Transferohen shtatë prokurorë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe një në atë të Ferizajt

Aktuale

Transferohen shtatë prokurorë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe një në atë të Ferizajt

Më: 29 korrik 2022 Në ora: 13:52
Foto nga vendi i ngjarjes

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në takimin e 218-të, të mbajtur të premten, ka transferuar shtatë prokurorë nga prokuroritë e tjera në atë të Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe një në atë të Ferizajt.

Sipas këtij vendimi të Këshillit, të njëjtit do të fillojnë punën e tyre në këto prokurori nga 15 gushti i këtij viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorët që kanë plotësuar kriteret për t’u transferuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë janë Zana Sadiku, Luljeta Bilalli dhe Paulin Pashku nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Arben Hoti dhe Astrit Gashi nga Prokuroria Themelore në Pejë, Halim Borovci nga Prokuroria Themelore në Gjilan dhe Nazmi Krasniqi nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Në këtë mbledhje, është bërë e ditur se për këtë transferim kishin aplikuar tetë prokurorë.

Gjithashtu në këtë takim, Këshilli ka votuar edhe propozimin e komisionit për transferimin dhe avancimin e prokurorëve për procesin e transferimit të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Fatos Ajvazi në Departamentin e Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Për këtë pozitë, në mbledhje është bërë e ditur se kishte aplikuar vetëm prokurori Ajvazi dhe se sipas rregullave të parapara në rregullore, i njëjti ka kaluar.

Lidhur me transferimin e prokurorëve në Prokurorinë e Prishtinës, në këtë mbledhje është thënë se kryeprokurorët që kanë dhënë pëlqimet për transferimin e të njëjtëve kanë shprehur solidaritet më këtë prokurori për shkak të ngarkesës shumë të madhe të lëndëve që e njëjta ka edhe pse janë në dijeni se gjendja nuk është e mirë as në prokuroritë e tyre.

Po ashtu, Këshilli pas propozimit të komisionit ka avancuar prokurorin e Prokurorisë Themelore në Pejë, Ersan Qavolli nga Departament i Përgjithshëm në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Si pikë tjetër e rendit të ditës ka qenë edhe lista e prokurorëve të cilët shërbejnë në panelet hetimore, me c’rast pas propozimit nga anëtarët e Këshillit, si anëtarë të panelit hetimor me mandat tre-vjeçar janë caktuar Idaim Ismajli, Sebahate Sinani, Arian Gashi, Sahit Tmava, Enis Gashi, Rafet Halimi, Bukurije Gjonbalaj, Shahadin Destani, Sanije Seferi dhe Arben Kadriu.

Në këtë takim, gjithashtu është miratuar vendimi për të hapur shpallje të brendshme për avancimin e prokurorëve në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

Kjo shpallje sipas Këshillit do të jetë e hapur për të gjithë prokurorët nga 3 deri më 17 gusht 2022.

Më pas, takimi ka vazhduar me dyer të mbyllura, ku është paraparë të diskutohet për: Raportin për vlerësimin e performancës së nëntë prokurorëve me mandat të përhershëm KVPP-360/2022, si dhe kundërshtimet e paraqitura ndaj këtij raporti; Caktimi i stafit mbështetës në procesin për rekrutimin e 22 prokurorëve të rinj; Njoftim i kryesuesit për nënshkrim të memorandumit të mirëkuptimit mes Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Akademisë së Drejtësisë; Çështja e rishqyrtimit të komisionit për rekrutimin e prokurorëve, gjendja e Pallatit të Drejtësisë si dhe kërkesa nga Posta dhe Telekomi i Kosovës.

Ndërsa, shpallja e konkursit për drejtorin e Sekretariatit të KPK-së dhe drejtorin e Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorëve në KPK, ka mbetur që të shqyrtohet në mbledhjen e radhës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat