Mësimdhënësit pa paga: “Obligimet nuk na presin”

Aktuale

Mësimdhënësit pa paga: “Obligimet nuk na presin”

Më: 4 tetor 2022 Në ora: 20:48
Foto ilustrim

Në 33 vjet punë si mësimdhënës, Fejzullah Morina thotë se sivjet e kishte më të hidhur fillimin e vitit të ri shkollor.

“Unë gjithmonë i kam pritur nxënësit e klasës së parë me së paku ndonjë bonbone që ua kam blerë e ua kam dhënë. Dje më është dashur të vij duarthatë”, thotë ky mësues i Shkollës Fillore “Pavarësia” në Prishtinë.

Me një muaj vonesë, për shkak të grevës së mësimdhënësve, mësimi në shkollat publike të Kosovës nisi të hënën.Por, vetëm pas rikthimit në klasa, mësimdhënësit morën vesh se nuk do të paguhen për muajin shtator.

Kjo, pasi Qeveria e Kosovës mori vendim që të mos ekzekutojë pagat për kohën sa ata kanë qenë në grevë.

Për rrjedhojë, familja Morina mbeti pa dy paga, meqë bashkëshortja e Fejzullahut është po ashtu mësimdhënëse.

Me datën 2 është dashur të paguaj këstin e kredisë që e kam marrë për blerjen e banesës. Nuk kam mundur ta paguaj”, tregon Fejzullahu për Radion Evropa e Lirë.Për më tepër, ai thotë se e ka të vështirë t’u ndajë para xhepi edhe tre fëmijëve të tij studentë.

Greva në arsim dhe në administratën publike të Kosovës nisi më 25 gusht dhe u pezullua më 1 tetor.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) njoftoi më 3 tetor se punonjësit e arsimit, që ishin në grevë, nuk u paguan për muajin shtator, ndërsa shërbyesit civilë po.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Administratë Publike, Ali Gashi, konfirmoi për REL-in se pagat e tyre janë ekzekutuar.Ndërkohë, sipas deklaratave të disa punëtorëve të arsimit dhe komunave të Kosovës, pagat nuk janë ekzekutuar as për ata mësimdhënës që nuk kanë marrë pjesë në grevë.

Marjeta Thaçi, mësimdhënëse e gjuhës shqipe në shkollën fillore “Yll Morina” në Gjakovë, thotë se nuk e ka marrë pagën as ajo e as kolegët e saj.

Shkolla ku punon Thaçi, e ka ndërprerë grevën qysh më 15 shtator.

“[Mungesa e pagës] gjithsesi që shkakton vështirësi, duke pasur parasysh edhe ngritjen e çmimeve, duke pasur parasysh që kemi edhe fëmijë, studentë... obligimet nuk na presin”, thotë Thaçi për REL-in.

Çfarë thotë ligji?

Qeveria e Kosovës e arsyeton vendimin për mosekzekutimin e pagave për grevistë duke u thirrur në Ligjin për greva të Kosovës.

Në këtë ligj, përkatësisht në nenin 18, thuhet se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar.

Në interesimin e REL-it se përse pagat nuk janë ekzekutuar vetëm për punëtorët e arsimit që ishin në grevë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, u përgjigj me shkrim:

“Për dallim nga punëtorët e arsimit, për punëtorët në administratën publike ne nuk kemi pasur informata të plota se kush ka grevuar dhe kush jo, meqë greva aty nuk ka qenë homogjene. Megjithatë, kjo çështje do të trajtohet nga auditori”.

“Parimi: pagë për punë do të respektohet”, tha ai.

Nagavci: Komunat nuk i raportuan Ministrisë së Financave

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë (MASHTI), Arbërie Nagavci, tha të martën në një shkrim në Facebook se komunat nuk i kanë raportuar te Ministria e Financave listat e punëtorëve për muajin shtator.

Sipas saj, komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar.

Kjo do të thotë se komunat i përgatisin listat e punëtorëve, pagat e të cilëve i ekzekuton pastaj Ministria e Financave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat