëz tërësisht joprofesional, jo meritor, njerëz tërësisht pa aftësi diplomatike, të cilat aftësi do t’i përgjigjeshin sfidave qe i kemi sot apo ambicieve që i ka Kosova për anëtarësim, njohjeve të reja, aderime, për veprime tjera sepse nuk janë vetëm këto, dhe gjithë këto e bëjnë Ministrinë e Punëve të Jashtme një ministri shumë problematike në qeverinë e Kosovës dhe kështu mund të them se ka qenë qysh nga themelimi, fatkeqësisht”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se ka një numër një numër diplomatësh që janë profesional dhe janë shtylla e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Mirëpo, siç thotë ajo MPJD ka qenë lloj bazeni ku janë shpërblyer dhe janë dhënë trofe partiake

“Janë dhënë trofe për shpërblime partiake dhe kjo ka ndodhë me të gjitha partitë politike qe kanë menaxhuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme, prandaj edhe nepotizmi, kronizomi dhe gjitha këto dukuri negative ekzistojnë aty”, është shprehur Haradinaj-Stublla.

Sipas saj, nuk është zgjidhje të shkarkohen menjëherë këta diplomatë sepse këta diplomat të ardhur aty pa merite dhe procedura të kontestuara ligjore dhe procedurale, kanë nënshkruar për Republikën e Kosovës mbi 10 vjet, kanë përfaqësuar Republikën e Kosovës në institucione të ndryshme diplomatike, kanë nënshkruar kontrata dhe marrëveshje në emër të Kosovës.

Për këtë, ajo thotë se gjatë kohës sa drejtonte këtë Ministri kishte lënë të gatshme një strategji Vettingu, por që një gjë e tillë nuk është vazhduar nga ministrja aktuale.

“Prandaj unë kam lobuar dhe kam lenë një strategji të gatshme të Vettingut diplomatik, fatkeqësisht Vettingu ka pasur për qëllim jo të eliminoj njerëz, jo të shkarkoj njerëz, të largoj njerëz nga puna por të riorganizojë ministrinë në mënyre që të kapitalizohet potenciali që ekziston, të vendosen njerëz sipas aftësive profesionale, të integritetit moral dhe etik dhe poashtu te identifikohen boshllëqet apo hapësirat ku ne mund të përmirësoheshim mund të shpallim pastaj konkurse dhe të marrim njerëz profesional aty ku mungojnë ato aftësi ato resurse njerëzore”, ka përfunduar ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat