Librat e historisë pak shkruajnë për Ditën e Pavarësisë

Aktuale

Librat e historisë pak shkruajnë për Ditën e Pavarësisë

Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 21:17
Ilustrim

Ditë historike, e vulosur në letër.

E pakthyeshme, e papërsëritshme, e njohur ndërkombëtarisht nga mbi 100 shtete.

Vështirë e fituar, e edhe për ta harruar.

Por, shumë pak e mos thënë fare e dokumentuar.

14 vjet pas momentit më sublim të vendit, shpalljes së Kosovës shtet sovran e demokratik, shumë pak libra flasin për ngjarjen më të rëndësishme në historinë e vendit.

Për, 17 shkurtin e 2008-tes nuk flitet shumë në librat e historisë që nxënësit nisin të mësojnë qysh në shkollë fillore.

Librat e historisë tregojnë gjithçka tjetër, por jo edhe për këtë datë me rëndësi për popullin tonë.

Në pak paragrafë, shkruhet për krijimin e shtetit tonë.

Këtë e thonë edhe njohësit e kësaj fushe.

Bujar Dugolli: Tekstet tona çalojnë, duhet të plotësohet Ligji për hartimin e tyre

Historiani Bujar Dugollinë thotë se tekstet shkollore nuk janë të mjaftueshme për ta pasqyruar të vërtetën.

“Tekstet tona çalojnë, sepse kjo dinamikë e zhvillimit, sidomos e viteve 90-ta deri në 1999, me çlirimin e Kosovës, edhe prej çlirimit deri më 2008 një proces tjetër e ndërtimit të shtetit të Pavarësisë së Kosovës është një proces po ashtu shumë dinamik, që pak ose thuaj fare pak paraqitet në tekstet shkollore. Unë jam dakord që nxënësit nuk duhet të ngarkohen shumë në detaje dmth në këtë drejtim, por unë mendoj që ka vend që formulimi të ndryshojë, disa argumente të sillen sidomos për atë që ka përjetuar populli i Kosovës“, tha ai.

E gjithë kjo, sipas Dugollit ka ndodhë për shkak të praktikës jo të duhur të përzgjedhjes së materialit derisa thotë se ligji për hartimin e teksteve shkollore duhet të plotësohet.

Historiani Dugolli thotë se Ministria e Arsimit duhet të përzgjedh tekst shkruesit, e jo t’i lë në dorë të shtëpive botuese.

“Unë mendoj që praktika e deritanishme nuk ka qenë e duhur sa i përket përzgjedhjes materialit dhe teksteve të historisë, personalisht mendoj që ligji për hartimin e teksteve duhet të plotësohet, duhet të pësojë ndryshime, dhe ministria e Arsimit duhet të përzgjedh tekst shkruesit, profesionistët sipas fushave të historisë, që ata të ulen dhe të shkruajnë dhe ato të jenë materiale shkollore, dhe jo të jetë në përzgjedhje të shtëpive botuese, dmth shtëpitë botuese përzgjedhin autorët, dhe garojnë për të fituar projektet për tekstet“, thotë ai.

Të njëjtën e thotë edhe historiani tjetër, Xhemajl Halili.

Ai thotë se tekstet shkollore nuk tregojnë mjaftueshëm për Pavarësinë e Kosovës.

“Për luftën e Kosovës është një rezultat, po ashtu edhe për Pavarësinë e Kosovës është një rezultat tjetër, mendoj që do të duhej të kishte edhe rezultate të tjera sepse historia është mjaftë e rëndësishme për secilin popull, andaj që të jemi të informuar për atë që ka kaluar populli shqiptar, përkatësisht Kosova gjatë luftës së fundit do të duhej që të kishte më shumë rezultate“, u shpreh ai.

Historiani Halili thotë se as për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk dimë saktë se kur është themeluar, pasi siç thotë ai ka mendime të ndryshme.

“Jemi dy dekada pas luftës së Kosovës, ne për UÇK-në nuk është që dimë shumë, njëra prej arsyeve kryesore është që nuk e dimë se kur është themeluar UÇK-ja, ka shumë mendime të ndryshme, por nuk e kemi një vendim që thotë se me këtë datë, në këtë vend, morën pjesë këta individë dhe formuan UÇK-në, kemi mendime të ndryshme nga komandantët të cilët kanë marrë pjesë“, deklaroi ai.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacioni kanë thënë se tekstet shkollore përgatiten në përputhje të plotë me kurrikulën dhe programet lëndore të Republikës së Kosovës.

Nga kjo Ministri thanë se tani janë në draftimin e ligjit për tekste shkollore, dhe pritet në vitet në vijim një rishikim i teksteve, por nuk kanë precizuar as vitin kur mund të ndodhë kjo.

“MASHTI tani është në fazën e draftimit të Ligjit për tekste shkollore dhe mjete mësimore, ku në vitet në vijim pritet një rishikim i teksteve shkollore për të tri nivelet e arsimit para universitar”, thuhet në përgjigjen e tyre.

E kur pyeten nëse kanë pasur kërkesa që në librat e historisë të flitet për Pavarësinë e Kosovës, nga MSHT-i thonë se nuk kanë pasur kërkesa të tilla dhe se në bazë të nevojës që vie nga konstatimi i ekspertëve të kësaj fushe, librat mund edhe të zgjerohen në përmbajtje.

“Nuk kemi pasur kërkesa të tilla, por në bazë të nevojës që konstatojnë ekspertet e fushës sigurisht që do të zgjerohet në përmbajtje”, thuhet në përgjigjen e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat