Ngjarje historike: Vajza e Sekretares Madeleine Albright nikoqire e marrëveshjes mes Kosovës dhe MCC-së- flet Kryeministri Kurti

Aktuale

Ngjarje historike: Vajza e Sekretares Madeleine Albright nikoqire e marrëveshjes mes Kosovës dhe MCC-së- flet Kryeministri Kurti

Nga: M.L. Më: 28 korrik 2022 Në ora: 09:06
Foto ilustrim nga vendi i ngjarjes

Dje është nënshkruar Marrëveshja për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, ndërmjet Kosovës dhe MCC-së në Uashington.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti duke folur rreth kësaj marrëveshjeje theksin e ka vendosur tek fakti që në njërën anë të marrëveshjes ishte zonja Alice Albright, vajza e Sekretares së Shtetit, nënshkrimin historik të së cilës e mban intervenimi i NATO-s në pranverën e vitit 1999 për ta ndalur gjenocidin e Jugosllavisë dhe Serbisë së Milosheviqit në Kosovë.

“Pas tetë vjetëve, isha në ShBA para tre muajve. Pikërisht më 27 prill, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, Zonjës Sekretare, Madeleine Albright, në funeralin në Katedralen e Ëashington DC. Saktësisht tre muaj më vonë, më 27 korrik 2022, morëm pjesë në këtë ngjarje historike për Kosovën, zhvillimin e saj dhe lidhjen e saj me ShBA-të. Në njërën anë të marrëveshjes është pikërisht zonja tjetër Albright, Alice, vajza e Sekretares së Shtetit, nënshkrimin historik të së cilës e mban intervenimi i NATO-s në pranverën e vitit 1999 për ta ndalur gjenocidin e Jugosllavisë dhe Serbisë së Milosheviqit në Kosovë. Nga çlirimi te zhvillimi, nga Albright te Albright”, shkruan Kurti në Facebook.

Kryeministri thekson se nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Programin Kompakt me vlerë prej 236.7 milionë dollarë, përveçse është ditë e shënuar e një bashkëpunimi historik mbi qëllime të përbashkëta në sektorin e energjisë, është kremtim i marrëdhënieve të thella ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ky është investimi më i madh dhe më inovativ i bërë ndonjëherë në Kosovë në sektorin e energjisë.

Programi Kompakt do të jetë gurthemeli i tranzicionit tonë të gjelbër dhe do të kontribuojë në sigurinë tonë energjetike dhe transformimin socio-ekonomik. Kështu, Kosova për herë të parë po krijon kapacitetet e saj të para për akumulimin me bateri të energjisë elektrike, si dhe po investon në zhvillimin e shkathtësive të reja në sektorin e energjisë, duke u përgatitur për tranzicionin e drejtë energjetik”, potencon ai.

Ai thotë se Republika e Kosovës i është jashtëzakonisht mirënjohëse Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që po qëndrojnë përkrah nesh në realizimin e investimeve të bazuara në vlera dhe interesa të përbashkëta.

“Në veçanti, falenderoj kryeshefen ekzekutive të MCC-së, znj. Alice Albright, ministren tonë të Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli dhe dy ekipet përkatëse që studiuan, shqyrtuan e negociuan për të arritur te rezultati i shkëlqyeshëm dje”, përfundon kryeministri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat