MASHT paralajmëron ligj të ri për maturën shtetërore

Aktuale

MASHT paralajmëron ligj të ri për maturën shtetërore

Më: 24 shkurt 2022 Në ora: 21:34
Foto ilustrim

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka marrë pjesë në sesionin hyrës të webinarëve për mësimdhënës me temë: “Zbatimi i Vlerësimit për të Nxënë(VpN)”, të organizuar nga Programi “Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt”- ASSET, i financuar nga USAID.

Me këtë rast, ministrja Nagavci ka thënë se vlerësimi për të nxënë ose vlerësimi formativ ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit gjatë procesit të të nxënit dhe, si i tillë, është pjesë integrale e zbatimit të kurrikulës shkollore, pra ky program është përfshirë në pakon e gjashtë programeve që përgatisin mësimdhënësit për implementimin e kurrikulës së bazuar në kompetenca.

Ministrja falënderoi Qeverinë e SHBA për mbështetjen financiare të Programit, si dhe partnerët implementues të këtij programi, i cili operon në 16 gjimnaze dhe deri më tani ka certifikuar 307 mësimdhënës dhe drejtorë për VpN dhe përmes webinarëve, po vazhdon punën me ta me qëllim të rifreskimit dhe përforcimit të njohurive të fituara.

Duke folur për vlerësimin, ministrja Nagavci bëri të ditur se MAShTI është duke punuar në ngritjen e kapacitetit për vlerësim të jashtëm dhe shfrytëzimin sa më të mirë të rezultateve të vlerësimit të jashtëm për politikëbërje dhe përmirësim të cilësisë së arsimit.

Po ashtu, ministrja Nagavci tha se këto ditë fillojmë hartimin e koncept-dokumentit për Ligjin e ri të maturës shtetërore, për ta bërë këtë provim më të besueshëm, ndërsa tha se do ta formojmë edhe Qendrën për Vlerësim, e cila do të ketë më shumë personel dhe kushte më të mira pune, në mënyrë që të menaxhohen sa më mirë vlerësimet e jashtme kombëtare dhe ndërkombëtare që organizohen në Kosovë.

Kosova tanimë merr pjesë në të gjitha studimet relevante ndërkombëtare që japin informacion për gjendjen në sistemin e arsimit, siç janë: PISA, PIRLS, TIMSS, ndërsa për herë të parë do të marrim pjesë edhe në TALIS (studim për mësimdhënësit) dhe ICILS (studim për shkathtësitë digjitale).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat