​Koalicioni i OJQ-ve për vlerësimin e kandidatëve për kryeprokurorë të shtetit: Arsyetime të cekëta

Aktuale

​Koalicioni i OJQ-ve për vlerësimin e kandidatëve për kryeprokurorë të shtetit: Arsyetime të cekëta

Më: 21 qershor 2022 Në ora: 15:15
Foto ilustrim

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, të cilët kishin hedhur dyshime për procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit, tashmë thonë se parregullsitë dëshmohen më së miri edhe nga formularët e vlerësimeve të kandidatëve (fletëpoentimet) nga secili anëtar i panelit intervistues.

Këto fletëpoentime, këto organizata thonë se kanë arritur t’i sigurojnë përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), pasi që Këshilli Prokurorial nuk ishte përgjigjur fare në Kërkesën për Qasje në Dokumente Publike.

Pas analizimit të fletëpoentimeve të secilit anëtar të panelit intervistues, për secilin kandidat për kryeprokuror të shtetit, ky koalicion i OJQ-së ka vërejtur se arsyetimi i vlerësimit për secilën kategori poentuese është i cekët dhe i mungon analiza e duhur, dhe është në kundërshtim të plotë me Udhëzuesin për nenet 13 dhe 14 të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit dhe Kryeprokurorëve, të miratuar nga vetë KPK. 

“Anëtarët e panelit intervistues nuk kanë arritur që të japin një arsyetim analitik për vlerësimin e bërë, duke dhënë thjeshtë arsyetime sipërfaqësore, pa një analizë të mirëfilltë dhe arsyetim bindës për vlerësimin e bërë. Edhe pse arsyetimi dhe argumenti do duhej të organizohej në atë formë që sa më shumë të jetë bindës dhe po ashtu për ta mbrojtur vet poentimin e anëtarit, megjithatë paneli intervistues nuk ka arritur që të ndërtojë një arsyetim të tillë, pasi poentimi i këtyre anëtarëve nuk përputhet me arsyetimin e dhënë dhe kjo më së miri vërehet në disa kategori poentuese ku arsyetimi i anëtarit është plot me lavde dhe pa asnjë vërejtje dhe më pas kandidatit i hiqen disa pikë, pa treguar arsyen se pse po i hiqen ato pikë dhe ku ka dështuar kandidati”, thuhet në deklaratëne përbashëkt të këtyre organizatave.

Sipas Udhëzuesit të lartpërmendur, për të siguruar një qasje të drejtë, të qëndrueshme dhe meritore, ky koalicion i OJQ-ve, thotë se anëtarët e panelit duhet të marrin shënime rreth përgjigjeve të pyetjeve dhe ta përdorin atë informacion për të vendosur se çfarë standardi ka arritur kandidati në lidhje me kompetencën specifike në shqyrtim. 

“Me arsyetime kaq të cekëta, më nga vetëm një faqe për kandidat, me minimum fjalish për një kategori poentuese, në raste të caktuara vetëm me një fjali, tregohet qartë se anëtarët e panelit intervistues të KPK-së, të japin përshtypjen se këtë proces e kanë zhvilluar shkel e shko, pa i dhënë kohën dhe rëndësinë që i takon këtij procesi, si dhe nuk kanë arritur të përçojnë në publik bindjen se vlerësimi i bërë për kandidatët ishte adekuat, i bazuar në intervistë dhe çka është më e rëndësishmja duke cenuar meritokracinë e procesit”, vijon komunikata.

Po ashtu, thuhet se, në arsyetimin e fletëpoentimeve, është parë se anëtarët e panelit intervistues nuk i kanë as vetë të qarta kompetencat e kryeprokurorit të shtetit dhe ato të Këshillit Prokurorial, pasi në arsyetimin e tyre, kandidati vlerësohet se nuk ka treguar vizion, strategji dhe aftësi menaxhuese për sfidat e përgjithshme në sistemin prokurorial të cilat janë në kompetencë të KPK-së si organ kolegjial dhe asesi kompetencë dhe përgjegjësi e kryeprokurorit të shtetit. 

“Lidhur me këtë problematikë Koalicioni edhe në raportin e publikuar për procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit kishte theksuar se shumë pyetje në formularin e Koncept Dokumentit ndërlidhen me proceset që janë kompetencë e KPK-së e jo e kryeprokurorit të shtetit. Si përfundim, gjetjet e kaluara të Koalicionit se, mes tjerash, Rregullorja për emërimin e kryeprokurorit të shtetit dhe kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës si dhe Udhëzuesi përkatës nuk kanë gjetur zbatim adekuat në vlerësimin e kandidatëve, duke dështuar të sigurohet integriteti dhe meritokracia e procesit, kjo rikonfirmohet edhe pas sigurimit të fletëpoentimeve të anëtarëve të panelit intervistues. Prandaj, Koalicioni vazhdon të insistojë se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit duhet të kthehet në pikën zero, në mënyrë që të garantohet integriteti dhe meritokracia e procesit”, përfundon komunikata.

Të njëjtat organizata më 24 mars prezantuan raportin “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe i vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit)”, ku në këtë raport si dhe në vazhdimësi, koalicioni e shihte të domosdoshme që procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit të kthehej në pikën zero, duke vlerësuar që Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kishte dështuar të siguronte integritetin dhe meritokracinë e këtij procesi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat