​Jasharaj nga “28 Nëntori”: SBASHK-u ka dorëzuar kallëzimin penal ndaj ministrit Murati

Aktuale

​Jasharaj nga “28 Nëntori”: SBASHK-u ka dorëzuar kallëzimin penal ndaj ministrit Murati

Më: 1 shtator 2022 Në ora: 12:07
Foto ilustrim

Përkundër përgatitjeve që ka bërë Ministria e Arsimit, mësimi nuk filloi sot më 1 shtator as në shkollën e mesme teknike “28 Nëntori” në Prishtinë.

E këtë grevë e monitoruan nga afër Këshilli Qendror Grevist i SBAShK-ut, shoqëruar nga Këshilli Qendror Grevist i BSPK-së.

Kryetar i Këshillit Grevist të BSPK-së, njëherësh kryetar i SBASHK -ut, Rrahman Jasharaj u shpreh se uniteti që kanë treguar sot mësimdhënësit, tregon se ata dinë t’i mbrojnë kërkesat e tyre.

Jasharaj kërkoi që Qeveria t’i ndal kërcënimet karshi grevistëve.

Jasharaj: Qeveria Kurti e sidomos ministrit, Murati t’i lënë kërcënimet

“I drejtohem edhe njëherë me apel qeverisë Kurti e sidomos ministrit, Murati që t’i lë kërcënimet sepse nuk i ka hije një ministri të Kosovës... Kemi pritur që kjo qeveria jonë dhe qeveritë do të na presin dhe do të realizojnë kërkesat tona sepse jemi në shërbim të këtij populli, edhe sot e lus ministrin, Hekuran Murati që t’i ndërpresë goditjet e ulëta duke u munduar edhe të na kritikoj dhe të na fyej duke u munduar të na kërcënoj”, tha Jasharaj.

Kryetari i SBASHK-ut tha se ky moment kur nuk po nis mësimi nuk i gëzon, por që pa i plotësuar kërkesat e tyre nuk do të ndalin grevën.

Jasharaj: Greva do të përfundojë kur qeveria do t’i plotësojë kërkesat tona

“I kemi kërkuar 100 euro si mesazh qeverisë se e kemi dorën e qeverisë dhe do të ndiheshim mirë që në këtë krizë qeveria po na ndihmon bile pak në këto ngritje të tmerrshme të çmimeve. Nuk është ky moment që na gëzon asnjëherë sepse me 1 shtator sa mirë do të tingëllonte zilja por besoni kemi ardhur në pozitë dialog hiq asnjë vijë se ka bërë qeveria që të dialogojë i kemi harxhuar të gjitha... Pa të ofruar asnjë zgjidhje por vetëm kërcënime do tua bëjmë kështu e kanë të kotë sepse ne jemi në rrugën e zotit unë po iu premtoj se ne nuk do lëvizim asnjë milimetër. Greva do të përfundoj kur të thoni ju dhe kur qeveria do t’i zgjedh kërkesat tona’, u shpreh Jasharaj.

Tutje ai tregoi se si SBAShK kanë dorëzuarkallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për ministrin e Financave, Hekuran Murati, pas vendimit për ndalimin e pagave për punëtorët që janë në grevë.

Jasharaj: SBASHK-u ka dorëzuar kallëzimin penal ndaj Muratit

“SBASHK-u e ka përgatitur dhe e ka dorëzuar në organin gjegjës në Prokurori kallëzimin penal ndaj zotërisë, Hekuran Murati e tash ai kur te thirrin le t’i qet letrat dhe le t’i tregojë dikujt se paska të drejtë ai thuajse janë paratë e tij”, tha Jasharaj.

Kryetari i Këshillit Grevist në SBASHK, Reshit Kushaj tha se është informuar se në të gjitha shkollat po mbahet greva.

Kushaj: Në të gjitha shkollat po mbahen grevat

“Iu përgëzoj shumë për organizimin sindikal sepse Prishtina shërben edhe për të gjitha komunat tjera. Unë iu bëjë në dijeni kam marr informata nga të gjitha shoqata sindikale nëpër komuna...të gjithë më informojnë se jemi në grevë dhe kjo na bënë e kuptuar të gjithëve dhe të mos kemi thashetheme të ndryshme se ndonjë shkollë apo individ mund të jetë i pranishëm në shkollë... Kemi aty këtu nxënës disa në numër të vogël që kanë shkuar në shkolla dhe qetësisht janë kthyer në shtëpitë e tyre”, u shpreh ai.

Mbështetje grevistëve të kësaj shkolle iu dha edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Administratës Publike, Ali Gashi i cili tha se kërkesat e tyre janë ligjërisht të drejta.

Gashi: Kërkesat tona janë ligjore

“Jemi të bashkuar jemi unik unë iu siguroj se nuk jeni vetë sikurse herëve të tjera po kësaj here jemi bashkë është edhe Administrata kërkesat tona janë kërkesa të drejta ligjore dhe tendenca që thuhet se është grevë materiale është shpifje e pavërtetë sepse kërkesa jonë kryesore është hartimi dhe zbatimi i ligjit të pagave”, tha ai.

Që nga 25 gushti punëtorët e sektorit publik kanë hyrë në grevë. Përmes këtyre grevave ata po kërkojnë hartim dhe hyrje në fuqi sa më shpejt të Ligjit të pagave, plotësim-ndryshimin e ligjit mbi skemat pensionale dhe pagesë 100 euro deri në miratimin e Ligjit të Pagave. /

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat