Mos dënimi i agresionit rus në Ukrainë nga Serbia, profesori Videnoviq: Më vjen turp për shtetin tim

Aktuale

Mos dënimi i agresionit rus në Ukrainë nga Serbia, profesori Videnoviq: Më vjen turp për shtetin tim

Më: 2 mars 2022 Në ora: 09:29
Ivan Videnoviq

Profesori universitar në Universitetin e Beogradit, Ivan Videnoviq ka reaguar lidhur me vendimin e Serbisë për të mos i vendosur sanksione Rusisë, pas agresionit ushtarak në Ukrainë.

Videnoviq me anë të një shkrimi në Twitter ka thënë se i vjen turp që Serbia nuk e ka dënuar agresionin rus.

“Unë jam krenar për të gjitha pjesët e ish-shtetit tim të Jugosllavisë për dënimin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Unë jam krenar për Kosovën, dikur pjesë e shtetit tim, për shkak të dënimit të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Më vjen turp për shtetin tim, Serbinë”, ka reaguar Videnoviq.

Parlamenti Evropian gjatë të martës ka miratuar një rezolutë që dënon agresionin rus të Ukrainës.

Rezoluta i bën thirrje Moskës të pezullojë menjëherë të gjitha aktivitetet ushtarake, të tërheqë forcat dhe pajisjet ushtarake dhe paraushtarake nga i gjithë territori i njohur ndërkombëtarisht i Ukrainës.

“Parlamenti Evropian vëren me shqetësim të madh përpjekjet e vazhdueshme të Federatës Ruse për të destabilizuar vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për të penguar proceset e tyre demokratike”, thuhet në tekst.

Përfaqësuesit e Serbisë në Këshillin e Evropës janë tërhequr gjatë votimit për “suspendimin” e diplomatëve dhe delegatëve rusë në organet kryesore të asaj organizate. Kështu, Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.

Ajo mbeti, së bashku me Bosnjën e Hercegovinën, i vetmi vend në rajon që nuk u rreshtua ose nuk njoftoi përafrimin e saj me raundin më të ri të sanksioneve të prezantuara nga BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat