​“Sokoli ka qenë me tetë plagë në trup dhe pastaj për t’i qepur plagët...”/ Hadri përfundon dëshminë në gjykimin ndaj Mustafës

Aktuale

​“Sokoli ka qenë me tetë plagë në trup dhe pastaj për t’i qepur plagët...”/ Hadri përfundon dëshminë në gjykimin ndaj Mustafës

Më: 12 maj 2022 Në ora: 10:44 Përditësuar në ora: 14:25 më 12.05.2022
Teuta Hadri

​Dëshmitarja Canolli-Kaçiu thotë se nuk ka pasur persona të ndaluar në Zllash

Ibadete Canolli-Kaçiu është dëshmitarja e radhës e mbrojtjes së Salih Mustafës në Hagë, e cila gjatë dëshmisë në Dhomat e Specializuara ka thënë se ka qëndruar në fshatin Zllash nga data 16 deri më 21 prill të vitit 1999.

Dëshmitarja, e cila ka qenë pjesë e UÇK-së si punëtore shëndetësore, i ka thënë trupit gjykues që Salih Mustafën në këtë fshat e ka takuar vetëm më datë 21 kur sipas saj po i zhvendosnin të plagosurit për në Majac. Ajo ka deklaruar se në Zllash nuk ka pasur njerëz të ndaluar apo të cilët janë maltretuar.

Ibadete Canolli-Kaçiu ka treguar se deri në mars 1999 ka jetuar në Prishtinë ku edhe ka punuar në qendrën rehabilituese të drejtuar nga Flora Brovina.

Ajo ka thënë se punën e ka ndërprerë me fillimin e bombardimeve më 24 mars 1999, ndërsa më datën 31 të atij muaji serbët i kanë detyruar të shpërngulen nga Prishtina.

Dëshmitarja ka thënë se deri më 16 prill ka qëndruar në fshatin Mramor, në shtëpinë e Afrim Gashit, ndërsa ka shtuar se nga aty me vullnetin e saj i është bashkuar gueriles BIA dhe po me atë datë ka shkuar në Zllash.

Canolli, e cila edhe më herët kishte dhënë kontribut në UÇK, ka theksuar se deri në Zllash ka shkuar në këmbë, e shoqëruar nga disa ushtarë.

Nga avokati mbrojtës Betim Shala ajo është pyetur rreth objektit në të cilin ka qëndruar në Zllash, ndërsa ka thënë se aty kanë qenë disa shtëpi të shpërndara.

Canolli: Isa Kastratin e kam takuar në Zllash

“Në fund të oborrit ka qenë një bunar aty afër e kam takuar Isa Kastratin. Isa Kastrati ka qenë udhëheqës i gueriles, të cilin e kam takuar edhe në Prishtinë. Në objektin e sipërm që ka qenë afër bunarit, ka qenë një objekt pak më i ri, sigurisht i ndërtuar më rishtas, aty ka qenë një dhomë me një ndarje të vogël, në atë dhomën e vogël e kam pasur një barnatore të vogël dhe një shtrat ku aty kam qëndruar”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se aty pranë ka qenë një kuzhinë mbi të cilën sipas saj kanë qenë dhomat ku kanë qëndruar ushtarët e UÇK-së.

Dëshmitarja ka theksuar se nuk ka qenë ndonjëherë në pjesën e sipërme, ndërsa në kuzhinë ka thënë se kishte hyrë vetëm njëherë.

Ajo ka thënë se ka qëndruar në të njëjtin objekt me familjen e Fatmir Humollit.

Canolli: Në Zllash kam qëndruar nga 16-21 prill 1999

Objekti i rinovuar ku unë kam qëndruar në njërën pjesë, ka qenë me ndarje, ndërsa në pjesën tjetër kanë qenë ushtarët dhe dy familje me fëmijë, familja e Fatmir Humollit dhe e plakut, axhës Mejdi. Në mbrëmjen e 16-shit kam filluar menjëherë me pastrimin e ambientit, kanë qenë disa batanije, kam klasifikuar materialin, kam buajt atë natë, me datën 17 tërë ditën kam përgatitur material shpenzues, më datën 18 kanë filluar bombardimet me mëngjes, më datën 20 kemi kaluar natën në një mal mbi shtëpi, në ambient hapur, deri më datën 21 kur i kemi hequr të plagosurit dhe jemi nisur për Majac, do të thotë nga 16 deri më datën 21 (kam qëndruar në Zllash)”, ka thënë dëshmitarja e mbrojtjes.

Canolli ka thënë se Salih Mustafën në Zllash e kishte takuar vetëm më datën 21 prill 1999, ndërsa ka shtuar se atë e kishte takuar më herët në Prishtinë.

Canolli: Salih Mustafën e kam takuar më 21 prill 1999 në Zllash

“Salih Mustafën e kam takuar më datën 21 kur kemi filluar t’i zhvendosim të plagosurit për në Majac. Para shkuarjes në Zllash, në Prishtinë po, ndërsa gjatë ditëve sa kam qëndruar në Zllash jo. Salih Mustafa mesa kujtoj sa ka qenë përgjegjës për sigurimin e civilëve dhe ushtarëve në zonën ku ky ka vepruar dhe këtë përgjegjësi e ka ndarë me doktoreshën Flora Brovina, i kam takuar në ordinancën ku unë kam punuar”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se nuk ka vërejtur roje pranë objekteve në Zllash, ndërsa ka shtuar se aty nuk ka pasur persona të ndaluar.

Avokati Shala: Gjatë kohës sa ju keni qenë në Zllash, a keni parë që ka pasur persona të ndaluar, përkatësisht që kanë qenë të izoluar në një hapësirë të caktuar.

Dëshmitarja Canolli-Kaçiu: Jo.

Avokati Shala: Gjatë kohës ju keni qenë në Zllash a keni parë apo a keni dëgjuar që dikush të jetë maltretuar aty në atë lokalitet.

Dëshmitarja Canolli-Kaçiu: Jo.

Me këtë kanë përfunduar pyetjet e avokatit mbrojtjes ndërsa në pjesën tjetër të seancës Ibadete Canolli-Kaçiu do të përgjigjet në pyetjet e zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ajo është dëshmitarja e 15-të e mbrojtjes në gjyqin ndaj Salih Mustafës në Hagë, i cili është arrestuar më 24 shtator 2020 me pretendimin për krime lufte.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

​Teuta Hadri përfundon dëshminë në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë

Dëshmitarja e mbrojtjes Teuta Hadri ka përfunduar dëshminë e saj para trupit gjykues në rastin ndaj Salih Mustafës në Hagë. Ajo ka thënë se 19 ose 20 maji 1999 ka qenë hera e fundit kur ajo ka qëndruar në Zllash.

Hadri, e cila ka mjekuar të plagosurit gjatë luftës në Kosovë, ka përshkruar edhe rastin e Sokol Sopit, të cilit i kishte ofruar ndihmë mjekësore.

Hadri: Pas ofensivës së 18 prillit e kam mjekuar Sokol Sopin

“Sokoli ka qenë me shtatë tetë plagë në trup, copa të granatave, ai ka qenë në gjendje shumë të rëndë anemike, me ia dhënë infuzionin për ta re-animuar dhe pastaj për t’i qepur plagët... Sa më kujtohet kjo ka qenë me Sokolin pas ofensivës, pasi është bërë ofensiva. Ofensiva ka qenë më datën 18, aty kemi pasur të plagosur të tjerë, më 18 kanë qenë ndoshta dhjetë të plagosur, dy kanë qenë më rëndë. Ndërsa me datë 19 i kanë prurë këta prej një fshati, duhet të jetë 19, 20, nuk e mbaj mend, sepse ka qenë ofensivë dhe kemi qenë të traumatizuar nuk e kemi mbajt mend saktë”, ka thënë ajo. 

Ajo ka thënë se pas ofrimit të ndihmës mjekësore Sokol Sopi dhe të tjerë janë bartur për në zona të tjera.

Hadri: Sokol Sopi ka rënë në pritë 

“Sokol Sopi pastaj është bartë se ofensiva ka filluar dhe ne i kemi bartur për t’i shpëtuar të plagosurit që të mos bien në dorën e serbëve, sepse dihen masakrat që bëhen, pastaj i kemi bartur të plagosurit i kemi dërguar në zona më të lira. Kur ka shkuar në zonë më të lirë fatkeqësisht i ka rënë në pritë të armikut, forcave serbe, ai me Isa Kastratin, edhe unë kam qenë në atë makinë, por kam dalë këmbë, sepse gjuanin granatat direkt në atë makinë dhe kam dalë jashtë, fati im që të vij sot për të treguar. Unë kam shpëtuar, Sokol Sopin me ushtarë të tjerë dhe Isën, tre vetë i kanë vrarë forcat armike, i kanë masakruar”, ka thënë Hadri. 

Në fund të dëshmisë së saj, Hadri ka thënë se me ofensivën e 18 prillit 1999 ishin larguar nga Zllashi për t’u kthyer një ditë më vonë. Por sipas saj, për shkak të sulmeve të forcave serbe, më 20 prill ishin larguar prapë nga ajo zonë.

Hadri: Më 20 prill 1999 jemi larguar nga Zllashi 

“Forcat serbe na ndiqnin në çdo kënd dhe nuk na lanë vend të zbresin me pacientë në Keqekollë, apo Llap, dhe prapë këta ushtarë, ju them trima para trupit gjykues, neve na shpëtuan. Tetë të plagosur i kishim me vete dhe një numër të madh të ushtarëve na kanë kthyer në zonë se Zllashi ishte djeg shkrumb. Ne nuk kemi pasur as vend ku të flemë. Zllashi ka qenë i djegur krejt. Kur jemi kthyer kemi fjetur në trungje të drunjve, dru të kallur, nuk ka pasur as vende, jemi kthyer aty dy orë kemi qëndruar, sepse përsëri forcat serbe kanë hetuar që jemi kthyer në Zllash dhe përsëri na kanë sulmuar dhe jemi tërhequr nga Zllashi, kanë qenë me sa kujtoj dy orë, asgjë nuk kemi parë as shtëpi”, ka thënë ajo. 

Procesi gjyqësor ndaj Salih Mustafës në Hagë do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitares së 15 të mbrojtjes, Ibadete Canolli-Kaçiu.

Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte. Ai po qëndron në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.

Live: Teuta Hadri vazhdon dëshminë në rastin e Sali Mustafës

Dëshmitarja e mbrojtjes, Teuta Hadri do të dëshmojë edhe nesër para turpit gjykues në rastin ndaj Salih Mustafës në Hagë.

Gjatë ditës së parë së dëshmisë, ajo ka thënë se Salih Mustafën e ka takuar dy ose tri herë në prill 1999 në Zllash.

Ndërsa kur është përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorisë, ajo ka thënë se në Zllash nuk janë mbajtur persona dhe sipas saj në ato shtëpi kanë qëndruar pjesëtarët e UÇK-së dhe personeli mjekësor me të plagosurit.

Hadri, e cila është mjeke me profesion, gjatë luftës ka bashkëpunuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës rreth të plagosurve të cilët i ka mjekuar.

<p><iframe allow="accelerometer; autoplay; clipboard-write; encrypted-media; gyroscope; picture-in-picture" allowfullscreen="" frameborder="0" height="318" src="https://www.youtube.com/embed/K-jCwpXJ-MM" title="YouTube video player" width="560"></iframe></p>

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat