Gjykata i çon në paraburgim biznesmenin Shaban Ademaj dhe katër të dyshuarit për mashtrimin e skamnorëve

Aktuale

Gjykata i çon në paraburgim biznesmenin Shaban Ademaj dhe katër të dyshuarit për mashtrimin e skamnorëve

Më: 27 korrik 2022 Në ora: 11:55
Shaban Ademaj

Biznesmeni i ndërtimeve, Shaban Ademaj dhe katër zyrtarët komunalë në Prizren, Çengiz Curciali, Asim Imeri, Raim Xhaferi dhe Idbalka Rama, janë vendosur për 30 ditë në paraburgim.

Gjykata ka vendosur të mërkurën masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarve për mashtrimin e së paku tri familjeve skamnore dhe dëmtimin e buxhetit të komunës.

Lajmin e ka bërë të ditur Gjykata Themelore në Prizren përmes një njoftimi për media.

“Me lënien në liri të të pandehurve, ekziston rreziku i dëmtimit të provave, apo edhe ndikimi në dëshmitarë, me çka do të dëmtonin rrjedhën e procedurës penale, andaj Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyrën dhe rrethanat që dyshohen se janë kryer veprat penale, dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale nëse ndaj të pandehurve do të caktohej ndonjë masë alternative, andaj Gjykata vendosi për caktimin e paraburgimit, për shkak të mbarëvajtjes së procedurës së rregullt të procedurës penale – hetimore”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prizrenit.

Shaban Ademaj, drejtor i ndërmarrjes private “B-Ademaj” Sh.P.K., në bashkëpunim me katër zyrtarë të Komunës së Prizrenit dyshohen se mashtruan së paku tri familjare skamnore në Prizren.

Biznesmeni i ndërtimeve dhe katër zyrtarët komunalë të Prizrenit janë arrestuar të hënën me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prizren.

Ata dyshohen për shpërdorim të detyrës zyrtare përmes një kontrate të prokurimit publik të emërtuar: “Furnizimi me material ndërtimor për rindërtimin e shtëpive të familjeve skamnore dhe rasteve sociale të komuniteteve minoritare në Komunën e Prizrenit”.

Biznesmeni Ademaj, përfitues i një tenderi publik për furnizimin me material ndërtimor të familjeve në nevojë në Komunën e Prizrenit, dyshohet se nuk ia kishte dorëzuar në tërësi materialet ndërtimore së paku tri familjeve në nevojë.

Veprën penale, ai dyshohet se e kishte kryer në bashkëpunim me katër zyrtarë të Komunës së Prizrenit.

Paparaci ka mësuar emrat e tre zyrtarëve komunalë të dyshuar për përfshirje në shpërdorim të detyrës zyrtare. Ata janë: Çengiz Curciali, Asim Imeri, Raim Xhaferi. I dyshuar është edhe një zyrtare komunale me inicialet I.R., identiteti i plotë i të cilit nuk është zbuluar ende.

Çengiz Curciali është ish-Koordinator në Zyrën për Komunitet dhe Kthim. Arsim Imeri dhe Raim Xhaferi janë zyrtarë për të Drejtat dhe Integrimin e Komuniteteve në Komunën e Prizrenit.

Veprimet e pesë të arrestuarve dyshohet se kanë dëmtuar për 13 mijë euro buxhetin e shtetit, bazuar në një përfundim të nxjerrë nga Prokuroria.

“[…] bazuar në tenderin e shpallur nga Autoriteti Kontraktues – Komuna e Prizrenit, ‘Furnizimi me material ndërtimor për rindërtimin e shtëpive të familjeve skamnore dhe rasteve sociale të komuniteteve minoritare në Komunën e Prizrenit’, përfituesve për furnizim me material ndërtimor-të dëmtuarve B.R., A.K., L.U., etj, nuk ua dorëzojnë në tërësi materialin ndërtimor ashtu siç ka qenë e paraparë në bazë të tenderit, me ç’rast buxhetit të Komunës së Prizrenit i është shkaktuar dëm material në shumë prej 13,283.00 Euro”, ka thënë sot Prokuroria e Prizrenit.

Pesë të dyshuarit, me rastin e dorëzimit të materialit ndërtimor për katër familje përfituese, kishin nënshkruar në emër të tyre, “edhe pse në fakt përfituesit nuk e kanë pranuar në tërësi ose fare materialin ndërtimor”.

Kësisoj, ata janë ngarkuar edhe me veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat