Qeveria ndan 50 milionë euro për subvencione në bujqësi, rreth 500 euro për një hektar grur

Aktuale

Qeveria ndan 50 milionë euro për subvencione në bujqësi, rreth 500 euro për një hektar grur

Më: 9 mars 2022 Në ora: 15:47
Kryeministri Kurti dhe ministri Peci

(E plotësuar 17:18) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka insistuar sot se ka rezerva për produkte ushqimore dhe i ka ftuar qytetarët të mos bëjnë panik.

Kryeministri Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë blerë më tepër miell se që ju duhet, që ta dërgojnë atë nëpër furra.

Kurti: Inkurajoj qytetarët ta dërgojnë miellin në furrë, nuk ka vend për panik

“Pajtohem plotësisht, ka rezerva, dhe rrjedhimisht nuk ka vend për panik. I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të ndihen të sigurt siç është edhe situata në vendin tonë. Para se të vij këtu, unë i takova drejtuesit e shoqatës së mullisëve, të cilët më siguruan që në Kosovë edhe për 2 muaj ka grurë që ende nuk është bluar, ndërkaq, në muajin e kaluar kanë bluar grurë dhe tash ka miell edhe për së paku 3 muaj. Pra, 3 muaj plus 2 muaj. Rrjedhimisht të gjithë qytetarët të cilët mund të kenë blerë më shumë se që iu nevojitet, i kisha inkurajuar që miellin ta dërgojnë në furrë, sepse nuk ka vend për panik”, theksoi Kurti.

Ndërsa sa i përket rritjes së çmimit të vajit ushqimor deri në 2 euro e 29 centë, ai theksoi se ka elemente të dyshimta abuzive nga tregtarët. Kurti theksoi se ajo që është e nevojshme tani, është për një inspektorat dhe mbikëqyrja e shtetit ndaj çfarëdo keqpërdoruesi e manipuluesi, që përpiqet të përfitojë nga kriza.

Kurti: Sa i përket shtrenjtimit të vajit, ka elemente që na bëjnë të dyshojmë

“Do të vizitoj në mesditë, nesër kompaninë ‘Floil’, një kompani në Kosovë për përpunimin e vajit ushqimor. Ata i përpunojnë diku 100 mijë litra në muaj dhe do të diskutojmë se cila është e ardhmja në javët dhe muajit që vijnë. Më lejoni të pajtohem me ju, që duke mos pasur mungesa ka elemente që na bëjnë të dyshojmë se përfituesit nga kriza botërore po dëshirojnë të fitojnë edhe tek ne. As një kilogram miell në Kosovë nuk përdoret që ka ardhur nga Federata Ruse ose Ukraina. Ne i dimë kapacitetet tona dhe jemi të interesuar që t’i shtojmë këto kapacitete tona. Mirëpo, nuk ka vend për panik. Është e vërtet se çmimi i grurit në bursën ndërkombëtare është rritur për shkak të luftës në Ukrainë. Tash çmimi i grurit në bursën ndërkombëtare sillet 430 euro toni, mirëpo një rritje e tillë në Kosovë nuk na godet për shkak se ne nuk jemi furnizuar prej atyre zonave të luftës”, tha ai.

Ndërsa, ministri Bujqësisë, Faton Peci ka treguar për mënyrën e subvencionimit të qytetarëve në këtë krizë dhe për programin e subvencioneve për bujqit.

Ai tha se fermerët do të subvencionohen nga 0.36 centë për një litër naftë.

Peci: Me 50 milionë euro subvencionohen sivjet bujqit

“Ne nuk kemi qëndruar duar kryq karshi vështirësive të rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore, përkundrazi rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore iu kemi kundërpërgjigjur me rritjen enorme për bujqit dhe fermerët tanë. Përkrahja do ta jetë posaçërisht për produktet strategjike të cilat bëjnë pjesë në sigurinë kombëtarë të ushqimit, siç janë drithërat, respektivisht gruri, perimet patate, fasule, si dhe kultura pemëtarë dhe gjitha të tjerat. Vetëm në kategorinë e subvencionimit për këtë vit kemi në dispozicion rreth 50 milionë euro, ndërsa shumë shpejt hapjen e thirrjes edhe në kategorinë e granteve. Punimi i tokës përveç domosdoshmërisë në këto rrethana dhe në këtë kohë, mund të shihet edhe si veprim patriotik. Për herë që nga pas lufta fermerët tanë do të subvencionohen me naftë dhe vlera e naftës do të jetë rreth 50 milionë euro, duke kalkuluar kompensimin për litër naftë për 0.36 centë. Njëherësh me një vlerë totale prej 8 milionë euro grurin, misrin, fasulen dhe pataten do të subvencionohen inputet e plehërimit pranveror”, tha ai.

Qeveria subvencionon çmimin e karburanteve për bujqit, 36 centë për një litër naftë

Pas shtrenjtimit të naftës në tregun tonë deri 1.65 euro, qeveria ka marrë vendim që ta subvencionojë çmimin e naftës për bujqit në vlerë prej 5 milionë euro ose 36 centë për një litër.

Në raport për rrethanat e krijuara, bujqit përpos naftës do të subvencionohen edhe për plehërim pranveror, 150 euro për hektar për grurin, kurse nga 100 euro për hektar për kulturat e misrit, patates dhe fasules.

Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media theksoi se nafta është një ndër shpenzimet kryesore operative për bujqit, prandaj, po e marrin këtë vendim për mbështetjen e fermerëve në këtë kohë krize.

Kurti: Po e subvencionojmë naftën për bujqit 5 milionë euro

“Nafta parqet një ndër shpenzimet kryesore operative për fermerët, deri këtë vit përkundër premtimeve që janë dhënë asnjë qeveri nuk i ka përkrahur bujqit në këtë drejtim. Pra, ne po sigurohemi që vetëm bujqit e vërtetë të marrin përkrahje, edhe tani po e shtojmë këtë përkrahje. Me subvencionimin e naftës përmbushet edhe një zotim publik, zgjedhor dhe qeveritar i yni. Sot, është nevojë urgjente e bujqve ndaj të cilëve kemi përgjegjësi. Sot, duke mbajtur zotimin para qytetarëve Qeveria e Kosovës do të subvencionojë çmimin e naftës për bujqit në vlerë prej 5 milionë euro. Andaj, prej 36 centë për litër do të subvencionohet nafta për të gjitha kulturat. Në raport për rrethanat e krijuara, bujqit përpos naftës do të subvencionohen edhe për plehërim pranveror . 150 euro për hektar për grurin, kurse nga 100 euro për hektar për kulturat e misrit, patates dhe fasules”, tha ai.

Ndërkaq, për grurin përveç subvencionimit prej 150 euro për hektar, Kurti tha se do të bëhet subvencionimi prej 3 centë për një kilogram për dorëzim në mulli. Në total, sipas tij, duke përfshirë këtu subvencionimin e sipërfaqes, rendimentit, plehërimit pranveror dhe naftës, kultura e grurit po subvencionohet për 474 euro ose 320 euro më shumë. 

***

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci në një konferencë për media ka njoftuar se do të subvencionojnë bujqit dhe se për këtë kanë në dispozicion 50 milionë euro.

Ministri Peci ka thënë se për here të parë bujqit do të subvencionohen edhe me naftë.

“Ne nuk kemi qëndruar duarkryq karshi rritjeve të çmimit të produkteve. Përkrahja do të jetë për drithëra, patate, fasule e të tjera. Kemi në dispozicion rreth 50 milionë euro. Do të subvencionojmë bujqit dhe fermerët”, deklaroi ai.

Tutje, ministri ka thënë se nuk do të mbetet asnjë pëllëmbë e tokës pa u punuar.

“Toka është pasuri, duart më të vlefshme janë ato që e punojnë tokën”, theksoi ai.
 

Image
Programi për pagesa direkte

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat