Qytetari thotë se polici ia sulmoi me armë zjarri familjarin në Sllatinë të Fushë Kosovës

Aktuale

Qytetari thotë se polici ia sulmoi me armë zjarri familjarin në Sllatinë të Fushë Kosovës

Më: 11 shtator 2022 Në ora: 14:03
Foto ilustrim

Një qytetar D.B nga Sllatina e Fushë Kosovës pretendon se djali i axhës së tij është gjuajtur me armë zjarri nga një zyrtar policor A.Z.

Ai tha se familjari i tij ishte sulmuar nga polici derisa ishte duke i ruajtur bagëtitë.

” Një polic me emrin A.Z, jashtë detyrës zyrtare e ka gjuajtur me armë zjarri djalin e axhës J.B. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme derisa djali i axhës ka qenë duke i ruajtur bagëtitë. Djali i axhës është bari. Polici ka kaluar andej ku ka qenë familjari im duke i ruajtur delet. Para se ta gjuajë me armë djali i axhës është sharë nga ana e policit ” – tha ai.

Burri tha se rasti është hapur në stacionin policor në Fushë Kosovës.

“Mbrëmë e kemi thirrur policinë. Në vendin e ngjarjes ka dal edhe Inspektorati i Policisë, në vendin e ngjarjes i ka gjetur edhe gëzhojat e armës”- shtoi ai.

D.B tha se J.B, nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Djali i axhës J.B nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Ai është shumë i frikësuar pas këtij rasti. Ka marrë trajtim mjekësor në QKMF në Fushë Kosovë. Fillimisht stafi mjekësor edhe ka hezituar ta kontrollojë atë për shkak se është bari – deklaroi D.B.

Sipas tij A.Z, ka shkuar më pas tek mjeku dhe i ka marrë edhe fëmijët me vete duke deklaruar se ishte frikësuar nga qentë që i mban djali i axhës për t’i ruajtur bagëtitë.

“A.Z ka shkuar tek mjeku dhe i ka marrë edhe fëmijët me vete. Ai ka deklaruar se kinse në momentin e ngjarjes ai ka qenë së bashku me fëmijët e tij, dhe kinse janë frikësuar nga qentë” – tha ai.

Rastin e ka konfirmuar edhe Inspektorati i Policisë.

Zëdhënësi i IPK-së Arbër Beka, tha për Klankosova.tv se është rekomanduar suspendimi i zyrtarit policor në fjalë për veprën “Kanosje”.

Beka tha se janë duke punuar në zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarje, njofton Klankosova.tv.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një zyrtari policor me dyshimin për veprën penale të kanosjes. Informatat e para për këtë rast IPK i ka pranuar mbrëmë dhe hetuesit janë dalë në vendin e ngjarjes. Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”- tha Beka.

Klan Kosova do të ju mbajë të njoftuar me detaje të tjera lidhur me rastin në fjalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat