​Latifi flet për problemin e pronave të Manastirit: Ja pse u vendos Patrikana serbe në Pejë më 1557

Aktuale

​Latifi flet për problemin e pronave të Manastirit: Ja pse u vendos Patrikana serbe në Pejë më 1557

Më: 25 korrik 2022 Në ora: 18:42
Foto ilustrim

Profesori universitar Blerim Latifi ka folur rreth pretendimeve të Kishës Ortodokse Serbe për kthimin e pronave Manastirit të Deçanit.

Ai në një postim në Facebook ka sjellë fakte nga autorët Bernd J.Fisher dhe Oliver Jens Schmitt, të cilat ata i kanë prezantuar në librin e tyre më të ri “Një histori koncize e Shqipërisë”.

Në këtë libër autorët përmendin faktin se në vitin 1557 Perandoria Osmane e rivendosi Patrikanën serbe në Pejë si mburojë kundër ndikimit habsburg dhe venedikas në Ballkanin Perëndimor.

Kjo lloj mburoje, shkruan profesori Latifi, konsistonte qartë në luftimin e kishës katolike shqiptare, e cila nga Sulltani konsiderohej si agjenturë e armiqve evropianë brenda Perandorisë.

“Për dy shekuj më pas, nën presionin strukturor sllavo-ortodokso- otoman, krishterimi katolik në Kosovë do të kthehej në një gërmadhë të plotë. Kjo është arsyeja pse sot në Kosovë manastiret ortodokse janë në gjendje shumë të mirë, ndërsa kishat katolike të mesjetës jo më shumë se një grumbull gërmadhash të mbuluara nga dheu dhe vegjetacioni. Krejt çfarë ka mbetur prej tyre është një kujtesë e vagullt popullore në formën e toponimeve”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Bernd J. Fischer është profesor Emeritus i Historisë në Universitetin Purdue, Fort Wayne. Ai është autor ose redaktues i veprave të shumta për Shqipërinë dhe Ballkanin, më së shumti Mbreti Zog dhe Lufta për Stabilitet në Shqipëri (1984), Shqipëria në Luftën 1939-1945 (1999) dhe Të Fortët e Ballkanit: Diktatorët dhe sunduesit autoritarë të juglindjes. Evropa (2006). Është anëtar i huaj i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Oliver Jens Schmitt është profesor i Historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës. Ai është autor i monografive të shumta në gjermanisht mbi historinë e Ballkanit, duke përfshirë Skënderbeun (2009), Shqiptarët (2012) dhe Ballkani në shekullin e 20-të: Historia post-imperiale (2019). Që nga viti 2017 ai ka shërbyer si President i Divizionit të Shkencave Humane dhe Sociale dhe si drejtues i Departamentit të Studimeve Ballkanike në Akademinë Austriake të Shkencave. Është anëtar i huaj i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Ndryshe, më të zëshmit dhe kundër që pronat e dy ndërmarrjeve shoqërore t'i kalojnë në pronësi Manastirit të Deçanit, janë Lidhja e Historianëve të Kosovës, dega në Deçan, e cila thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dy ndërmarrjet "Apiko" dhe "Iliria", është i bazuar në kohën e masave të dhunshme, andaj sipas tij, është precedent i rrezikshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat