Vuçiqi duhet të dëshmojë edhe për masakrat e zhdukjen e fëmijëve shqiptarë

Aktuale

Vuçiqi duhet të dëshmojë edhe për masakrat e zhdukjen e fëmijëve shqiptarë

Nga: Latif Mehmeti Më: 8 qershor 2022 Në ora: 13:33
Foto ilustrim

Një ditë më herët në media u raportua se ish-prokurori i Serbisë për krime lufte, Vladimir Vukçeviq, kishte kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të tregojë se kush janë autorët e vrasjes së 6 të rinjve serbë më 1998 në kafenenë “Panda” në Pejë.

Parimisht, ne jemi për hetimin e çdo vrasje që është kryer nga kushdo që e ka kryer, ndaj civilëve të pafajshëm.

Por, është një problem këtu, jo problem i vogël, po i madh me drejtësinë e Serbisë, që edhe më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës vazhdon ta ketë mendësinë fashiste.

Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë 1 mijë e 432 fëmijë, të dhëna këto të faktuara nga Nysret Pllana në librin e tij.

A nuk do të duhej të dëshmonte Vuçiqi edhe për vrasjen e këtyre fëmijëve, sepse ka qenë njëri nga ndihmësit e kasapit të Ballkanit, Millosheviqit.

Vuçiq di shumëçka për vrasjet që kanë ndodhur ndaj civilëve në Kosovë, di për zhdukjet e civilëve, di për trupat e tyre ku janë djegur nëpër shkritore të fabrikave.

Andaj ish-prokurori, që është veç një palaço i pushtetit fashist të Serbisë, duhet t’ia bënte një kërkesë Vuçiqit të tregonte ku janë zhdukur shqiptarët e pafajshëm që u vranë e u masakruan nga ushtria gjenocidiale e Serbisë.

Sa për t’ia kujtuar këtij ish-prokurori, 78 fëmijë shqiptar janë gjetur në varrezat masive në Serbi. Vetëm në Batajnicë në varrezën B1 janë gjetur trupat e 9 fëmijëve, në mesin e tyre edhe një fetus 8 muajsh.

Edhe 99 fëmijë janë ende të zhdukur. Familjarët e tyre presin të paktën eshtrat t’iu gjenden, sepse shpresën për drejtësi e kanë humbur, përball një pushteti krejtësisht fashist që është në Serbi që nga viti 1999 dhe nuk ndihmon aspak në zbardhjen e masakrave që janë kryer në Kosovë ndaj popullsisë civile.

Podujevë,

Më 08 Maj 2022 Shoqata për Persona të Zhdukur dhe Viktima të Luftës ‘’Përkorë” në Podujevë

Latif Mehmeti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat