Byroja e konfiskimit të pasurisë po i lemeritë grupet kriminale! / Zhvatësit e buxhetit të shtetit të trembur

Aktuale

Byroja e konfiskimit të pasurisë po i lemeritë grupet kriminale! / Zhvatësit e buxhetit të shtetit të trembur

Nga: Idriz Morina Më: 23 shtator 2022 Në ora: 21:38
Foto ilustrim, pamje nga Kuvendi i Kosovës

Krijimi i Byrosë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme po i shqetëson disa parti opozitare. Ato pas një faze të gjatë të kundërshtimit, dhe përpjekjeve për zvarritje kanë kaluar në një nismë të re, të bojkotimit të debatit për hartimin e ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Fakti që zërat më të fuqishëm kundërshtues vijnë nga PDK e AAK, dëshmon, se deputetët e dy partive po përdoren nga grupet kriminale, dhe figura të fuqishme të tyre të inkriminuara.

Zbulimi i pasurisë së krijuar nga inkriminimi i gjatë, në tenderë, në tregtinë në të zezë, dhe në mënyra të tjera, deri tek ato më të sofistikuarat, do të jetë një nga detyrat thelbësore të Byrosë, që për disa grupe të inkriminuara, po paraqet shqetësim thuaja kardinal.

Zyrtarë në opozitë kanë krijuar pasuri marramendëse

Është e kuptueshme që partitë opozitare, PDK-ja dhe AAK-ja nuk i japin mbështetje miratimit të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, bazuar në akuzat dhe të dhënat për shkelje të rënda nga zyrtarë të tyre.

Por, kësaj nisme të bojkotimit të debatit për Projektligjin për Byronë, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i është bashkuar edhe LDK-ja.

Mendoj se LDK-ja nuk duhet t’i bashkohet bojkotimit, që e bëjnë dy partitë, të cilat besohet thellësisht se njerëz të saj kanë qenë të përfshirë në zhvatje të buxhetit të shtetit, se zyrtarë të tyre kanë krijuar pasuri marramendëse, se veprimtarinë e tyre në të zezë e kanë pasur alfa dhe omega.

LDK-ja nuk duhet të bie viktimë, e disa individëve të pandershëm në mesin e saj, siç mund të ketë çdo parti në çdo kohë.

LDK-ja, duhet të kërkojë që në Ligj të përfshihet gjithsesi hetimi i pasurisë së krijuar që nga pas lufta, në mënyrë që ata që kanë përfituar drejtpërdrejt nga lufta, të japin llogari për atë pasuri dhe pasuritë e paligjshme, t’i kthehen shtetit.

Projektligji parasheh, hetimin dhe konfiskimin e pasurisë së paluajtshme, të krijuar nga viti 2008 e këndej.

Ndërsa, një nga kritikat që i është bërë këtij ligji është rreziku që e vlerësojnë se mund të kërcënojë pasurinë e paluajtshme, që mërgimtarët tanë mund ta kenë fituar p.sh. nga puna në të zezë atje.

Por, kjo nuk do të thotë që duhet të tolerohet çdo situatë. Duke u bazuar në dyshime të shpeshta, se njerëz me ndikim politik, të komprometuar kanë përdorur mënyrën e pastrimit të parave dhe po ashtu kanë investuar në emër të njerëzve të afërm apo me marrëveshje, bartje të pasurisë, bizneseve dhe mënyrave tjera, dhe duke qëndruar pas tyre, i jep arsye, një kontrolli të bazuar të origjinës së pasurisë në ato raste.

Pra, nuk duhet përjashtuar në raste të caktuara edhe nga kjo perspektivë kontrolli i pasurisë së atillë, prandaj opozita nuk duhet të kërkojë, heqjen e kontrollit të tërësishëm të origjinës pasurisë së mërgimtarëve, por duke i kufizuar rastet.

Oligarkët synojnë që ligjin ta bëjë të pazbatueshëm

Për sa kohë LDK-ja nuk e përkrahë miratimin e një ligji të atillë, ajo dëshmon se ka njerëz të dyshimtë në role kyçe në parti apo me shumë ndikim.

Por, në fund të fundit, LDK-ja, e cila ka pasur një ngritje të ndjeshme në sondazhe kohëve të fundit, ajo duhet që të veprojë në mënyrën më racionale, dhe të dëshmojë këmbëngulje për sundim të rendit e të ligjit, pikën më të dobët të sistemit.

Opozita ka të drejtë plotësisht të kërkojë ndryshime të rëndësishme dhe të arsyeshme në Projektligj, por jo që ligjin ta bëjë të pazbatueshëm, dhe ta bëjë të atillë, që ta pengojë maksimalisht arritjen e qëllimit final, konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, veçanërisht të përfituesve të mëdhenjë.

Në kushte dhe rrethana normale, një ligj i atillë mund të mos ishte fare i nevojshëm, pasi këtë detyrë do të mund ta kryente sistemi i drejtësisë, por në rrethanat ku zbatimi i ligjit është thjesht vullnet i mundshëm, dhe jo detyrim moral, atëherë krijimi i një trupe të tillë merr kuptim, me shpresë, që të eliminojë barrierat tjera të ndikimit korruptiv e komprometues në sistemin e drejtësisë.

Është thuaja e padyshimtë, që ky Projektligj, mund të sjellë një përpjekje të re dhe serioze në luftën antikorrupsion, dhe konfiskim të pasurisë, por asnjëherë nuk duhet të rrëshqasë në arbitraritet dhe në hakmarrje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat