Vizitat e shpeshta të emisarëve, shtytje e re në dialogun Kosovë-Serbi

Aktuale

Vizitat e shpeshta të emisarëve, shtytje e re në dialogun Kosovë-Serbi

Më: 8 shtator 2022 Në ora: 08:50
Foto ilustrim

Ardhja në Kosovë e emisarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga dy këshilltarë të sapoemëruar, njëri nga Gjermania dhe tjetri nga Franca, nga opozita në vend po shihet si shtytje e re në dialogun Kosovë – Serbi.

Madje, opozita në vend po e vlerëson si angazhim të shtuar diplomatik të evropianëve dhe amerikanëve për intensifikim dhe përmbyllje të dialogut dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 

Megjithatë, ata vlerësojnë se Qeveria e Kosovës duhet ta shfrytëzojë këtë, duke qenë më proaktive në dialogun politik për elemente të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me njohje reciproke.

Ish-ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, tash anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti, thotë se SHBA-të dhe vendet kyçe evropiane duan t’i japin shtytje të reja dialogut Kosovë – Serbi.

Madje sipas tij, administrata amerikane ka folur për urgjencën e këtij dialogut, sidomos në kontekst të zhvillimeve të këtyre gjashtë muajve në Evropë, mbas agresionit rus kundër Ukrainës. 

“SHBA-të kanë një emisar special për Ballkanin Perëndimor. Edhe Britania e Madhe. Së fundi, kancelari gjerman dhe presidenti francez kanë dhënë shenja se i bashkohen këtij mendimi dhe angazhimi kur caktuan këshilltarët e tyre të lartë për siguri kombëtare dhe diplomaci, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, për të mbështetur drejtpërdrejt përpjekjet e Miroslav Lajçakut, përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi”, tha Hamiti për RTKlive.

Ai ka thënë se ka angazhim të shtuar diplomatik të evropianëve dhe amerikanëve për intensifikim dhe përmbyllje të dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që, sigurisht, në thelb duhet ta ketë njohjen reciproke.

“Qeveria e Kosovës nuk ka dëshmuar aftësi për ta bërë këtë në këtë vit e gjysmë qeverisjeje. Është koha që këtë ta bëjë sepse status-qoja në dialog u konvenon Serbisë dhe Rusisë, por jo Kosovës, siç e kemi thënë vazhdimisht. Status quoja është në dëm të stabilitetit në Ballkan dhe në gjithë Evropën”, tha Hamiti. 

Sipas tij, emërimi i këshilltarëve të lartë nga Gjermania dhe Franca jep shenja se këto dy vende duan t’i japin impulse të reja dialogut. 
“Qeveria e Kosovës duhet ta shfrytëzojë këtë duke qenë më pro aktive në dialogun politik për elemente të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me njohje reciproke”, tha Hamiti.

Në anën tjetër zëdhënësi i AAK-së, Lulzim Blaka thotë se emërimi i emisarëve për dialogun nga Gjermania dhe Franca është një lajm i mirë për vendin. 

Ai ka thënë se edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tash e shumë kohë, ka insistuar që të ngritët niveli i përfaqësuesve të dialogut ‘në nivel të vendimmarrësve’. 

“Me emërimin e dy emisarëve nga dy shtetet më të fuqishme të Evropës, është pikërisht ajo që e kemi kërkuar, krahas udhëheqjes së këtij procesi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e që mbetet kërkesë e jona e vazhdueshme”, ka thënë Blaka.

Mediumi publik ka tentuar të marrë edhe qëndrimin e PDK-së, partisë tjetër në opozitë, në lidhje më këtë vizitë të treshes evropiane, por pavarësisht dy ditë pritjeje, askush nga kjo parti nuk deshi të deklarohet. 

Sidoqoftë, këtë të premte, më 9 shtator, ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të jetë sërish për bisedime në Prishtinë e Beograd, por këtë radhë i shoqëruar nga dy këshilltarët e jashtëm të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat