Hill: Serbia duhet ta ketë një qasje për zgjidhjen e problemit me Kosovën

Aktuale

Hill: Serbia duhet ta ketë një qasje për zgjidhjen e problemit me Kosovën

Më: 10 tetor 2022 Në ora: 23:39
Christopher Hill

Ambasadori amerikan në Serbi,Christopher Hill në një intervistë për TV Happy, duke folur mes tjerash edhe për problemin mes Kosovës dhe Serbisë tha se “qoftë në këtë shekull apo në shekullin tjetër, serbët kur të zgjohen do të shohin se shqiptarët e Kosovës janë në jug dhe e njëjta gjë vlen edhe për shqiptarët e Kosovës”. Ai shpreson që ndërkohë të arrihet normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve për të mirën e qytetarëve të thjeshtë.

Më herët, shumë medie serbe e kishin raportuar gabimisht fjalinë e mësipërme të ambasadorit, duke e cituar se kishte thënë “Kur të zgjohen serbët do të shohin se shqiptarët e kanë marrë Kosovën për vete”. Mediet e njëjta më pas e kanë përditësuar lajmin me fjalinë e saktë të ambasadorit "Kur të zgjohen serbët do të shohin se shqiptarët janë në jug", shkruan portali KoSSev.

Hill gjithashtu në këtë intervistë ka thënë se çështja e Kosovës është e vështirë për Serbinë, por edhe se mendon se duhet të ketë një qasje që do të drejtohet drejt zgjidhjes së atij problemi.

Në të njëjtën kohë, ai nënvizoi se SHBA-ja i përkrah përpjekjet e Bashkimit Evropian, i cili ndërmjetëson në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se vendet perëndimore po kërkojnë nga Serbia dhe Kosova që t'i përmbahen procesit të dialogut dhe të përpiqen të ulin tensionet në mënyrë që të krijojnë hapësirë për bisedime të ndërsjella, të cilat do të çonin në normalizimin e marrëdhënieve.

Në të njëjtën kohë, Hill tha edhe një herë se nuk ka shumë ngjashmëri mes ngjarjeve të lidhura me Kosovën e vitit 1999 dhe situatës aktuale në Ukrainë.

Hill vlerësoi se vendet perëndimore po kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që t'i përmbahen procesit të dialogut dhe të përpiqen të ulin tensionet dhe të krijojnë hapësirë që ata të bisedojnë me njëri-tjetrin për të arritur marrëdhënie normale.

Ndërsa për atë se sa përfitime mund të marrë Serbia në bashkëpunim me vendet perëndimore në fushën e energjisë, Hill tha se Serbia ka nevojë për një “përforcues” në këtë drejtim.

"Një nga arsyet e shqetësimit tonë në bashkëpunim me Serbinë tani është sjellja e Rusisë. Ajo që Putini ka bërë me Rusinë është një Rusi tjetër nga ajo që mbaj mend dhe ne duhet të jemi gati për këtë dhe se forma më e mirë e përgatitjes është që ne të gjithë të punojmë së bashku edhe më afër", tha Hill.

Në pyetjen se cili do të ishte vendimi më i mirë që mund të merrte Serbia në këtë situatë, Hill tha se më së miri do të ishte të lidhej me vendet perëndimore, të fokusohej në atë që mund të bëhet tani dhe të vazhdojë në atë drejtim.

“SHBA-ja me të vërtetë dëshiron të qëndrojë pranë Serbisë, të cilën ne e shohim si një mike historike, partnere, por varësisht se çfarë do të ndërmarrë Serbia, mund të bëhet aleati ynë në të ardhmen, kjo do të varet nga Serbia”, theksoi Hill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat