Paralajmërohet fillimi i një vale të re me COVID-19| Infektologu Ramadani kërkon vaksinimin antiCOVID

Aktuale

Paralajmërohet fillimi i një vale të re me COVID-19| Infektologu Ramadani kërkon vaksinimin antiCOVID

Më: 8 korrik 2022 Në ora: 21:30
Hamdi Ramadani

Numër i madh i të infektuarve me COVID-19 është shënuar ditëve të fundit në Kosovë.

Nga Ministria e Shëndetësisë sot ka njoftuar se qytetarët mbi 60 vjeç mund të vaksinohen edhe me dozën e katërt kundër COVID-19.

Sipas Ministrisë ky rekomandim i Komitetit është mbështetur në rekomandimet rreth vaksinimit COVID-19 të dhëna nga organizatat kredibile ndërkombëtare si EMA dhe CDC.

“Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës ka miratuar rekomandimin e Komitetit për imunizimin e popullatës me vaksinën kundër COVID-19 për lejimin e vaksinimit me dozën e katërt të grup-moshës së popullatës mbi 60 vjeç, të paktën 4 muaj pas marrjes së dozës së tretë”, thuhej në njoftimin e MSH-së.

Ndërsa infektologu Hamdi Ramadani në një prononcim për Demokracia.com tha se qytetarët nuk duhet të hezitojnë që të vaksinohen edhe me dozën e tretë kundër COVID-19.

Sipas tij faktor i rritjes së infektimeve është numri i madh i njerëzve të mbledhur në restorante, qendra tregtare, pa distancë dhe higjienë të nevojshme kolektive.

“Kjo situatë e krijuar, e paraqitur, e rritjes së rasteve për ekspertët e fushës së mjekësisë veç ka qenë edhe e pritur, edhe e njohur për faktin se 3 javë e sa në vendin tonë është një numër i madh i fluksit të qytetarëve, mërgimtarëve, të cilët punojnë përkohësisht në vende të ndryshme jashtë vendit, në Evropë, në vende të tjera. Nuk e kam të qartë, për shkak se pse qytetarët tanë ende po hezitojnë, nuk vrapojnë, nuk e marrin dozën e tretë të vaksinës, kur mendoj, vaksina është e pranishme, është e rezervuar, ekipet e vaksinimit janë duke funksionuar, kjo vaksinë i ka kaluar të gjitha ato fazat e kontrollit, verifikimit, është e certifikuar nga organizmat ndërkombëtarë shëndetësorë”, tha Ramadani.

Ministria e Shëndetësisë sipas të dhënave të Instituti Kombëtarë të Shëndetësisë Publike ka njoftuar se gjatë 24-orëve 407 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

Numri i rasteve aktive ka arritur në 1 mijë e 860. Ndërsa gjatë 24-orëve të fundit janë vaksinuar 74 qytetarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat