​Shënohet Dita e Shtetësisë së Sllovenisë

Aktuale

​Shënohet Dita e Shtetësisë së Sllovenisë

Më: 21 qershor 2022 Në ora: 23:06
Foto ilustrim nga vendi i ngjarjes

Në manifestimin e organizuar nga Ambasada e Sllovenisë në Prishtinë, me rastin e 31-vjetorit të Ditës së Shtetësisë sllovene, kryeministri Albin Kurti shprehu përkushtimin e Kosovës për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore.

Kurti me këtë rast në emër të qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës uroi Ditën e Shtetësisë së Sllovenisë.

Ai tha se Sllovenia sot mbetet një nga modelet më të suksesshme për t’u ndjekur në rrugën e zhvillimit dhe progresit, duke u bazuar në vlerat më të avancuara të demokracisë.

“Nga perspektiva historike, mund të themi lirisht se përpjekjet e suksesshme të popullit slloven për arritjen dhe konsolidimin e shtetësisë në fillim të viteve ‘90, ishin një udhërrëfyes frymëzues edhe për popujt e tjerë në rajonin tonë, në luftën për liri dhe pavarësi”, tha kryeministri Kurti.

Duke vlerësuar raportet Kosovë-Slloveni, Kurti evokoi kujtime nga koha kur kishte lexuar novelën “Shërbëtori Jernej dhe e drejta e tij” të shkrimtarit slloven Ivan Cankar, që përputhej me kohën e fjalimit të presidentit të atëhershëm slloven Milan Kuçan, në mbështetje të grevës së minatorëve të Trepçës, më 27 shkurt 1989.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Sllovenisë dhënë Kosovës në të gjitha etapat, duke qenë shteti i parë i dalë nga Jugosllavia që e ka njohur zyrtarisht Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë.

Ai gjithashtu vlerësoi lart mbështetjen e Sllovenisë për proceset integruese të vendit tonë në strukturat euro-atlantike, liberalizimin e vizave, si dhe për anëtarësimin në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, duke thënë se Sllovenia mbetet një prej partnerëve të rëndësishëm për Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat