Këshilli i Prindërve – mësimdhënësve: Mbyllja e plotë e shkollave nuk është zgjidhje

Aktuale

Këshilli i Prindërve – mësimdhënësve: Mbyllja e plotë e shkollave nuk është zgjidhje

Më: 17 shtator 2022 Në ora: 10:44
Ilustrim

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka reaguar për vazhdimin e grevës në arsim. Nga ky Këshill kanë thënë se në vazhdim të diskutimeve për e kundër grevës, ka një mungesë dëshire, sidomos nga sindikata, për të dëgjuar (vëmendshëm) përse Këshilli i Prindërve, e prindërit në përgjithësi, janë kundër grevës.

Përmes një postimi në Facebook, nga Këshilli i Prindërve kanë dhënë disa sqarime e shembuj, edhe të përsëritura, për të argumentuar qëndrimin e tyre.

“Më kryesorja, e drejta e fëmijëve për të shkuar në shkollë duhet të jetë e garantuar. Nuk bën, nuk funksionon, nuk duhet që mësimdhënësit të mund ta kushtëzojnë vijueshmërinë e mësimit me kërkesa për përmirësim kushtesh materiale. Këto dy çështje (e drejta dhe nevoja) nuk guxon kushtëzuar e ndërlidhur”, thuhet në njoftim.

Ata më tej japin një shembull për këtë logjikë. “Mësimi fillor në Kosovë është i obligueshëm. Çka nënkupton kjo? I bie që edhe nëse prindërit, që i kanë krijuar vetë fëmijët, duan që t’i angazhojnë në punë për të krijuar mirëqenie në familje apo edhe kushte elementare për jetë kjo nuk lejohet nga institucionet shtetërore. Policia do të ndërhyjë, dhe gjykata mund edhe të marrë veprime juridike ndaj prindërve dhe fëmijëve nuk lejohet t’u mohohet e drejta e shkollimit”.

Po ashtu, në njoftimin e këtij këshili është thënë se fëmija nuk mund të përdoret për të sakrifikuar kohën e shkollimit as për kërkesa elementare të familjes.

“Andaj, i rithërrasim të gjitha palët, por sidomos mësimdhënësit, ta mendoni arsyeshëm se mbyllja e plotë e shkollave nuk mund të jetë zgjidhja asnjëherë. Kjo bën vetëm dëme, shumë të mëdha. Sindikata dhe mësimdhënësit duhet të përdorin forma të tjera të presionit sindikal”, thuhet më tej në njoftimin e Këshillit të Prindërve të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat