“Tokat e Dajës” – Gjykimi që shpërfaq dështimet e Drejtësisë në Kosovë

Aktuale

“Tokat e Dajës” – Gjykimi që shpërfaq dështimet e Drejtësisë në Kosovë

Më: 27 prill 2022 Në ora: 10:26
Azem Syla

Rasti “Toka”, shpërfaq dështimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Ky rast u prezantu si më i madhi i krimit të organizuar por nga 2016 ende nuk ka një epilog. Fillimisht “Toka” ishte në duar të EULEX-it për të kaluar pastaj tek vendorët. Figura Kryesore? Azem Syla- ish-Shef i Shtabit të Përgjithshme të UÇK-së e më vonë deputet i PDK-së.

Hetimi do të zgjaste shumë. Arrestimi në fillim i më shumë se 50 personave do të trondiste opinionin. Dhe, derisa vitet po kalonin rasti fillojë të tkurrje. Dikush u lirua. Dikush edhe vdiq gjatë procesit. Prokurorë e gjykatës do të ndërroheshin. “Tokat”, ky rast i shënjëzuar që mund të ndikojë edhe në procesin e liberalizimit të vizave tek tash po vije në një pikë ku mund të rinisë një gjykim.

Çka ndodhi me këtë hetim që nisi si i madh e tash po degdiset nga një prokuror tek tjetri e nga një gjyqtar tek një tjetër? Nga ndërkombëtarët –tek vendorët? Si u ndërruan 5 gjyqtarë e 5 prokurorë? Sa të akuzuar vdiqën duke pritur një gjykim normal? Për sa prona bëhet fjalë e sa është vlera e tyre?

Çka gjeti hetimi i veçantë për këtë rast dosjen e të cilit e ka InDoks? Si i përmend dëshmitari i mbrojtur i EULEX-it mbi 860 mijë marka të fondit “Vendlindja Thërret” derisa po fliste për rastin “Toka”? Çka u gjet nja Inteligjenca Financiare në një hetim për një tokë krejt tjetër që u ble përmes një OJQ-je? InDoks sjell detaje nga këto dosje.

Është fundi i prillit 2016. Edicionet e lajmeve të mbrëmjes do të raportonin me pompozitet për një operacion të madh të EULEX-it: mbi 50 të arrestuar e në kërkim, dhe mbi 40 vende të bastisura. Reagimet do të ishin prej të gjitha palëve.

Edhe Presidenti Hashim Thaçi do ta përshëndeste këtë operacion e të u bënte thirrje të kërkuarve të dorëzoheshin te organet e drejtësisë ani pse lideri i këtij grupi që atë ditë raportohej të ishte një deputet i PDK-së. Azem Syla.  

Gjashtë vite më vonë nga ai aksion, çfarë ka mbetur nga ky rast?

Në këtë rast, që është ndarë në dy pjesë, janë radhitur në akuzë: Azem Syla, Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Ramadan Uka, Arton Vila, Avdyrrhaman Brajshori, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Sabedin Haxhiu, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Ilaz Syla, Mustafë Haliti, Hajrullah Berisha, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Gani Ademi, Avni Maxhuni, Shqipe Maxhuni, Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Albion Mulaku, Lirim Zeka, Agim Jerlija, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, Bajram Gashani dhe Shaip Krasniqi.

Ashtu siç e thatë edhe ju, unë kam qenë avokat mbrojtës prej fillimit të këtij rasti që quhet rasti Toka. Fillimisht kam qenë avokat mbrojtës i z.Azem Syla pastaj jam i z.Sabedin Haxhiu dhe është e vërtetë që klientët janë ndërru por që duhet më tepër të theksohet janë ndërru edhe vet prokurorët dhe gjyqtarët”, tha Tomë Gashi njëri prej avokatëve.

Gashi ka qenë avokat i angazhuar në këtë rast prej fillimit. Avokati aktual i Azem Sylës në këtë rast, që po akuzohet si lider i këtij grupi kriminal, nuk ka pranuar që të flas për InDoks.

Sigurisht që kur prokurori special respektivisht prokurori i EULEX-it që ka punuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës ka përmendur atëherë dhe i ka potencuar edhe në aktakuzën e tij që sipas prokurorisë dëmi mund të jetë rreth 30 milionë euro dhe duke pasur parasysh një mori objektesh jashtëzakonisht të rëndësishme në biznesin rreth e për çark Prishtinës, këto objekt të cilat janë në këto toka të ndërtuara e bëjnë rastin jashtëzakonisht të madh, e bëjnë rastin i cili do të duhej të gjendej një zgjidhje juridike dhe mendoj që stërzgjatja e madhe e këtij rasti pa marrë një epilog përfundimtar është e dëmshme edhe për vetë ato biznese por është e dëmshme edhe për personat të cilët janë në këtë aktakuzë sepse nuk është normale që një rast me aktakuzë posaçërisht me një aktakuzë të tillë me prioritet, e cila aktakuzë është edhe nën monitorim dhe ky gjykim është nën monitorim edhe të ndërkombëtarëve të Bashkësisë Ndërkombëtare meqenëse është një prej çështjeve të ashtuquajtura të shënjestruara dhe më herët është fol që mund të ketë ndikim edhe në liberalizim të vizave por këto më tepër duket se janë përralla sepse liberalizimin e vizave nuk mund ta sjell përfundimi i një procesi gjyqësor”, u shpreh ai në InDoks.

Firma ku ortak është avokati Artan Qerkini ka mbrojtur të dyshuar në rastin “Toka”, që më vonë u lanë të lirë. Ai për këtë emision ka folur si jurist që e ka parë nga afër edhe tutje këtë rast.Do të isha fokusu fillim tek ato çështjet faktike, pra siç e thatë edhe ju në fillim bëhet fjalë për rastin Toka ku objekt i trajtimit është toka. E ne e dimë se te palujtshmëritë në Kosovë ka pasur shumë probleme, problemi i parë është se librat kadastral janë marrë prej Kosovës nga pushteti i Serbisë dhe janë vendosur në Serbi, pastaj çështja e dytë është informaliteti, kemi pasur shumë raste ku njerëzit i kanë ble pronat, de facto i kanë përdorë mirëpo de jure asnjëherë nuk i kanë evidentuar në emrin e tyre pastaj është problemi tjetër, i cili është edhe faktik edhe ligjor se në vitet e 90-ta nuk është lejuar të bëhet transaksioni pronësor në mes të shqiptarëve dhe serbëve për shkak të ligjeve diskriminuese. Ku me ato ligje është synuar që kinse të ruhet popullata serbe në Kosovë, që të mos i shes pronat tek shqiptarët. Pra ka qenë një ligj diskriminues dhe për shkak të këtyre fakteve, ky rast është mjaft kompleks se nëse e akuzoni dikë që ka bërë magjelzime me prona atëherë dihet se barrën e pronës e ka prokuroria e ato prova thjeshtë janë në Serbi”, tha Qerkini.

Leotrim Gashi nga IKD-ja, që monitoron dhe raporton nga zhvillimet në sistemin e drejtësisë ka treguar për InDoks se çka kanë gjetur ata gjatë monitorimit të këtij rasti.“Mënyra se si është zhvillu në fazën fillestare procesi hetimor ka qenë spektakolar dhe dyshimet kanë qenë se është kry një krim jashtëzakonisht shumë i madh i është shkaktu dëme shumë i madh Buxhetit të Shteti ka pasur zhvatje e pastrim parash, zhvatje të pronave shtetërore duke i kalu në pronat privat dhe pavarësisht kësaj në fazë të më vonshme e kemi pa që ky rast çdo vit e më shumë ka shkuar duke i ra rëndësia e fillimi”, deklaroi ai.

Ai është kritik edhe ndaj vet EULEX-it para se ky rast të u bartej prokurorëve e gjyqtarëve kosovarë.

“Në një aktakuzë kishte vendosur 22 persona në mesin e tyre edhe ish-deputeti Syla dhe në tjetrin 24 persona në të cilin përfshiheshin veprat penale, krim i organizuar, korrupsion, mashtrim në detyrë , nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore, pastrim i parave dhe vepra tjera penale. EULEX pasi kishte ngritur aktakuzën kishte mbajtur një seancë në vitin 2016 dhe pasi kishte konfirmuar aktakuzën kishte kaluar 2 vite derisa kishte filluar faza e shqyrtimit gjyqësor, me vet fillimin e shqyrtimit gjyqësor në vitin 2018 ne e kemi parë neglizhencën fillestare të bërë nga EULEX për shkak se akoma pa filluar gjykimi ishte dashur që të ndërrohet kryetari i trupit gjykues. Pra ishte një gjyqtar tjetër i EULEX dhe erdhi një tjetër”.

Edhe pse lënda kaloi tek vendorë, nuk kaloi pa zhurmë. Dikush nga EULEX së paku po shprehte dyshime.

“Pasi që u ndërrua ky trupi gjykues akoma pa filluar pa deklaruar pafajësinë të akuzuarit për shkak të mandatit të EULEX-it ishte dashur që lënda të kalojë tek gjyqtarët e prokurorët vendor dhe e mbajë mend në atë kohë prokurori i EULEX-it që kishte ngritur aktakuzat tha që me këtë vendim të EULEX-it i bije që ky rast ka përfunduar për shkak se do të kalojë tek vendorët. Pasi që lënda kalojë tek vendorët, fillojë ajo diku rreth 10-9 seanca gjatë viti 2018 me radhë dështuan disa herë mungonin të akuzuarit, herën tjetër mungonin të akuzuar tjerë, problemet me trup gjykues poashtu kishin ndikuar të shtyhen seancat”, shpjegon ai.

“Dhe diku në fund të vitit 2018-të ishte arritur të mbahej më në fund seanca e parë në të cilën të akuzuarit dhanë fjalën e tyre hyrëse edhe prokurori dhe në vitin  në fund të 2019-ës ishte mbajtur 6-7 seanca në të cilin ishin dëgjuar edhe dëshmitarë në fillim të 2020-ës ishte arritur në nivelin e deklarimit që i bije gati faza përfundimtare, ku pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe provave tjera që i ka posedu prokuroria fillon dëgjimi i të akuzuarve ku ka mundur të bëhen pyetje edhe prokurori edhe mbrojta”.

“Akoma pa shkuar pa përfunduar të gjithë të akuzuarit sa e di vetëm ish-deputeti, Azem Syla kishte dhënë mbrojtjen e tij në të cilën ai kishte thënë që është një aktakuzë e orkestruar dhe e dirigjuar nga Beogradi, dhe pa kaluar shumë të akuzuar në këtë fazë për shkak edhe të pandemisë ishte shtyrë seancat në afat të pacaktuar dhe kur u kthye sistemi për të punuar kryetari i trupit gjykues është avancuar në gjykatën e apelit kjo kishte ndikuar që përsëri lënda, një lëndë kaq e rëndësishme akoma pa u marrë një vendim në shkallë të parë ti dërgohet një gjyqtari tjetër. Pasi ju dërgua me dispozitat e Kodit të procedurës penale i bije që në momentin që ndërrohet i bije që rasti duhet të fillojë nga pika 0”, sqaroi ai.

Çka përmban kjo aktakuzë që tashmë është bartur dorë-më-dorë nga ndërkombëtarët tek vendorët e nga një prokuror tek tjetri, duke përfshirë këtu edhe ndërrimin e 5 gjyqtarëve?

Prokuroria akuzon se Azem Syla pensionin e Zvicrës e kishte përdor për ta financuar grupin kriminal për të nisur procesin e blerjes, shitjes e edhe mashtrimit me prona që kryesisht ishin prona të serbëve. Grupi kishte caktuar edhe një restaurant në Prishtinë që u bë si shtabi i këtij grupi, e që udhëhiqej nga ish-Shefi i Shtabit të UCK-së, Azem Syla.

Krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal. Janë këto vetëm disa akuzat e shkruara në një dokument mbi 260 faqesh që e posedon InDoks.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal, sipas aktit akuzues kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Prokuroria Speciale zbulon se Azem Syla kishte blerë një banesë në Lagjen Pejton në Kyeqytet dhe një veturë Xhip ML me paratë nga shitja e pronave të serbëve në Çagllavicë.

Paratë e fituar nga shitja e pronave të familjes Simiq ishin përdorur për të blerë atë banesë e atë veturë luksoze për atë kohë përderisa dy anëtarët e tjerë të grupit Shaban Syla e Shpresim Ukaj kishin blerë vetura të tjera, po ashtu luksoze të kahes si një BMË X5.

Në hierarki menjëherë pas Azem Sylës vinte Shaban Syla, në lidhje familjare me të parin i cili sipas Prokurorisë  veproi hapur dhe personalisht, duke nënshkruar një sasi të madhe të dokumenteve, “Shaban Syla ishte sigurisht një nga arkitektët e mashtrimit, bashkë me Hajrullah Berishën”, thuhet në Aktakuzë.

Hajrullah Berisha një tjetër i akuzuar në këtë rast pretendohet se bashkëpunoi me grupin duke qenë pjesë e misionit të OKB-së UNMIK.

“Hajrullah Berisha është figurë kyçe e grupit të organizuar kriminal. Që nga viti 2006, roli i tij ishte absolutisht esencial sepse ishte i ngarkuar për hapat më të rëndësishëm dhe themelorë që i mundësuan grupit të organizuar kriminal të procedojë mashtrimet më të mëdha; falsifikimin e dokumenteve origjinale”, thuhet në aktakuzë. Hajrullah Berisha, ish i punësuar në UNMIK punonte në gjykatë dhe kishte qasje në ndërtesat e gjykatave dhe zyret publike të cilat, në atë kohë, menaxhoheshin që të gjitha nga UNMIK-u.

“Në mënyrë specifike në atë kohë Arkiva e Gjykatës ku ishin ruajtur dosjet e rasteve “Simiq”, “Steviq” dhe “Vujoviq” ishin duke u ruajtur në ndërtesën e ndërmarrjes shoqërore “Shock Absorbers” e cila ishte vendosur afër ndërtesës së UNMIK-ut” thuhet në aktakuzë.

Prokuroria pretendon se Berisha njihte mirë sistemin ligjorë dhe kishte qasje të lehtë në shabllone të dokumenteve dhe vulave. “Përveç Nuhi Ukës, ai ishte i vetmi që kishte mundësinë dhe dijeninë për t’i falsifikuar rastet, vendimet e gjykatave dhe dokumentet të cilat ishin të ruajtura në Arkivin e Gjykatës Komunale dhe Arkivin Shtetëror të Kosovës” thuhet në aktakuzë.Njëri nga dëshmitarët kyç të prokurorisë përshkruhet në aktakuzë se e takoi Berishën në fund të vitit 2006 kur u takuan me Shaban Sylën. “Hajrullah Berisha i dha Shaban Sylës 20 mijë euro për t’ia dhënë familjes Simiq për vendimin e gjykatës”, thuhet në aktakuzë derisa për të shtohet se e vizitonte shpesh restaurantin ku koordinohej grupi i Azem Sylës në vitet 2006, 2007 dhe 2008.

Azem Syla, që njihet si “Daja”, i përmendur si lider i këtij grupi,  rrallë ka folur në publik. Madje edhe kur ishte deputet i është ruajtur një fjalim i vetëm. Por, për të kanë folur shumë. E kanë akuzuar jo pakë.

Një nga të parët që e akuzoi publikisht ishte Nazim Bllaca. Ai i kishte përmendur vrasjet e krimet e tjera. Do të zhvilloheshin disa procese gjyqësore që në publik u njohën si rastet “Bllaca”, por në to Azem Syla kurrë nuk u dënua. Mbi rastet që nisi dëshmia e Bllacës janë dënuar persona të tjerë, që disa po ashtu janë në aktakuzën e rastit “Toka”.

Derisa po kryhej hetimi për rastin “Toka”, EULEX-i kishte zhvilluar edhe një procedurë hetimi të veçantë, larg syve të publikut. Aty do të fliste një dëshmitar i mbrojtur. InDoks ka siguruar dosjen e këtij hetimi dhe transkriptet e dëshmisë.

Në fakt, ky hetim i veçantë dhe dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur do të bëheshin më vonë pjesë themelore e aktakuzës.

Në këtë dëshmi, pos rastit “Toka”, një gjë tjetër bie në sy. Dëshmitari flet për para të luftës, për fondin ‘Vendlindja thërret’. Dëshmitari i mbrojtur në këto transkripte përmend Shpresim Ukën, një bashkakuzuar me Azem Sylën. Dëshmitari deklaron që Uka ti ketë thënë që në së paku dy raste ai kishte sjellë para nga Zvicra në Kosovë dhe i dërgoi në Shtabin e Përgjithshëm. Azem Syla për një kohë ka qenë Shef i këtij Shtabi.

Në një rast ishin sjell mbi 700 mijë marka dhe në një rast tjetër mbi 160 mijë marka të tjera. Dëshmitari kishte nxjerr edhe dokumente nga faqja e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut që kishte evidentuar diçka tjetër me rastet në fjalë dhe ia kishte dhënë Prokurorit Maurizio Salustro.

Dëshmitari tutje do të tregonte se në lidhje me këto para forcat serbe do të ndalonin autobusin që me të cilat ishin nisur që të vinin këto para dhe do të i konfiskonin ato. Bashkë me paratë u ndalua edhe një i afërm i Azem Sylës e shoferi i autobusit. Dëshmitari i kishte thënë EULEX-it se i afërmi i Azem Sylës që u ndalua nga serbët, ende figuron i zhdukur derisa shoferi i autobusit ishte liruar.

Nuk dihet në publik se a është hetuar ky rast, pasi që i njëjti nuk është përmendur në aktakuzë.

Po për para të luftës, dyshime kundrejt Azem Sylës vite më parë kishte hedhur edhe një anëtarë i familjes Jashari. Rifat Jashari ka përmendur në publik shkarazi një rast, por pa e sqaruar as ai deri në fund.

 “Unë sot për besë të Zotit nuk e njoh atë individ. Ai ka sjell ato (paratë), kanë shkuar këta, armët janë blerë, ardhë nuk janë, këto mund ti dije Azem Syla, Rexhep Selimi e shumë shumë të tjerë. Ti e di që kemi qenë me Azemin (Sylën) dhe e kemi bërë aty një bisedë, në dhomën time. Ai thoshte që ia ka dërguar Rexhepit (Selimit), Rexhepi thotë diçka tjetër, por më në fund ato nuk kanë ardhur. Ku janë mbetur, ku kanë shkuar, më nuk jam marrë me atë punë, se e pashë që nuk ia vlente që të hyjmë në ato gjëra, lufta përfundoi”, kishte deklaruar ai.

Lufta përfundoi. Azem Syla më nuk do të ndiqte karrierë ushtarake. Nuk do të bëhej pjesë e TMK-së. Sipas aktakuzës që tashmë po sjellët nëpër gjykata, ai do të hynte në biznesin e pronave.

Kjo është zona të cilës ia kishte vënë syrin grupi i Azem Sylës, sipas Prokurorisë. Në këtë zonë janë edhe pronat për të cilët ata po gjykohen. Është zona e Çagllavicës, dikur nën komunën e Prishtinës, tash nën atë të Graçanicës.

E për dyshimet që këtu u keqpërdoren dokumente e edhe u falsifikuan ato për të bërë tregti me toka, ishin akuzuar njerëz të sistemit të drejtësisë.

Në aktakuzë ka qenë edhe Nuhi Uka, Ish-Kryetar i Gjykates në Prishtinë. Ai vdiq katër vite më parë. Pa e pritur epilogun e gjykimit në rastin “Toka” ka vdekur edhe Shqipe Maxhuni, që ishte akuzuar në këtë rast.

Insajderi vite më parë kishte publikuar një hulumtim që Azem Sylën e lidhte edhe me një tokë tjetër. Hulumtimi zbulonte se si Azem Syla dyshohet se e kishte kërcënuar një tjetër dëshmitar të më vonshëm të EULEX-it. që t’ia shiste tokën familjarit të tij, Hysni Syla me çmimin që donin ata. Ngjarja nuk u ndal me kaq. 200 mijë euro për këtë tokë dyshohet se janë shpërlarë nëpërmjet OJQ-së “United Foundation”.

Pas këtij hulumtimi, në hetim i Inteligjencës Financiare kishte nisur. InDoks posedon dokumentin e këtij hetimi që ka përfunduar në Prokurorinë Speciale. Në këtë hetim ishin gjetur, përmes transaksioneve lidhje financiare shkonin deri në Amerikë e nëpërmjet ndërlidhjeve shkonin deri te shtetas të Pakistanit e Bangladeshit.

Dokumenti i deponuar në Prokurori Speciale zbulon edhe shuma të tjera. Zbuluan se një shumë prej mbi 450 mijë euro nga  “United Foundation” u deponuan te një person privat për t’ia blerë një pronë në Pejë, derisa donacionin e kishin marrë nga organizata “Helping Hands” për ta ndërtuar një shkolle e lokacioni i shkollës ishte në një fshat të Lipjanit.

As për këtë rast në publik nuk dihet nëse janë zhvilluar hetime të tjera nga Prokuroria Speciale ani pse Inteligjenca Financiare kishte ngritur dyshime se mund të jenë shpërlarë para.

Avokati Qerkini që ka përcjell rastin “Toka”, dikur si i përfshirë në mbrojtje e tash nga jashtë, ka edhe vërejtje të tjera për këtë rast, pos që përmend që duke pasur parasysh që dokumentet kadastrale janë marrë nga forcat serbe me vete kur e lëshuan Kosovën në vitin 1999, dhe vështirë do të i sjellin ato për këtë rast.

“Po nëse shikohet nga ky këndvështrim vetë mënyra se si janë arrestuar të pandehurit pastaj zhurma e madhe që është bë në opinion edhe ne si mbrojtje kemi arrite tek përfundimi se EULEX-i në një mënyrë ose tjetrën ka dashtë që të arsyetojë mandatin e vet dhe po e shihni se e ka iniciu një rast pastaj e ka lënë rastin që vet e ka inicu”, ka thënë Qerkini.

Gashi nga IKD që e kanë monitoruar këtë rast, tregon për InDoks se në fakt deri ku ka arritur ky rast gati 6 vite pas ngritjes së aktakuzës. Se si në një formë Drejtësia ka dështuar që të ketë një proces në kohë për një rast që dyshohet se shteti u dëmtua së paku 30 milionë euro.

“Si tek rasti i parë, si tek rasti i dytë ka pasur zvarritje të mëdha kjo ka ndikuar që normalisht që ky rast të mos trajtohet njësoj, të mos i kushtohet rëndësi e veçantë fatkeqësisht përderisa kemi të bëjmë me një rast që dyshoheshin figura të larta, ku dyshoheshin që dëmi ndaj shtetit është mbi 30 milionë euro dhe që ai dëm akoma konsiderohet dëm për shkak se nuk kemi një aktgjykim as dënues as lirues pa dyshim që sistemi i drejtësisë ka dështu në hetim të rastit “Toka”, në të cilin është përfshi Azem Syla ashtu edhe tek aktprocesi tjetër, një proces i tillë e tregon se si funksionon drejtësia jonë në Kosovë dhe se si ne i trajtojmë rastet më të rëndësishme që i kemi për ti gjykuar. Fatkeqësisht gjatë këtij procesi që akoma është në fazën fillestare pavarësisht gjithë këtyre viteve në momentin që do të fillohet shqyrtimi do të fillohet përsëri prej leximit të aktakuzës, deklarimit të të pandehurve, shpalljen e pa fajësisë prapë duhet që të thirren dëshmitarët për shkak se është ndryshuar trupi gjykues, duhet të bëhen hapa që veçse janë bërë”, tha Gashi.

Dosja e Prokurorisë kundër grupit të “Dajës” për Tokat është aq e madhe sa që vetëm akti akuzues ka mbi 260 faqe. Ato faqe kanë edhe qindra faqe të tjera me prova e dokumente. Të gjitha çojnë te një lider: Azem Syla, ish-Komandanti i Shtabit të UÇK-së që pasluftës u mor kryesisht me biznesin e patundshmërive, me theks të veçantë me pronat e serbëve në zonën e Çagllavicës.

Aty pothuajse ky grup gjeti një parajsë me telashe që ishin grumbulluar që nga vitet e 60-ta e komplikuar edhe më shumë kur disa nga pronat u nacionalizuan nga Jugosllavia e Tito-s.

Për tu bërë ende më të komplikuara, por të rëndësishme për grupin e dyshuar kriminal, në kohën e regjimit të Sllobodan Milloshevicit, ishin nxjerr ligje diskriminuese për shqiptarët e në favor të serbëve.

Kur forcat serbe e lanë Kosovën në vitin 1999 morën me vete edhe dokumentet e pronave. Në Kosovën e pasluftës ishte rritur kërkesa për blerje pronash, në zonën e Çagllavicës po ashtu, për ndërtim biznesesh, por qasje në dokumente kishin pak persona. Në lojë jo rrallë hynte grupi i Azem Sylës. Akuza i rëndon edhe për falsifikim dokumentesh.

Afro gjashtë vite pas ngritjes së Aktakuzës, Azem Syla një njeri i mistershëm, të cilin hetuesit e EULEX e përshkruanin si ai që e shmang edhe bisedat telefonike dhe i kryen punët në takime direkte, do të shfaqet përsëri në Gjyq. Do të paraqitet si lider i një grupi që bëri manipulime me prona në vlerë mbi 30 milionë euro.

“Daja” i UÇK-së që më vonë dyshohet se u bë edhe “Daja” i manipulimit me “Tokë” në Çagllavicë, deri tash i ka ikur intervistave në media bash për këtë rast. Ndonjëherë e ka komentuar si rast i motivuar politikisht, e, e ka akuzuar nga pak edhe Serbinë.

Deri te një vendim i Gjyqit, nëse do ta dënojë atë apo do ta falë, do të duhet të pritet edhe gjatë.

Seanca në rastin “Toka” pritet të fillojë me 9 dhe 10 qershor 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat