Kusari–Lila thotë se nuk kanë pranuar kërkesë zyrtare mbajtjen e zgjedhjeve të 3 prillit në Serbi, deklarohet opozita

Aktuale

Kusari–Lila thotë se nuk kanë pranuar kërkesë zyrtare mbajtjen e zgjedhjeve të 3 prillit në Serbi, deklarohet opozita

Më: 14 mars 2022 Në ora: 16:30
Mbledhja e Kryesisë

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë sot se nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë nga Serbia për t’i lejuar zgjedhjet serbe që të mbahen edhe në Kosovë. Këto komente Kusari-Lila i bëri në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë të Kuvendit. Ndërsa nga opozita thonë se presin që Qeveria të sillet karshi obligimeve të marra nga Kuvendi.

Kusari-Lila ka thënë se presin që Serbia të dërgojë një kërkesë zyrtare, të bazuar në ligjet e aplikueshme të Kosovës, dhe pastaj të merret një vendim pro apo kundër mbajtjeve të zgjedhjeve.

Kusari Lila: Serbia duhet të dërgojë kërkesë zyrtare Kosovës

"Përgjigjja e Institucioneve të Republikës së Kosovës, tashmë e konfirmuar edhe në nivel të legjislativit është që vetëm në një pranim të kërkesës zyrtare nga shteti i Serbisë drejtuar shtetit të Kosovës, me kërkesë bazuar në ligjet e aplikueshme të Kosovës dhe në praktikat evropiane, do të shqyrtohej ajo kërkesë dhe do të merret vendimi pro apo kundër mbajtjes së zgjedhjeve. Deri në këtë situatë ose në këto momente ne nuk kemi një kërkesë nga Serbia për mbajtje të zgjedhjeve. Ka kërkesë nga Serbia drejtuar institucioneve ndërkombëtare, por në Kosovë autoriteti sovran është Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Institucionet e Kosovës”, tha Kusari Lila.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu tha se pret koordinim të mirë të Qeverisë në lidhje me procesin e mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi.

Deliu: Pres të ketë një koordinim të Qeverisë në raport me përfaqësuesit

“Një koordinim më i mirë i institucioneve të Republikës së Kosovës do të kishte qartësi në lidhje me procesin e mbajtjes së zgjedhjeve atje. Pres që të kemi një dinamikë më të shtuar dhe të ketë një koordinim më të mirë të Qeverisë në raport edhe me akterët e tjerë përfaqësues të opozitës dhe faktorë të tjerë”, tha Deliu.

Sipas deputetit Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Qeveria duhet të sillet karshi obligimeve që ka marrë nga Kuvendi.

Selmanaj: Qeveria e futi Kuvendin në lojë, të sillet karshi obligimeve që ka marrë nga Kuvendi

“Qeveria në atë kohë duke mos qenë në konusltim të duhur me faktorin ndërkombëtar e futi edhe Kuvendin në lojë, prandaj edhe në atë kohë kemi thënë që Qeveria duhet të ketë kujdes maksimal që të ruaj raportin me ndërkombëtarët... Qeveria e Kosovës tashmë ka një rezolutë, ka kërkuar dhe ka marrë një rezolutë, që ka ndaluar ligjin për referendumin në pjesën veriore të Kosovës. Tashmë ka obligim, Kuvendi e ka dhënë atë obligim dhe si e tillë ne presim që Qeveria të sillet karshi obligimeve që ka marrë nga Kuvendi”, tha Selmanaj.

Deptutja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, tha se Qeveria e Kosovës ka kompetenca të plota të vendos sa i përket lejimit ose jo të qytetarëve serbë për të votuar në Kosovë në zgjedhjet serbe të 3 prillit që do të mbahen në Serbi.

Kadrijaj: Qeveria ka kompetenca të refuzojë mbajtjen e referendumit në Kosovë

“Qeveria është dashur, ka mundur dhe ka pasur kompetenca që vetë ta përfundojë dhe të refuzojë mbajtjen e referendumit në Kosovë, por ka kërkuar përkrahjen e deputetëve, Kuvendit dhe ne i kemi dhënë përkrahje. Ka kompetenca të plota Qeveria të vendos, dhe ajo çka duhet të bëjë është të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, tha Kadrijaj.

Më 3 prill, Serbia mban zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat