Adriatik Kelmendi shkon në Hagë për t’i vizituar ish-krerët e UÇK-së

Aktuale

Adriatik Kelmendi shkon në Hagë për t’i vizituar ish-krerët e UÇK-së

Më: 15 korrik 2022 Në ora: 16:12
Adriatik Kelmendi

Gazetari Adriatik Kelmendi ka shkuar në Hagë për t’i vizituar ish-krerët e UÇK-së.

Këtë e ka konfirmuar vetë Kelmendi përmes një shkrimi në llogarinë e tij në facebook.

Kelmendi përmendi edhe faktin se procedurat gjyqësore për krerët e UÇK-së po zgjasin përtej çdo afati ligjor dhe janë ndesh me Kushtetutën e Kosovës. Për këtë, Kelmendi tha se është krejtësisht joprofesionale.

“Gjithmonë jam angazhuar për viktimat dhe për drejtësinë. Vazhdoj të angazhohem për viktimat dhe për drejtësinë”, shkroi ndër të tjera Kelmendi.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kelmendit:

Në emër të drejtësisë!

Sapo përfundova vizitat te Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi në Hagë, ku e takova edhe Kadri Veselin.

Dy herë e kam intervistuar dhe kam dëgjuar argumentet e Presidentes së Dhomave të Specializuara, gjyqtares Ekaterina Trendafilova, me të cilën kemi dakorim edhe për një intervistë të tretë.

Disa herë i kam intervistuar dhe kam dëgjuar argumentet e avokatëve ndërkombëtarë dhe vendorë të të akuzuarve.

Vazhdoj ta mendoj, ta shkruaj dhe ta them me zë të lartë atë që ua kumtoj edhe diplomatëve të huaj dhe kujtdo që i intereson, se:

- Kjo gjykatë është e njëanshme se është bërë kundër një etnie, asaj shqiptare, dhe si e tillë është e paprecencë në analet e drejtësisë;

- Është nisur me një supozim për krime të caktuara si “trafikimi i organeve”, por ka përfunduar me aktakuzë krejt gjithpërfshirëse;

- Është e çuditshme se me krimet e supozuara të ndërlidhura me luftën janë marrë Gjykata e OKB-së në Hagë, gjykatat e UNMIK-ut, ato të EULEX-it, gjykatat vendore dhe gjykatat e Serbisë, por tash u desh të krijohet edhe një kreaturë hibride që fillon me diçka e trajton krejt tjetërçka;

- Është krejtësisht joprofesionale që procedurat gjyqësore të zgjasin përtej çfarëdo afati ligjor dhe të bien ndesh edhe me Kushtetutën e Kosovës, me ligjet e së cilës është themeluar dhe askush të mos thirret në përgjegjësi për këto lëshime;

- Dhe se, mbi të gjitha, gati 25 vjet pas fillimit të luftës, në procese gjyqësore janë disa shqiptarë që luftuan për t’u çliruar nga krimet e Millosheviqit, kurse Millosheviqi nuk u dënua kurrë dhe serbë të niveleve të larta nuk ka nëpër gjykata për krimet e shumë luftërave që kanë zhvilluar.

Gjithmonë jam angazhuar për viktimat dhe për drejtësinë. Vazhdoj të angazhohem për viktimat dhe për drejtësinë.

Por të gjithë e dimë se nganjëherë është një vijë shumë e hollë që ndan drejtësinë me padrejtësinë. Se duke mos pasur kujdes, mund të shkaktohen viktima të tjera.

E pastaj në vend të drejtësisë arrijmë - padrejtësinë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat