​Kurti bashkëbisedoi me përfaqësuesit e komunitetit egjiptian

Aktuale

​Kurti bashkëbisedoi me përfaqësuesit e komunitetit egjiptian

Më: 21 qershor 2022 Në ora: 18:14
Foto ilustrim

Në prag të Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian në Kosovë, kryeministri Albin Kurti, bashkëbisedoi me përfaqësuesit e këtij komuniteti.

Duke i falënderuar për kontributin shumë të vlefshëm në ndërtimin e Kosovës, kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për gatishmërinë e përfaqësuesve të komunitetit për të vazhduar bashkëpunimin me Zyrën e Kryeministrit.

Kurti theksoi se Zyra për Çështje të Komuniteteve ka 1 milion e gjysmë euro fonde për komunitete dhe se gjatë verës do të hapet një thirrje tjetër për aftësimin dhe punësimin e pjesëtarëve të komuniteteve. 

Si hap të rëndësishëm për realizimin e kuotës për punësim në institucione, siç e parasheh ligji, ai veçoi miratimin e vendimit për krijimin e ekipit ndërinstitucional për punësimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Kurti potencoi nismat e tjera që do të ndikojnë në punësimin e komunitetit egjiptian, siç janë bursat për 100 nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për studime në Fakultetin e Edukimit. 

“Gjithashtu, Ministria e Arsimit ka ndarë edhe 500 bursa për studentë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në drejtime të tjera të studimeve, pra përveç edukimit”, tha ai.

Në tryezën e përbashkët morën pjesë edhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deputeti i Kuvendit Fridon Lala, këshilltarja e kryeministrit Elizabeth Gowning, përfaqësues politikë, përfaqësues të institucioneve e të shoqërisë civile si dhe shërbyes civilë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat