Shtyhet afati për pranimin e komenteve të Projektligjit për turizmin, kërkohet të trajtohen edhe zonat turistike

Aktuale

Shtyhet afati për pranimin e komenteve të Projektligjit për turizmin, kërkohet të trajtohen edhe zonat turistike

Më: 14 mars 2022 Në ora: 16:49
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka shqyrtuar Projektligjin për turizmin, derisa u vendos që të shtyhet afati për pranimin e komenteve për këtë Projektligj deri më 25 mars.

Kryesuesja e komisionit, Mimoza Kusari-Lila, tha se ky projektligj ka rëndësi jo vetëm për turizmin, por edhe për të gjithë sektorët tjerë.

Ajo kërkoi nga Ministria e Industrisë që të sjell draftin në mënyrë që Komisioni të ketë kopjen e versionit aktual që më pas të bëhet vlerësimi.

Kusari-Lila: Po flasim për një projektligj i cili ka rëndësi në zhvillimin e sektorit të turizmit

“Po flasim për një projektligj i cili ka peshë dhe rëndësi në veçanti jo vetëm për zhvillimin e sektorit të turizmit por efektet që i kanë gjithë sektorët e tjerë, duke përfshirë prodhimin, bujqësinë, blegtorinë dhe potencialin tjetër të prodhimit dhe resurseve natyrore të Kosovës... Kërkoj nga Ministria e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë të kemi një takim të përbashkët të përfaqësuesve të Komisionit për ekonomi dhe përfaqësuesve të shoqatave për turizmin dhe po mendoj që komplimentaliteti i turizmit pa diskutim për turizmin në institucionin legjislativ nuk do të ishte i plotë, prandaj po kërkoj nga administrata e Kuvendit që brenda javës së ardhshme... të caktohet një prezantim i draftit të strategjisë për turizmin përfaqësuesve të shoqatave dhe deputeteve komisionit për ekonomi por edhe të institucioneve të tjera në mënyrë që të shohim mentalitetin e ligjit me strategjinë, nuk mundemi t’i shkëpusim prandaj të kemi një trajtim përmbajtjesorë të të dyjave. Ne i kërkojmë Ministrisë të na e sjellë draftin që të kemi kopjen e versionit aktual që është në mënyrë që të bëjmë edhe vlerësimin”, tha ajo.

Qëndresa Ibrahimi nga Oda e Afarizmit, foli për nevojën që ka Kosova për krijimin e zonave turistike.

Ibrahimi: Si Odë kemi kërkuar që TVSH-ja në akomodim të ulet në 5 përqind

“Si Odë kemi kërkuar që TVSH-ja në akomodim të ulet në 5 përqind, e cila do të ndikonte në zhvillimin dhe promovim të mëtejmë të turizmit duke qenë se në Kosovë nuk e kemi shumë të zhvilluar si sektor. Gjithashtu, të krijohen zona turistike, të cilat do të kishin kapacitete më të mëdha për plotësimin e nevojave të klientëve dhe të ndikonte në tërheqjen e një numri më të madh të turistëve. Ne e dimë se shkollat e Kosovës kanë marrëveshje të ndryshme me zonat turistike në Shqipëri duke dërguar nxënësit atje për çdo periudhë të caktuar, prandaj rritja e kapacitetit në këtë drejtim do të bënte dhe do të krijonte mundësi që e njëjta të shfrytëzohej gjatë sezonit dimëror duke shfrytëzuar turizmin malor tek ne”, tha ajo.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Lumturie Geci, tha se përmes Ligjit për turizimin rregullohen të gjitha fushat, derisa theksoi se Ministria synon që përveç buxhetit të ngritë edhe kapacitetet.

Geci: Taksa e akomodimit është me vlerë deri në 2 përqind dhe kjo vendoset nga komunat

“Taksa e akomodimit është me vlerë deri në 2 përqind dhe kjo vendoset nga komunat nëse kanë për interes potencial ose interes për zhvillimin e turizmit atëherë mund të vendosin përqindjen por jo më lartë se 2 përqind. Kjo parashihet në bazë të çmimit të dhomës kjo taksë parashihet ashtu, por komunat nëse e kanë dhe kemi informata deri tash sepse kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë edhe me komunat dhe ka pasur interesim nga komunat për këtë taksë... Kjo taksë më pas ndihmoi në promovimin, domethënë destinimi i komunave pastaj duhet ta destinojë në zhvillim dhe promovim, pra krijohet një fond shumë i mirë dhe do të ishte një shtesë e buxhetit...  Ngritje të buxhetit duhet të ketë dhe ligji nuk është vetëm për tri vitet e ardhshme por parashihet të jetë më i gjatë, më i qëndrueshëm, ndërkohë që Ministria jonë synon që përveç buxhetit t’i ngrit edhe kapacitetet, ligji në fillim i rregullon të gjitha fushat”, tha Geci.

Nënkryetatrja e këtij komisioni, Jeta Statovci potencoi se taksa prej 2 përqind e këtij projektligji është e specifikuar për zhvillimin e sektorit të turizmit.

Statovci: Çështja e cila nuk u trajtua është zona turistike

“U përmendën shumë çështje, ndoshta njëra prej çështjeve e cila nuk u trajtua është çështja e zonave turistike, pra po e shohim tek neni 45 dhe 46, përfshihen disa elemente që e qartësojnë këtë, pra ceket që me akt nënligjor ministria përcakton edhe kriteret se çka kualifikohet si zonë për zhvillimin e turizmit... Gjithashtu më gëzon fakti që taksa e cila është e paraparë gjithashtu është edhe me destinacion, jo një taksë e cila derdhet në buxhet të përgjithshëm që mund të shkojë në sektorë të ndryshëm, mirëpo është e specifikuar të jetë në promovimin dhe zhvillimin e turizmit, dhe mendoj që është shumë mirë të jetë e targetuar në aspektin e destianacionit dhe jo një taksë që i ndihmon sektorit... por ka efektin e saj pozitiv në promovimin dhe zhvillimin e saj”, tha ajo

Në këtë komision u kërkua që diskutimet e ndryshme të mbahen në Prishtinë dhe jo në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat