Arbërie Nagavci uron 52 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës

Aktuale

Arbërie Nagavci uron 52 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës

Më: 15 shkurt 2022 Në ora: 14:20
Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e ka uruar 52-vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ajo ka theksuar se ky universitet është pjesë e rëndësishme e historisë së shqiptarëve.

“Sot po shënojmë ditëlindjen e 52-të të Universitetit të Prishtinës, kujtojmë të gjithë intelektualët, duke filluar nga rektori i parë Dervish Rozhaja, të cilët vunë në dispozicion fuqinë intelektuale e njerëzore për ta zhvilluar Universitetin. Ata bënë që ky universitet të bëhet institucion i dijes, e njëkohësisht edhe vendi nga ku gjenerata të tëra u frymëzuan për ta dashur lirinë dhe atdheun”.

“Kujtojmë të gjithë ata studentë që vit pas viti u bënë prijës të proceseve të rëndësishme për Kosovën, duke i qëndruar besnikë rrugës drejt lirisë, pavarësisë e shtetndërtimit. Ata protestuan fuqishëm kundër padrejtësive në çdo kohë, madje duke dhënë edhe jetën bashkë me mësimdhënësit e tyre”, ka shkruar Nagavci në rrjetin social Facebook.

Ajo ka theksuar se ministria dhe UP-ja e kanë mision që të përgatisin gjeneratat e reja për të ardhmen.

“Në këtë mision, do të jemi të gjithë bashkë, duke krijuar politika dhe duke i jetësuar ato, në mënyrë që Universiteti ynë të ketë një vend të rëndësishëm në listën e universiteteve të respektuara të botës, por edhe në zhvillim shoqëror, mirëqenie, në shkencë e inovacion. Kjo është mënyra më e mirë që Universitetin e Prishtinës ta mbajmë në vendin e merituar në historinë tonë, tashmë në një dimension tjetër”, ka shkruar Nagavci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat