Presidenti Meta kundër ndryshimit të kufijve – Osmani ka një porosi për Serbinë

Aktuale

Presidenti Meta kundër ndryshimit të kufijve – Osmani ka një porosi për Serbinë

Më: 22 korrik 2022 Në ora: 07:07 Përditësuar në ora: 11:54 më 22.07.2022
Foto nga vendi i ngjarjes

Meta: Mund të kisha bërë më shumë për Kosovën, nëse do të kisha më pak probleme të brendshme

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se kontributi i tij për Kosovën do të ishte më i madh, nëse problemet e brendshme në vendin e tij do të ishin më të pakta.

Në konferencën e përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Meta u shpreh i sigurt se pasardhësi i tij do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën.

Meta tha se nuk pranon asnjë falënderim që i bëhet nga krerët e Kosovës pasi ndihmën për shtetin tha se e ka obligim moral e kushtetues.

Ai shprehu keqardhje duke thënë se nuk ka bërë më shumë për Kosovën, megjithëse premtoi se që kur zyrtarisht largohet nga detyra, do të angazhohet më shumë për Kosovën.

Nuk pranoj asnjë falënderim për arsye se kam bërë detyrë kushtetuese por edhe morale siç e ka edhe çdo qytetar i Shqipërisë dhe e vetmja keqardhje që kam është se mund të kisha bërë edhe me shumë në përkrahjen e Kosovës nëse do të kisha më pak probleme të brendshme në vendin tim gjatë këtyre 5 vjetëve. Por ju jap fjalën se nga dita e hënë, 25 në mëngjes, do të bëj shumë herë më tepër edhe për Kosovën”, tha ai.

Ajo që dua sot të ju falënderoj është për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur me ju dhe me gjithë institucionet e Kosovës e që do vazhdojnë në të ardhmen. Jam i bindur se edhe presidenti i zgjedhur i Shqipërisë do të vazhdojë këtë traditë shumë pozitive. Është e rëndësishme ta theksojmë këtu vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë sepse ajo çimentoi pavarësinë e Kosovës dhe rrugën e lirisë në të cilën hyri Kosova”, tha tutje Meta.

Osmani: “Mbetjet” e Millosheviqit ende janë në Serbi

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se për luftën çlirimtare të Kosovës, UÇK-në e gjenocidin e kryer në Kosovë nga Serbia, nuk janë të nevojshme rezolutat pasi konfirmohet përditë një gjë e tillë.

Ajo u pyet nga mediat për rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë lidhur me raportin e Dick Martyt, e për çka u përgjigj se historia nuk mund të zhbëhet.

Osmani theksoi se edhe sot në Serbi ekzistojnë mbetjet e mendësisë së Millosheviqit.

Kuvendi i Shqipërisë ka shprehur atë që secili shqiptar e ka thënë deri sot, që lufta çlirimtare e Kosovës, lufta çlirimtare e UÇK-së nuk mund të zhbëhet nga askush. Kosova asnjëherë nuk ka pasur çfarë të fsheh sepse e ka mbrojtur vetveten nga një regjim gjenocidal i udhëhequr nga Millosheviqi, mbetjet e të cilit akoma janë në Serbi, në kontekst të mentalitetit”, tha ajo.

Osmani theksoi se Dick Marty ka tentuar ta shtrembëroj të vërtetën, teksa se Serbia përmes komplotesh përpiqet ta fajësojë Kosovën.

Dick Marty ka tentuar të shtrembëroj të vërtetën që ka ndodhur në Kosovë, një luftë gjenocidale e Serbisë kundër popullit të Kosovës, por përgjigjen e ka marrë edhe nga vet prokurorë të Speciales. Serbia edhe sot vazhdon që të përgatisë lloj-lloj komplotesh e lloj-lloj sulmesh siç kanë tentuar kundër vetë Martyt që ta fajësonte më pas Kosovën, të gjitha këto vërteta ne i themi në çdo cep të botës”.

Osmani u pyet për vizitë tek të akuzuarit e Gjykatës Speciale që po mbahen në Hagë. Tha se nuk kanë rëndësi vizitat sa të sigurohet shteti që ata që po akuzohen të kenë mbrojtjen e nevojshme.

“Ne nuk harrojmë. Kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej Gjykata Speciale para disa vitesh. Nuk e harrojmë, sado që dikush mund të ketë një dëshirë të tillë”.

​Meta: Mezi pres të duartrokas një marrëveshje Kosovë - Serbi

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tha se me padurim pret arritjen marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, që çon në normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe përfshin njohjen reciproke.

Në një konferencë për media, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Meta tha se Kosova u provua që është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe se me të gjitha shtetet ka marrëdhënie të mira.

“Mezi presim të duartrokasim një marrëveshje qe qon jo vetëm normalizimit por edhe njohjes reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo është në interes të të gjithë rajonit. Dua t’iu përgëzoj dhe t’iu nxisë për të ecur në ketë rrugë për të evituar çdo provokim”, tha ai.

Presidenti i Shqipërisë në largim tha se nga e hëna do të bëjë më shumë për Kosovën. 

​Osmani: Meta zë i fuqishëm kundër ndarjes së Kosovës dhe ndryshimit të kufijve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka falënderuar presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, për siç ka thënë ajo, që ka qenë zëri i Kosovës aty ku shteti nuk ishte i përfaqësuar. Këtu Osmani ka përmendur çështjen e ndryshimit të kufijve si ide të rrezikshme, çka sipas saj, kanë arritur që bashkërisht t’i japin fund.

E para e shtetit ka thënë se objektivi i qartë i Kosovës mbetet anëtarësimi në strukturat euroatlantike në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Sipas saj, fakti që Shqipëria është pjesë e NATO-s ka krijuar siguri më të madhe për rajonin dhe se kjo siguri do të rritet edhe tej kur Kosova të bëhet pjesë e kësaj aleance.

Osmani ka folur në një konferencë për media, pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta të cilin e ka falënderuar për siç ka thënë ajo përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën.

Osmani: Pasojat e aventurave të rrezikshme për ndryshim kufijsh po ndihen edhe sot e kësaj dite

“Zëri ynë aty ku ne nuk jemi përfaqësuar, e në veçanti zë i fuqishëm kundër tendencave për ndarje të Kosovës e për ndryshim kufijsh, ide e aventura këto të rrezikshme, pasojat e së cilave po ndihen edhe sot e kësaj dite, por të cilave bashkërisht u kemi dhënë fund. Gjatë udhëheqjes suaj kemi pasur një bashkëpunim dhe koordinim të shkëlqyeshëm gjë për të cilën dua të ju falënderoj. Kam besimin e plotë që në angazhimin e mëtejmë tuajin sërish do të vazhdoni të jeni zëri i Kosovës aty ku u jepet mundësia”, ka thënë Osmani.

Ndërsa presidenti Ilir Meta ka thënë se do të bënte më shumë për Kosovën nëse nuk do të kishte më pak probleme të brendshme në Shqipëri.

Meta: Do të kisha bërë më shumë për Kosovën nëse do të kisha më pak probleme të brendshme në vendin tim

“Nuk pranoj asnjë falënderim për arsye sepse kam bërë detyrën kushtetuese por edhe morale siç e ka edhe çdo qytetar i Shqipërisë dhe e vetmja keqardhje që kam është që mund të kisha bërë edhe më shumë në përkrahjen e Kosovës nëse do të kisha më pak probleme të brendshme në vendin tim gjatë këtyre pesë viteve. Por ju jap fjalën se nga dita e hënë, 25 në mëngjes, do të bëjë shumë herë më tepër edhe për Kosovën”, ka thënë Meta. 

Meta përmend emrin e presidentes Osmani si shembull i lidhjes vëllazërore mes shqiptarëve

Presidenti shqiptar Ilir Meta në një konferencë për media së bashku me homologen Vjosa Osmani, ka folur për krizën humanitare të luftës 99 dhe dëbimit të shqiptarëve të Kosovës për në Shqipëri.

Ai ka marrë shembullin e emrit të presidentes Vjosa Osmani si lidhje vëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Fakti që kemi kaq shumë emra Vjosa, Vlora, Berat, Saranda, Shkumbin kjo tregon se sa e fortë është vëllazëria jonë për njëri tjetrin është aq e fortë siç ishte lidhja e Abdyl Frashërit”, tha Meta.

Ai ka përshkruar vizitën e bërë në Kukës të refugjatëve nga Kosova së bashku me ministren e Brendshme të Italisë në vitin 1999.

“Duke ardhur dje për në Prishtinë, po mendoja ato katër javët e para të situatës në Kukës pas fillimit të ndërhyrjes së NATO-s më 24 mars 1999 ditën që unë bëja 30 vjet dhe pata fatin e mirë të mos e festoja atje ku e kisha planifikuar dhe kujtoj ato pamje të pabesueshme për javë të tëra të nënave të moshuarve të fëmijëve që vinin të shpëtonin jetën e tyre ishin javë të tmerrshme sepse UNHCR kishte marrë masa për të përballuar krizën humanitare. E para vizitore që erdhi në Kukës ishte ministrja e Brendshme e Italisë dhe vajtëm vizituam një familje kuksiane me dhjetëra të moshuar fëmijë dhe asaj i bëri përshtypje një vajzë që qante dhe e pyeti si të quajnë Saranda mua më bëri shumë përshtypje sepse është një emër shumë i veçantë dhe shpresoj që ajo vajzë të mos i ketë humbur prindërit e saj por në fund të fundit ka pasur një garë të madhe në Kosovë për të çuar sa më shumë Saranda në Sarandë”, tha Meta.

Ilir Meta, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët për media

Pas takimit, me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët për media, tha se presidenti Meta ishte zë i fuqishëm kundër tendencave për ndarje të Kosovës dhe ndryshim kufijsh

Osmani tha se Meta po e përmbyll mandatin si president, duke vizituar Kosovën e motrave dhe vëllezërve të tij.

“Dua të uroj Shqipërinë që para pak ditësh së bashku me Maqedoninë e Veriut bënë një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, në familjen evropiane, aty ku e ka vendin edhe Kosova”, tha Osmani.

“Zoti president keni qenë zëri ynë aty ku nuk jemi përfaqësuar. Në veçanti keni zë i fuqishëm kundër tendencave për ndarje të Kosovës dhe ndryshim kufijsh. Ide e aventura këto të rrezikshme, pasojat e të cilave po ndihen edhe sot, por të cilave bashkërisht u kemi dhënë fund”, tha Osmani.

“Ju i keni dhënë mbështetje Kosovës gjatë udhëheqjes suaj, dhe kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Sërish do të vazhdoni të jeni zëri i Kosovës ku iu jepet mundësi. Miqësia e bashkëpunimi do të mbesin të përhershme. Është e nevojshme që marrëveshjet ndërqeveritare të zbatohen edhe në praktikë”.

“Agjenda jonë mbetet e fokusuar në konsolidimin e vendit tonë si vend sovran dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik. Kosova po punon për të përgatitur aplikimin për statusin kandidat. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë në funksion të paqes. Ajo çka na bashkon është e ardhmja euroatlantike”, tha Osmani.

Ajo tha se Kosova ka qenë dhe mbetet shtëpia e dytë e presidentit Meta, prandaj është i mirëseardhur kurdo.

Me ceremoni shtetërore presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta

Me ceremoni shtetërore presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, me rastin e përmbylljes së mandatit të tij.

Pas takimit ku mediat mund të marrin vetëm pamje, Osmani dhe Meta do të kenë edhe konferencë të përbashkët për medie.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në orën 11:05 do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kurse, në 11:50 Meta do të adresohet me një fjalim në një seanca të veçantë para deputeteve të Kuvendit.

Në 12:15 presidenti shqiptar do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta po qëndron në Kosovës me ftesë të presidentes, Vjosa Osmani.

Meta viziton Kosovën

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta do qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë, me rastin e përmbylljes së mandatit të tij.

Ai vjen në Kosovë me ftesë të presidentes Vjosa Osmani.

Kjo e fundit e pret të parin e shtetit shqiptar, të premten, në orën 09:00, me ceremonitë më të larta shtetërore në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.

Pas ceremonisë së pritjes, Presidentja Osmani Sadriu zhvillon takim me presidentin Meta, si dhe në fund të takimit mbajnë konferencë të përbashkët për media”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ndërkohë, Meta në orën 11:50 do t’i adresohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës në një seancë të veçantë. Ndërsa, në orën 19:50, presidentja Osmani dhe presidenti Meta marrin pjesë në hapjen solemne të eventit Manifesta.

Policia e Kosovës nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditura angazhimet e saj për përcjelljen dhe sigurinë e presidentit Meta.

Në kohën e ardhjes (pasdite) me 21 korrik, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme, në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë eskorta. Po ashtu edhe në ditën e kthimit, më 23 korrik, sipas agjendës zyrtare do të ndërmerren veprimet e njëjta policore, të lëvizjes së eskortës, në rrugët të cilat përdoren për qarkullim të eskortës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Me këtë rast, Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat