Katër mijë studentë të UP-së, do të jenë banorë të Qendrës së Studentëve

Aktuale

Katër mijë studentë të UP-së, do të jenë banorë të Qendrës së Studentëve

Më: 15 shtator 2022 Në ora: 10:52
Ilustrim

Qendra e Studentëve në Prishtinë ka hapur konkursin për pranimin e katër mijë studentëve të UP-së në Qendrën e Studentëve për banim në konvikte dhe për ushqim në mensë.

Drejtues të Qendrës se Studentëve kanë bërë të ditur se edhe këtë vit, çmimi do jetë i njëjtë, kurse risi në këtë vit do të jetë se edhe studentët të cilët nuk do banojnë në Qendër, do të mund të ushqehen në mensë.

Katër mijë studentë të UP-së do të pranohen në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës, pasi tashmë është shpallur konkursi për banim në konvikte dhe për ushqim në mensë, për vitin akademik 2022/2023. Drejtori i Qendrës se Studentëve, Fatmir Sfishta, i tha Radio Kosovës se edhe këtë vit studentët do të pranohen bazuar në kriteret e konkursit.

“Si kriter themelor është që studenti që aplikon, të jetë student i rregullt i Universitetit të Prishtinës, që vendbanimi i tyre të jetë më shumë se 25 kilometra larg Prishtinës, dhe sigurisht edhe nota mesatare gjatë studimeve për ata që janë në vitin e dytë e sipër. Ndërsa i japim përparësi gjatë procesit të pranimit disa kategorive, atyre që janë me gjendje më të rëndë ekonomike, studentë që vijnë nga familjet e invalidëve e veteranëve të luftës dhe studentë me kategori të ndryshme”, tha Sfishta.

Po ashtu, Sfishta tha se risi në këtë vit do të jetë se edhe studentet të cilët  nuk do të banojnë në Qendrën e Studentëve do të mund të ushqehen në mensë dhe se çmimi do të jetë i njëjtë me vitin e kaluar  për banim dhe ushqim.

”Çmimi do të jetë i njëjtë si vitin e kaluar, 35 euro në total për muaj,  20 euro banimi dhe 15 euro ushqimi. Risi në këtë vit do të jetë që studentët kanë mundësi të aplikojnë veçmas për të fituar të drejtën për t’u ushqyer në mensën e studentëve edhe pse nuk janë banues në Qendrën e Studenteve. Kriteret për të aplikuar janë të njëjta sikurse për aplikim për konvikt. Numri i studentëve që mund t’i mbulojmë për ushqim në mensë, është 1500 studentë,” shprehet ai .

Studentët aplikimin mund ta bëjnë përmes sistemit Online. Konkursi do të jetë i hapur deri më 18 shtator.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat