Mefail Bajqinovci ironizon me opozitën pas vizitës së Albin Kurtit në SHBA

Aktuale

Mefail Bajqinovci ironizon me opozitën pas vizitës së Albin Kurtit në SHBA

Më: 26 korrik 2022 Në ora: 15:24
Mefail Bajqinovci dhe Albin Kurti

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka shkruar se kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk do të qëndroj gjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një postim në Facebook Bajqinovci ka ironizuar me opozitën, të cilët kishin kritikuar vizitën e gjatë të Kurtit në ShBA.

“Dëgjova që Albini kësaj radhe nuk kish me qëndru gjatë në ShBA sepse opozitën shumë shpejt po e merr malli për të”, shkruan ai.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kanë udhëtuar për në Uashington për nënshkrimin e marrëveshjes me MCC-në për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh.

Kurse, sot Qeveria dhe Presidenca me komunikata të ndara kanë njoftuar se Osmani dhe Kurti do të priten nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Takimi me Blinken do të ndodh sot në ora 16:30 sipas kohës lokale në Uashington D.C.

Ndërkaq, Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka miratuar në fund të qershorit Programin Kompakt me Kosovën në vlerë prej mbi 200-milionë dollarësh. Marrëveshja ka të bëjë me projektet për energjinë.

Sipas njoftimit të mëhershëm të Qeverisë, programi do të përfshijë këto tri projekte:

1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 MW, që ofrojnë rezervë 340 MWh),

2. Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe

3. Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.

Nga ky financim 200 milionë dollarësh do të vijë në formë granti nga SHBA-ja përmes MCC-së, rreth 35 milionë dollarë do të jetë kontribut nga Qeveria e Kosovës, ndërsa 2 milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD).

Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat