Sveçla pranon se ka mungesë të uniformave të policisë, kërkon arrestimin e Radojçiqit

Aktuale

Sveçla pranon se ka mungesë të uniformave të policisë, kërkon arrestimin e Radojçiqit

Më: 29 prill 2022 Në ora: 14:56
Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se sulmet e zyrtarëve policorë në veri janë nxitur për shkak të vendosjes së ligjshmërisë në atë pjesë dhe se kanë qëllim destabilizimin e vendit.

Gjatë raportimit të premten në Komisionin për Siguri, Sveçla paralajmëroi rezultate konkrete për dorasit e këtyre sulmeve. Ai u ballafaqua edhe me deputetin e Listës Serbe, Slavko Smiq për mbylljen e rrugëve ilegale në Leposaviq dhe Zubin Potok.

Këtij të fundit, Sveçla i kërkoi t’i bëjë apel nënkryetarit të partisë, Milan Radojçiq që t’i dorëzohet organeve të drejtësisë në Kosovë, por Simiq tha se atij po i bëhet gjyq politik.

Nga ana tjetër, Sveçla para deputetëve pranoi se ka mungesa të uniformave dhe armatimit të policëve, por u mburr se gjatë 1 viti qeverisje të tij është luftuar krimi dhe korrupsionit.

Sveçla: Sulmet janë nxitur për shkak të kthimit të ligjshmërisë në veri

“Brenda dhjetë ditësh policia kufitare është sulmuar gjashtë herë me granata dore, kallashnikov dhe mjete të tjera shpërthyese. Këto veprime konsiderojmë se janë nxitur për shkak të shtrirjes së ligjshmërisë në atë pjesë. Në dukje këto sulme po bëhen për shkak të luftimit të kontrabandës nga ana jonë, siç kemi njoftuar kemi bllokuar disa rrugë për të pamundësuar këtë kontrabandë. Natyrisht këto sulme kanë edhe prapavijë tjetër që synojnë të shkaktojnë panik dhe pasiguri te qytetarët dhe destabilizojnë situatën në vendin tonë... Jam optimist se në një afat shumë të shpejt do të kemi rezultate e duhura në këtë fushë”, theksoi Sveçla.

Aksionet e Policisë së Kosovës në veri dhe mbyllja e disa rrugëve në Leposaviq dhe Zubin Potok, sipas deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq e kanë vështirësuar jetën e qytetarëve në atë pjesë.

Ai shtoi se si përfaqësues politik janë kundër të gjitha formave të kontrabandës dhe mbështesin veprimet kundër tyre.

Simiq: Përmes bllokimit të rrugëve alternative është vështirësuar jeta e banorëve

“Shumica e rrugëve alternative në komunën e Leposaviqit dhe komunën e Zubin Potokut janë ndërprerë dhe ne atë mënyre është vështirësuar jeta e banorëve që jetojmë pranë atyre barrierave policore, ku thjesht kemi të moshuar të cilëve u është vështirësuar apo pamundësuar të shkojnë në spital te mjeku i fëmijëve të shkojnë në shkollë... Si përfaqësues të Listës Serbe jemi kundër të gjitha formave të kontrabandës dhe mbështesin të gjitha këto veprime, por nga ana tjetër në këtë mënyrë dua të tërheq vëmendjen për një akt jo human ndaj popullatës atje dhe kërkojmë nga ju që ato kalime alternative sa më par të hapen”, tha ai.

Mirëpo, ministri Sveçla tha se në të zonë s’ka rrugë alternative, por ilegale. Ai tha se në bashkëpunim me KFOR-in kanë mbyllur sot një gropë, por në të njëjtën rrugë në lokacion tjetër është hapur e njëjta.

Sveçla: Në atë zonë nuk ka rrugë alternative, por ilegale

“Në atë zonë nuk ka rrugë alternative, ka rrugë ilegale të cilat shteti i Kosovës ka vendosur me i mbyllë. Midis dy shteteve nuk mund të ketë rrugë alternative pa marrëveshje të saktë mes dy vendeve. Krejt çka ka bërë Policia e Kosovës është se ka hap pengesa që rrugët që janë hapur ilegalisht të pamundësohen të shfrytëzohen për aktivitete ilegale... Jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjithë akterët, përfshirë edhe KFOR-it dhe nuk ka asnjë aktivitet të njëanshëm të KFOR-it askund. Në aspektin e sigurisë KFOR-i është reaguesi i tretë dhe të gjithë e kanë të qartë. Për veprimin e KFOR-it që ju e përmendët ne si institucione kemi qenë të njoftuar me kohë dhe sa për informatën e juaj tashmë është duke u hapur gropa në një lokacion tjetër në të njëjtën rrugë. Ka qenë çështje teknike pse një pengesë ka qenë këtu dhe nuk është këtu”, tha ai.

Madje, Sveçla kërkoi nga deputeti Smiq që t’i bënë apel nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq t’iu dorëzohet organeve të drejtësisë në Kosovë.

Për Radojçiqin, ministri tha se ka dëshmi për përfshirjen e tij në aktivitete kriminale.

Sveçla: T’i bëni apel zëvendëskryetarit tuaj që të vijë dhe të përgjigjet para organeve të drejtësisë

“Do t’iu lusja që t’i bëni apel zëvendëskryetarit të juaj që të vijë dhe të përgjigjet para organeve të drejtësisë për akuzat që është ballafaquar dhe iu ka ikë. Ka pasur zyrtarë policorë të cilët për shkak të kësaj janë suspenduar. Besoj se nëse ne jemi të angazhuar që ligji të zotërojë këtu, atëherë veprimi i duhur i tij do të ishte t’i dorëzohet organeve të drejtësisë së Kosovës dhe jo të kërkojë hapësirë të sigurt jashtë shtetit”, theksoi Sveçla.

Por, Smiq tha se Radojçiq do të vijë në Kosovë atëherë kur drejtësia do të ndahet nga politika.

Smiq: Radojçiq po i montohen procese politike vite me radhë

“Sa i përket nënkryetarit të Listës Serbe të cilin po e thirrni të vijë këtu, kur të ndani punën e policisë nga puna e drejtësisë, përkatësisht politikës, nga gjyqësia atëherë do të vijë, jo ti montohen procese politike jo vetëm tash por vite me radhë”, tha ai.

Gjatë diskutimeve, kryetari i komisionit për siguri, Bekë Berisha pyeti ministrin për mungesën e uniformave, pancirëve dhe armatimit të policëve.

Berisha: Ka mungesë të uniformave, pancirëve dhe armatimit

“Ka mungesë të uniformave, pancirëve dhe armatimit. Ende nuk është personal dhe bartet dorë më dorë nga ndërrimi në ndërrim. A keni menduar si do ta rregulloni këtë çështje kur e dimë se është bllokuar OShP-ja dhe janë ndalur tenderët”, pyeti Berisha.

Një gjë të tillë e pranoi edhe vet ministri, por tha se janë të angazhuar për zgjidhjen e situatës.

Sveçla: Mungesa e uniformave dhe armatimit si pasojë e bllokimit të OShP-së

“Policia e Kosovës ballafaqohet me vështirësi të cilat janë të mëdha, shumë shpesh të paarsyeshme, por ne po bëjmë çdo gjë që është e mundshme që ato t’i tejkalojmë. Në shumë raste edhe duke u munduar që të maksimizojmë përdorimin e gjitha kapaciteteve të saj. Sa i takon uniformave, armatimit dhe të tjerave, të gjitha këto mungesa janë si rrjedhojë e bllokimit të OShP-së. Në tender të cilët kanë pasur rrjedhën e tyre, shumë prej tyre edhe para se ne të marrim qeverisjen janë bllokuar për shkak të ankesave të operatorëve ekonomik”, deklaroi Sveçla.

Duke folur për arrestimin e policëve të dyshuar për korrupsion dhe ryshfet, ministri theksoi se për të arrestuar oligarkët dhe kriminelët e niveleve të larta duhet forcë kredibile e policisë.

Ai foli edhe për mundësitë e shkarkimit të drejtorit të Policisë së Kosovës.

Sveçla: Për të arrestuar oligarkët dhe kriminelët e niveleve të larta duhet forcë kredibilie

“Qasja ime është se nuk merrem me emrat, por me procese. Një prej kolegëve të juaj ka qenë drejtor i policisë kur unë kam qenë ushtrues detyre i ministrit dhe nuk e kam ndërruar. Edhe drejtorin aktual unë e kam gjetur, nuk e kam ndërruar. Ata do të qëndrojnë ose ndërrohen varësisht prej nevojave të Policisë së Kosovës dhe punës konkrete të tyre... Për të arritur në atë stad ku arrestohen oficerët e lartë, oligarkët, kriminelët e niveleve të larta dhe politikanë që janë të përfshirë në aktivitete kriminale ne duhet të kemi një forcë me kredibilitetit maksimal”, tha ai.

Krahas këtyre, ministri Sveçla tha se gjatë vitit të parë qeverisës janë realizuar rreth 1000 operacione policore dhe janë goditur 50 grupe kriminale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat