Kurti premton mbështetje ndaj komunitetit turk në Kosovë

Aktuale

Kurti premton mbështetje ndaj komunitetit turk në Kosovë

Më: 19 prill 2022 Në ora: 11:08
Albin Kurti me përfaqësuesit e komunitetit turk

Në prag Ditës së Turqve të Kosovës më 23 prill, kryeministri Albin Kurti ka mbajtur një bashkëbisedim me përfaqësuesit e komunitetit turk për sfidat dhe mundësitë e reja të këtij komuniteti.

Gjatë tryezës së diskutimit, kreu qeveritar i premtoi mbështetje komunitetit turk në Kosovë dhe tha se përmes granteve do të ndahen 1.5 milionë euro për të gjitha komunitetet.

Kurti: Zhvillimi i bizneseve turke është praktikë e mirë

“Zhvillimi i bizneseve turke dhe krijimi i më shumë vendeve të punës përmes granteve që ofrohen nga Zyra për Çështjet e Komuniteteve është një praktikë e mirë. Kemi filluar me një proces transparent për ndarjen e këtyre granteve, shumë më ndryshe se çka jemi mësuar me fonde të rezervuara për secilin komunitet. Vlerësimi i aplikimeve në thirrjen e parë publike në aktivitetet kulturore është në proces nga komisioni i pavarur, dy thirrje të tjera do të hapen gjatë këtij muaji dhe gjatë verës. 1.5 milionë euro do të ndahen për këto grante dhe do t’iu japim prioritet iniciativave ku përfaqësohen gratë dhe rinia, si dhe grupet e tjera të margjinalizuara brenda komunitetit. Falënderoj të gjitha gratë e komunitetit turk që kontribuojnë në komunitetin e tyre dhe shoqërinë tonë më të gjerë”, tha ai.

Ministri i Zhvillimit Rajonal, i cili vjen nga komuniteti turk, Fikrim Damka tha se Kosovës i nevojitet një strategji për komunitetet.

Damka: Të hartohet strategjia për komunitetet

“Në disa tema ende nuk kemi zgjidhje dhe jemi në pritje të zgjidhjeve. Unë po besoj se si qeveri në krye me kryeministrin tonë, zëvendëskryeministren që është përgjegjëse për komunitetet, vitin e ardhshëm do të shohim se cilat janë zhvillimet dhe përfundimet. Prej kësaj dite do të shohim punën se çka kanë bërë, patjetër që Zyra për Komunitete duhet të përgatisë strategjinë e saj për komunitete dhe kjo strategji së bashku me shoqërinë civile dhe personat e rëndësishme nga komuniteti të merr parasysh gjitha çështjet e rëndësishme”, deklaroi ai.

Ndërsa, zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi, e cila është përgjegjëse për komunitetet tha se Qeveria e Kosovës të gjithë qytetarët do t’i trajtojë të barabartë.

Rexhepi: Qeveria i trajton të gjithë qytetarët barabartë

“Në qeverinë e re punojmë më mirë në interesin e qytetarëve dhe ajo çka është e rëndësishëm është se krejt jemi të barabartë dhe konsiderojmë se shteti është i barabartë për të gjithë qytetarët dhe të gjithë e kanë të drejtën për jetë”, theksoi ajo

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat