Kurti tha që Kosova ka rritje ekonomike, reagon Pacolli

Aktuale

Kurti tha që Kosova ka rritje ekonomike, reagon Pacolli

Më: 10 tetor 2022 Në ora: 15:19
Behgjet Pacolli 

Pas postimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti lidhur me progresin ekonomik në vend ka reaguar edhe Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli duke thënë se është jashtëzakonisht e papërgjegjshme në një krizë si kjo, me një dimër të vështirë përpara, të flitet me terma fantazie, vetëm e vetëm të blihet paqja sociale.

Sipas tij, edhe në vendet më të zhvilluara sot nuk flitet për ndonjë rritje ekonomike apo vende pune, por diskutohet se si të përballen krizat, inflacioni dhe mungesa e energjisë.

Ai gjithashtu ka thënë se ndoshta është e vërtetë se dhjetëra mijëra qytetarë janë punësuar, por jo në Kosovë. Siç thtoë ai, ky punësim është bërë në Gjermani, Kroaci, Slloveni dhe Zvicër.

Postimi i plotë:

Po lexoj në media se dikush ka folur për një rritje të lartë ekonomike në vend, për dhjetëra mijëra vende të reja pune dhe për të gjitha këto të mira që kanë ndodhur në Kosovë. Mendoj se është jashtëzakonisht e papërgjegjshme në një krizë si kjo, me një dimër të vështirë përpara, të flasim me terma fantazie, vetëm e vetëm të blihet paqja sociale.

Edhe në vendet më të zhvilluara sot nuk flitet për ndonjë rritje ekonomike apo vende pune, por diskutohet se si të përballen krizat, inflacioni dhe mungesa e energjisë.

Ndoshta është e vërtetë se dhjetëra mijëra kosovarë janë punësuar, por jo në Kosovë. Janë punësuar Gjermani, Kroaci, Slloveni dhe Zvicër. Edhe ata (në këtë rast unë dhe kompanitë e mia) që krijojnë punësim në Kosovë, sot bojkotohen dhe pengohen nga kjo qeveri që nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka bllokuar e keqmenaxhuar paratë e taksapaguesve.

Edhe video e fundit e VV-së kundër biznesmenëve është sinjal se ndërmarrjet private nuk përkrahen, por po luftohen në të gjitha mënyrat. Unë nuk mund ta kuptoj për çfarë qëllimi.

Pyetje: Cila ishte vizita inkurajuese e Kryeministrit në ndërmarrjet e Mabetex Group (që punësojnë me mijëra vetë) apo në ndonjë ndërmarrje tjetër. Kjo është edhe përgjigja pse investitorët nuk vijnë në Kosovë por shkojnë në Shqipëri e gjetiu!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat