​Presidenca: Procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të jetë kredibil

Aktuale

​Presidenca: Procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të jetë kredibil

Më: 13 prill 2022 Në ora: 18:45
Foto ilustrim

Zyra e Presidentes më 8 prill ka pranuar propozimin nga Këshilli Prokurorial mbi propozimin për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe ka nisur analizimin e fakteve dhe rrethanave që ndërlidhen me këtë proces, ka thënë për KosovaPress këshilltari për Media i Presidencës Bekim Kupina.

Ai ka bërë të ditur se presidentja Vjosa Osmani është në komunikim me palët e interesit dhe se ajo në ditët në vijim do të takohet me përfaqësuesit e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit, për të dëgjuar vërejtjet e tyre mbi mbarëvajtjen e këtij procesi.

“Presidentja nënvizon se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të jetë kredibil dhe me integritet të plotë për të siguruar që besimi i qytetarëve ndaj Prokurorisë se Shtetit nuk dëmtohet. Po ashtu, presidentja ka theksuar se kandidati i propozuar duhet të plotësojë të gjitha kërkesat ligjore, duke përfshirë edhe atë të integritetit”, ka thënë Kupina duke shtuar se për veprimet e mëtutjeshme opinioni publik do të njoftohet me kohë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), pas një procesi disa javor ku garuan disa kandidatë, votoi në mënyrë unanime Blerim Isufaj, për Kryeprokuror të Shtetit dhe e rekomandoi atë për dekretim te presidentja.

Procesi i përzgjedhjes së tij u kundërshtua nga shoqëria civile që monitoruan procesin, duke rekomanduar që i tërë procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të ri të Shtetit të anulohej dhe të përsëritej, që të evitoheshin shkeljet procedurale dhe defektet e evidentuara.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i drejtuesit të Zyrës së BE-së në Kosovë, i ambasadorit amerikan dhe atij gjerman.

Ambasadori amerikan Jeff Hoevenier tha se prezenca e përfaqësuesve të ambasadës gjatë seancës së 6 prillit, ku KPK-ja në mënyrë unanime nominoi Blerim Isufajn për postin e kryeprokurorit të Shtetit, nuk duhet të shihet si mbështetje e SHBA-së për këtë proces.

Kritikat u hodhën poshtë menjëherë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili në reagimin për publikun tha se procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit ishte plotësisht legjitim.

Ndryshe, pas përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, ai duhet të dekretohet nga presidentja Vjosa Osmani. Kryeprokurori aktual i shtetit, Aleksandër Lumezi pas shtatë vjetësh në këtë post, më 21 prill 2022 përfundon mandatin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat