MASHTI i gatshëm për fillimin e vitit shkollor, mësimdhënësit në grevë

Aktuale

MASHTI i gatshëm për fillimin e vitit shkollor, mësimdhënësit në grevë

Më: 31 gusht 2022 Në ora: 12:32
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2022/2023.

Derisa nga MASHTI thanë se kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit shkollor më 1 shtator, mësimdhënësit në Kosovë vazhdojnë të jenë në grevë që nga 25 gushti.

Ministrja Arbërie Nagavci, në një konferencë për media më 31 gusht, u kërkoi punëtorëve të arsimit që të ndërpresin grevën.

“Jemi informuar se të gjitha shkollat kanë bërë përgatitjet e duhura për fillimin e procesit mësimor. Të gjithë janë deklaruar për rëndësinë e fillimit të vitit të ri shkollor më 1 shator. Pres dhe kërkoj që të mos ketë grevë në sektorin e arsimit. Fëmijët e presin fillimin e vitit shkollor”, tha Nagavci.

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

Në grevë, përveç punëtorëve të arsimit janë edhe shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Ministrja Nagavci tha se të gjitha kërkesat e punëtorëve të arsmit janë të përfshira në Projektligjin e ri për pagat.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë, Rrahman Jasharaj më 30 gusht ka thënë se nisja e vitit të ri shkollor më 1 shtator do t’i gjejë “nxënësit në shtëpi, e mësimdhënësit në grevë”, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Ministria e Punëve të Brendshme e ka proceduar Projektligjin për paga në konsultime paraprake më 17 gusht.

Projektligji duhet të kalojë procedurat e konsultimeve paraprake dhe publike, si dhe pas miratimit në Qeveri e Kuvend, do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hynë në fuqi tetë muaj pas publikimit në këtë gazetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat