Njihuni me skandalin e “Viva Fresh Store” me të dhënat personale të qytetarëve

Aktuale

Njihuni me skandalin e “Viva Fresh Store” me të dhënat personale të qytetarëve

Më: 21 shkurt 2022 Në ora: 14:35
“Viva Fresh Store”

“Viva Fresh Store” është përfshirë në një skandal me përpunimin e jashtëligjshëm të të dhënave personale të klientëve të saj. Shteti e ka urdhëruar gjigantin e rrjeteve të marketit, të ndalojë keqpërdorimin me të dhënat personale. Kompania nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës.

A ju ka ndodhur që arkëtaret e “Viva Fresh Store” të kërkojnë të dhënat personale tuaja në mënyrë që të kryhet një pagesë me kartëmonedhë 200 euroshe?

Nëse po, atëherë gjiganti i marketeve në Kosovë ka keqpërdorur të dhënat tuaja.

Kështu ka konstatuar Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), në një vendim të nxjerrë të premten e 18 shkurtit.

“Viva Fresh Store” u ka kërkuar klientëve të saj kopjen e leternjoftimit personal në mënyrë që të kryenin pagesë me kartëmonedha 200 euro. Veprimin e jashtëligjshëm e ka ndërmarrë mbi një arsyetim: për shkak të dyshimeve për falsifikimin e kësaj monedhe.

Dhjetëra qytetarë janë ankuar kundër keqpërdorimit të dyshuar të të dhënave të tyre pranë Agjencinë për Informim dhe Privatësi, një organ i pavarur që merret me mbikëqyrjen e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Inspektorët e AIP-it u ka dhënë të drejtë klientëve.

Agjencia ka urdhëruar të premten kompaninë “Viva Fresh Store” që të ndalojë përpunimin e të dhënave personale të klientëve.

“Urdhërohet ‘’Viva Fresh” SH.P.K, të ndalojë përpunimin e të dhënave personale përmes marrjes së kopjes së letërnjoftimit për pagesat me kartëmonedhë dyqind (200) €”, thuhet në vendim.

Në pikën e dytë të vendimit, AIP-i ka urdhëruar gjigantin e marketeve që të shkatërrojë të dhënat personale të cilat i ka përpunuar deri tash.

“Urdhërohet Viva Fresh SH.P.K, të shkatërrojë të dhënat personale të grumbulluara përmes marrjes së kopjes së letërnjoftimit për pagesat me kartëmonedhë dyqind (200) €”, thuhet në vendim.

Shteti i ka dhënë tetë ditë afat kompanisë “Viva Fresh Store” që të dëshmojë se ka ndërmarrë veprime sipas urdhrit të AIP.

Media kontaktoi të hënën me selinë e “Viva Fresh Store” në përpjekje për të marrë një sqarim rreth veprimeve të dyshimta të kompanisë kundrejt klientëve, por nuk mori përgjigje përmes telefonit. Kompania nuk u përgjigj as në pyetjet me shkrim të drejtuara nga mediumi.

Konsumatorët e “Viva Fresh Store” kanë thënë se arkëtaret e marketeve nuk kanë ofruar asnjë dëshmi në lidhje me numrin serik të monedhës që ata kanë dorëzuar.

Kësisoj, është krijuar mundësia e keqpërdorimit të mëtutjeshëm të të dhënave personale.

“Pasi që në shqetësimin e shprehur në ankesë, është grumbullimi i të dhënave përmes kopjimit të letërnjoftimit dhe mundësia e keqpërdorimit të tij, e cila leht mund të ndërrohet gjatë dëshmive për falsifikim të monedhës së lartcekur”, vijon vendimi i AIP.

Në një përgjigje për AIP, “Viva Fresh” ka insistuar në ligjshmërinë e veprimeve të saj.

Kompania, ka thënë se përpunimi i të dhënave personale është i ligjshëm “nëse i njëjti është i domosdoshëm për qëllime të interesave legjitime të ushtruara nga kontrolluesi i të dhënave.”

Megjithatë, pretendimet e kompanisë janë rrëzuar nga inspektorët e AIP-as.

“‘Viva Fresh’ SHPK (në cilësinë e kontrolluesit), nuk ka pasur bazë ligjore të duhur që të bëjë përpunimin e këtyre të dhënave personale përmes marrjes së kopjes së letërnjoftimit dhe me këtë veprim ka përpunuar të dhënat personale në kundërshtim me nenin 4 dhe 5 të LMDHP-së”, thuhet në vendim.

E themeluar më 2006, “Viva Fresh Store” posedon 119 njësi në tërë territorin e Kosovës, bazuar në të dhënat publike të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK).

Pronar i 100 përqind të aksioneve të kompanisë, sipas të dhënave publike, është Xhevdet Rexhepi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat