Pamjet kur babai i zyrtarit të arrestuar të LDK-së i vërsulej Osmanit – kërcënonte asamblistë

Aktuale

Pamjet kur babai i zyrtarit të arrestuar të LDK-së i vërsulej Osmanit – kërcënonte asamblistë

Më: 12 shtator 2022 Në ora: 13:43
Xhavit Ukaj

Florent dhe Faton Ukaj, dy djemtë e ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj, janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje nën dyshimin për përfshirje në një rrahje fizike të dielën.

Ata janë arrestuar të dielën në fshatin Serbicë e Ulët në Prizren.

Dy djemtë e ish-deputetit dhe dikur njërit prej funksionarëve të lartë të Degës së LDK-së në Prizren dyshohen për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje”.

Për përfshirje në debate që për pak sa nuk kishin eskaluar në përplasje fizike, njihet edhe babai i dy të arrestuarve, ish-deputeti Xhavit Ukaj.

Jo më larg se dy vjet më parë, në legjislaturën e kaluar të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Ukaj kishte marrë vëmendjen e publikut për një ngjarje të pahijshme në parlament. Ai i ishte vërsulur ish-kryeparlamentares, tash presidentes Vjosa Osmanit. Ngjarja kishte ndodhur më 10 korrik të 2020-s.

Ishte nevojitur ndërhyrja e kolegëve të tij deputetë për ta ndaluar Ukajn që i ishte vërsulur për konfrontim ish-kryetares së kuvendit, në një seancë ku po shqyrtohej rishikimi i buxhetit për vitin 2020.

Zënka kishte nisur si pasojë e një përplasjeje verbale mes Osmanit dhe Ukajt.

“A po ulësh z. deputet? A po ulesh edhe mos bërtit, sepse jeni ju që e keni përdorur më së shumti për 52 ditë fjalën paranojak. A e kuptove? A e kuptove çka të thash ose përndryshe kërkoj nga sigurimi i Kuvendit që të largojnë nga salla”, i kishte thënë Osmani-Ukajt, duke ia drejtuar gishtin.

Veprimet e ish-kryeparlamentares kishin nxitur reagimin e pakontrolluar të Ukajt. Ai i ishte vërsulur Osmanit.

Pas incidentit mes tyre, seanca ishte ndërprerë.

Disa vjet para këtij incidenti, në cilësinë e asamblistit në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Xhavit Ukaj kishte krijuar një tjetër precedent të ngjashëm.  Ai kishte kërcënuar një koleg të tij në Asamblenë Komunale.

“Ulur aty sa s’të kam ardhë aty për me të nxjerrë jashtë”, dëgjohet Ukaj duke i thënë një asamblisti në Prizren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat