‘Kullat e drejtësisë” kontrollohen nga njerëzit e SHIK-ut!

Aktuale

‘Kullat e drejtësisë” kontrollohen nga njerëzit e SHIK-ut!

Nga: Idriz Morina Më: 13 prill 2022 Në ora: 16:48

Shkelja e procedurave të zgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i atyre të përcaktuara nga vetë Këshilli dhe normave ligjore dhe kushtetuese, lirimi i ish-kryetarit të Gjilanit Qemajl Mustafës mbi të cilin peshonin një mori akuzash, mos arrestimi i kërcënuesve të gazetarëve të shtypit të pavarur (kritik ndaj veprave të rënda kriminale – vrasjeve politike) dhe mosmarrja e vendimeve mbrojtëse, si dhe numër i pafundmë rastesh të zvarritjes së proceseve gjyqësore, përfshirë ato administrative, të kundërshtarëve të krimit të organizuar, vendimi i diskutueshëm i Gjykatës Kushtetuese për mbylljen e shkollave në Kamenicë dhe kundër ministres të Arsimit Arbërie Nagavcit, etj., janë argumente jo të pakta, se këto ‘kulla të drejtësisë’ drejtohen nga klanet e inkriminuara, që kontrolloheshin nga SHIK-u!

Mekanizma ‘piramidal’

SHIK-u formalisht më nuk ekziston, por është më se e qartë se ai ka ndërtuar mekanizma piramidal, sikurse në parti politike, dhe i kontrollon, nga struktura e padukshme-latente, thuaja të gjitha institucionet e rëndësishme.

Madje shpeshherë kemi parë raste edhe të emërimeve edhe në këtë Qeveri në poste të larta, të njerëzve që janë nën kontrollin e strukturave të përmendura më sipër. Njerëz të dyshimtë, sikurse shefi i kabinetit të Kryeministrit, që vetëm gjatë qeverisë Thaçi, paska përfituar 600 mijë euro nga shteti, sigurisht për një punë të diskutueshme që ka krijuar organizata ku ka qenë aksionar ai.

Më e dyshimta është vetë fatura kaq e lartë, dhe rritja e saj, për 190 mijë euro përtej marrëdhënies kontraktuale, e marr pa një referencë të qartë nëse ishte përfitim i ligjshëm.

Kjo e jep një perspektivë të shtrirjes së tentakulave të grupeve dhe individëve të inkriminuar.

Kjo u pa qartë me rastin e emërimit të kryer, të kryeprokurorit të shtetit, që pavarësisht reagimeve të mëdha, nga monitoruesit vendor dhe ambasadat fuqiplota si e SHBA-së, BE-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë etj., ende nuk ka asnjë lëvizje që e kthen në rrugë të drejtë procesin.

Nga ky këndvështrim akuza e LDK-së, se institucionet e reja në vend e kanë kapur shtetin janë të paqëndrueshme, dhe aspak nuk kanë të bëjnë me të vërtetën.

Moszbardhja e hetimeve

Pra, rastet e përmendura më sipër dhe të nënkuptuara, proceset e përmbyllura padrejtësisht si ‘Pronto’, zvarritja mbi pesëvjeçare e rastit “Toka” dhe përplot skandale të panjohura, flasin se jemi përballë një sistemi të mbindërtuar, në një kohë të lulëzimit të krimit të organizuar.

Arrestimet e pakta, pa i synuar ‘jakat e bardha’ apo kapotë e krimit, janë si duket më shumë ngjarje të detyrueshme ndërmjet kërkesës për zbatim të ligjshmërisë, përfshirë insistimin e pushtetit aktual, që erdh në pushtet duke e pasur premtim këtë si një prej çështjeve kryesore, dhe në anën tjetër strukturave menaxhuese, të rendit dhe ligjit, që duan të mbulojnë dështimet e të kaluarës, dhe të shmangin e arrestimet e krerëve të krimit.

Rezultatet e punës dhe imazhi i tyre, tregojnë se si u ndërtuan ato, duke pasur pashkëputshmëri menaxheriale sipas konceptimeve të vendosura nga ish rrjeti i SHIK-ut, i cili për më shumë se një dekadë qeverisi drejtpërdrejt me Kosovën.

Pra, është një rrjet i fuqishëm, me strukturim të qëndrueshëm, dhe që din të ndryshojë dhe të përshtatet, në rrethanat e reja, pa e humbur rolin primar të paracaktuar nga “Grupi SHIK”!

Një levë tjetër mbështetëse

Sistemi piramidal i ndërtuar prej tyre, duket se është një shumësi piramidash, nëpërmjet të cilave sundohej Kosova. Ajo ngjan të dukej kështu: Një piramidë në Prokurori (Këshilli Prokurorial+), një në polici, një në gjyqësi (Këshilli Gjyqësor+), një në Arsim, një në shëndetësi dhe në sektorë të tjerë, ndërsa duket se ka pasur edhe një organizim në ojq, një levë tjetër mbështetëse, duke e nxitur nëpërmjet financimeve publike të luajë rolin e vëzhguesit të disa proceseve dhe të krijojë zhurma të caktuara.

Dhe po ashtu një kupolë krimi e udhëhequr nga strukturat kriminale serbe, që kontrollohet nga Lista serbe ose anasjelltas, që grupet e udhëhequra nga Millan Radojçiqi dhe Zvonko Veselinoviqi mundësojnë kontrollin politik, duke e shtrirë si monopol, sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, që nënkupton, se serbët udhëhiqen apo i janë nënshtruar një nënsistemi totalitar!

Ky rrjet duket se është ende i fuqishëm dhe tepër koheziv, dhe për shpërbërjen e tij, duhet kërkuar mbase ndihmë ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat