Serbia po kërkon konflikt, kërcënon Kosovën edhe me raketa kineze! / A kemi sot një gjeneral si “Katana”

Aktuale

Serbia po kërkon konflikt, kërcënon Kosovën edhe me raketa kineze! / A kemi sot një gjeneral si “Katana”

Nga: Idriz Morina Më: 11 prill 2022 Në ora: 18:01
Luftëtarë shqiptarë gjatë çlirimit të Kosovës nga Serbia

Kërcënimi serb po bëhet gjithnjë më provokues, më i rrezikshëm, dhe ndoshta më i afërt.

Gjashtë aeroplan kinez që fluturuan ndoshta edhe mbi trojet shqiptare, dërguan armë, mendohet të fjalës së fundit të teknologjisë së Kinës.

Armatimi që u soll ishte i befasishëm për dy arsye. Ai u soll në një mënyrë gjysmë të fshehur, dhe në një fluturim të përbashkët nga gjashtë avion, siç transmeton AP.

Sekretet e publikimit thuhet se i ka marrë Vuçiqi, dhe këtë do ta bëjë të ditur në njërën nga dy ditët e ardhshme. Sipas serbëve, ky armatim erdhi thjesht si porosi e një marrëveshje të bërë në vitin 2019 me Kinën.

Sipas vëzhguesve të huaj, ekspertë amerikan dhe gjerman, dërgesa, përkatësisht armatosja e këtillë e Serbisë është shenjë për luftë.

Madje sipas Janush Bugajskit ekspertit amerikan për Ballkanin, shihet si një hap i bërë nga Serbia, në përmbushje të miqësisë me Rusinë, dhe nevojës që Putini ta hap një front lufte përtej Ukrainës.

“Vuçiqi është udhëzuar nga mbrojtësi i tij Putini që ta destabilizojë Ballkanin”.

Blerja e armëve sigurisht se do të vazhdojë derisa Perëndimit e toleron Serbinë, që të bashkëpunojë ngushtë me Putinin. Për ta ndryshuar kursin, Serbia, sipas ekspertit amerikan Alon Ben Mejr, profesor në Universitetin e Nju Jorkut, duhet t’i bëhet trysni Serbisë për shkak të refuzimit të saj, që t’i bashkohet Perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Pavarësisht se zyrtarisht kërkon anëtarësimin në BE, Presidenti i Serbisë Vuçiq refuzoi thirrjet nga BE-ja dhe SHBA-ja për t'iu bashkuar sanksioneve kundër #Rusisë. Ky është një moment kritik për #Serbinë. BE-ja dhe SHBA-ja duhet t'ia bëjnë të qartë Vuçiqit se forcimi i lidhjeve me Rusinë do të rrezikojë procesin e saj të integrimit”, thotë ai në tviter.

Armatimi me sisteme antiajrore dhe për sulme, përbën një rrezik në vete nga Serbia. E para ajo po e prish ekuilibrin ndërfqinjësor, dhe ajo po mbjellë pasiguri dhe detyrim për kundërpërgjigje.

Po Kosova çfarë po bën?!

Për disa muaj kemi shkruar se Kosova duhet ta krijojë një fond për mbrojtje, me qëllim investimin në armatim. Fondi u krijua këtë vit nga Qeveria, por ende nuk ka asnjë lajm nëse edhe Kosova ka bërë ndonjë blerje apo nëse e ka kryer ndonjë porosi për armatim.

Edhe ekspertët ushtarak si koloneli Dritan Demiraj, kanë sugjeruar së paku që Kosova dhe Shqipëria të blejnë armatim kundërajror, anti-tank, si sistemet Javelin, Stinger etj.

Këtyre ditëve Gjermania vendosi ta ndihmojë Ukrainën me 2.000 obusa (sistem kundërajror) vetëlëvizës, me vlerë 2 miliardë euro për mbrojtje kundër Rusisë.

Image
Sistemi gjerman Obusa (sistem kundërajror) vetëlëvizës

Po a nuk mundet Kosova që të kërkojë ndonjë dhuratë të tillë nga Gjermania, dhe gjithashtu të nënshkruajë një marrëveshje për blerje të armatimeve, p.sh. të 10-30 sisteme të tilla, që janë të mbulueshme mjaft lehtë nga buxheti i Kosovës, dhe fondi emergjent.

Por, nëse mund t’i sigurojmë edhe armët, a është Kosova në rrugën e duhur për të bërë një luftë fitimtare me Serbinë. Nëse në rrethana të pushtimit dhe të keq-armatosur ia dolëm që të fitonim disa beteja, si ajo e Loxhës, dhe veçanërisht e luftës në Koshare, a kemi strateg të tillë në FSK?

Nëse nuk i kemi mjaftueshëm në FSK, a mund ta bëjnë luftën e duhur ushtarakët në pension, ata që ishin në Koshare dhe beteja të tjera, apo edhe ata që nuk u përfshinë?

Sigurisht se ne do të kishim ndihmën e Shqipërisë, të SHBA-së dhe NATO-s, por pse të mos i kemi heronjtë tanë.

Një mik i imi ushtarak, më tha se nëse nuk mund ta kemi një ushtarak si Agim Ramadani – “Katana”, që ishte strateg i fitores në Koshare, atëherë një të ngjashëm apo premtues mund të kemi.

Image
Agim Ramadani me cigare "puro", gjatë luftës

Njëri prej tyre tha se është gjenerali Hazrolli, një ish ushtarak karriere, që vazhdon të jetë në FSK.

Derisa për amët menduam, dhe u krijua një fond, si të bëhet një zgjidhje apo nga fondi ‘emergjent’, të shkollohen dhe avancohen ushtarakët e rinjë, në mënyrë që të jenë të mjaftueshëm dhe të gatshëm për luftë!

Armatosja e Serbisë

Sipas informacioneve publike gjashtë avionë transportues të Forcave Ajrore Kineze Y-20 të premten u ulën në aeroportin civil të Beogradit, duke raportuar se mbanin sisteme raketore tokë-ajër HQ-22 për ushtrinë serbe, të cilat raketa krahasohen me ato amerikan “Patriot” dhe ato ruse “Iskender”.

Një tjetër dërgesë besohet se ndodhi të dielën, po ashtu me gjashtë aeroplan të tjerë.

Serbia është bërë i parin vend në Evropë, që ka tashmë raketa kineze.

“Prania e Y-20 në Evropë në çdo numër është gjithashtu një zhvillim mjaft i ri”, shkroi revista online The Warzone.

Image
Sistemi raketor kinez, i blerë nga Serbia me rrez të mesme veprimi

Raketat sipas pohimeve të vetë presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiqit janë me rreze të mesme veprimi, pra tepër të rrezikshme për Kosovën, dhe për çdo shtet në rajon, madje.

Shtetet e Bashkuara edhe më parë kanë dhënë alarmin se Serbia nuk duhet të blejë armatim nga vende si Rusia dhe Kina, por duhet që si një vend që pretendon të hyjë në NATO dhe BE, ajo duhet të respektojë kushtet e saj, dhe ta përshtatë armatimin me atë që e kërkon, përkatësisht të ketë standardet e Aleancës.

Plagët e luftës në Kosovë i përmendin edhe mediat perëndimore që kanë shkruar për këtë rast, duke kujtuar sulmin ajror të NATO-s ndaj Serbisë, e cila ka zgjedhur të armatoset me armë ruse dhe kineze, si avionë lufte, tanke dhe pajisje të tjera.

Para dy viteve Serbia, mori edhe një numër dronësh lufte kinez, Chengdu Pterodactyl-1, të quajtur në Kinë me emrin Wing Loong. Këta dronë lufte janë në gjendje të godasin caqet me bomba dhe raketa dhe mund të përdoren për vëzhgim-zbulim.

Sipas këtyre raportimeve frika kryesore është në Perëndim se armatosja e Serbisë nga Rusia dhe Kina mund ta inkurajojë atë për një lufte tjetër, kundër Kosovës.

Një skenar i padëshirueshëm

Në një skenar edhe më të keq do të ndodheshim nëse në Francë fiton e populistja Mari Le Pen, mbështetëse e Putinit, dhe e Serbisë, një kundërshtare e fuqishme e shqiptarëve.

Pavarësisht që Makron nuk u tregua zemërgjerë me ne, ajo do të prishte punë shumë më shumë duke u pozicionuar përkrah Putinit.

Por, sipas Bugajskit, nuk është e pamundur që të tradhtojë edhe Makroni, ndërsa sjellë dy shembuj të historisë, që të dyja gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur ajo tradhtoi fillimisht Poloninë dhe më pas edhe Rusinë.

Të shpresojmë që të dy këta skenarë francezë të mos ndodhin, jo pse mund ta përcaktojnë fatin tonë, por mund ta pengojnë mjaftueshëm në shumë çështje dhe procese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat