“Frikacak, diktator”/ Përplasje në Kuvend për shtrenjtimin e rrymës, nuk kalon Rezoluta e opozitës

Aktuale

“Frikacak, diktator”/ Përplasje në Kuvend për shtrenjtimin e rrymës, nuk kalon Rezoluta e opozitës

Nga: Bota sot Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 07:03
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar 17:38) - Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë punimet e seancës së sotme plenare për të vazhduar të premten nga ora 11:00.

Kjo pasi që Partia Demokratike e Kosovës paralajmëroi se nuk do të merr pjesë në votimin e projektligjeve në rendin e ditës.

Ganimete Musliu, deputete e PDK-së, ka thënë se nuk ka kushte për vazhdimin e seancës plenare, e ndër to përmendi mungesën e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në debat.

Musliu: Gjendja në sallë nuk krijon kushte për punë

“Gjendja në sallë nuk krijon kushte për punë. Së pari e votuam Ligjin për ndihmë juridike falas, sepse i trajtuam nevojat e qytetarëve dhe GP i VV nuk mori pjesë në votim. Grupi Parlamentar i PDK-së nga ky koment edhe pse është këtu, nuk do të merr pjesë në votimet tjera, sepse është fyerje për deputetët e Kuvendit të Kosovës ku po debatohet për më shumë se 10 orë në këtë Kuvend dhe nuk e kemi prezent asnjë ministër dhe asnjë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, prandaj deklarohem publikisht se nuk do të marrim pjesë në votime”, ka thënë Musliu.

Paraprakisht, Kuvendi me vota 60 pro, dy kundër dhe asnjë abstenim ka miratuar Ligjin numër 08/035 për ndryshimin e ligjit për ndihmë juridike falas.​

Nuk kalon rezoluta e propozuar nga partitë opozitare për vendimin e ZRrE-së

Në mungesë të kuorumit, votimi i rezolutës së propozuar nga tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK për vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritje të çmimit të energjisë është lënë për ndonjë seancë të radhës. Në votim morën pjesë vetëm 30 deputetë.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri prezantoi gjashtë pikat që përbënin këtë rezolutë.

Si pika kryesore ishin që vendimi i ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë të anulohet menjëherë, dhe Kuvendi i Kosovës të iniciojë shkarkimin e Bordit të ZRrE-së për mungesë profesionalizmi.

Tahiri: Vendimi i ZRrE-së për ngritjn e çmimit të energjisë të anulohet, të shkarkohet Bordi i ZRrE-së

“Vendimi i ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë të anulohet menjëherë, Kuvendi i Kosovës të iniciojë shkarkimin e Bordit të ZRrE-së për mungesë profesionalizmi. Qeveria të subvencionojë çmimin e energjisë elektrike linearisht për gjithë qytetarët dhe bizneset, Qeveria të heq TVSH-në për energjinë elektrike deri në përfundim të krizën energjike, Qeveria të angazhohet për themelimin e fondit për konsumatorët në nevojë ashtu siç e obligon Ligji për energji. Të nisin konsultimet për tarifat e reja që duhet të jenë pjesë e strategjisë afatgjate të energjisë ndërtimit të kapaciteteve dhe stabilitetit të furnizimit”, tha ai.

Tahiri u shpreh se diferencimi i konsumatorëve përmes subvencioneve është shkelje e të drejtave të njeriut dhe jashtë frymës kushtetuese.

Tahiri: Diferencimi i konsumatorëve përmes subvencioneve është shkelje e të drejtave të njeriut dhe jashtë frymës kushtetuese

“AAK, PDK, LDK i propozojnë Kuvendit të Kosovës miratimin e kësaj rezolute. Në një situatë të rënduar socio-ekonomike si dhe ndikimi zinxhiror i krizave qoftë shëndetësore apo ekonomike, shtrenjtimi i energjisë elektrike është i papërballueshëm për shumicën e familjeve në vendin tonë. Diferencimi i konsumatorëve përmes subvencioneve të Qeverisë është më së paku shkelje e të drejtave të njeriut dhe jashtë frymës kushtetuese. Për më tepër ky vendim është i paanalizuar qartë dhe nuk merr në konsideratë faktorët realë, gjendjen socio-ekonomike në vend”, u shpreh ai.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike dje ka miratuar tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët, ndërsa vendimi nga sot ka hyrë në fuqi dhe vlen deri në mars të vitit 2023. Ata të cilët shpenzojnë energji elektrike deri në 800 kilovatë orë në muaj nuk do të preken nga shtrenjtimi i energjisë elektrike. Ndërsa ata që konsumojnë mbi 800kWh është tarifa e lartë prej 12,5 cent dhe tarifa e ulët 6,75 cent

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka shprehur keqardhjen e saj për deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët sipas saj me zemër dhe shpirt e kundërshtojnë shtrenjtimin e rrymës, por që siç tha ajo, tek disa mungon guximi për ta kundërshtuar këtë vendim.

Në seancën e jashtëzakonshme ku po debatohet për shtrenjtimin e rrymës, Musliu tha se kishte edhe deputetë nga mazhoranca që i thanë jo vendimit të ZRrE-së.

Musliu: Kurrë asnjë ditë nuk më ka ardhur më keq sepse e di si ndiheni sot

“Për mua është e dhimbshme dhe kurrë, asnjë ditë nuk më ka ardhur më keq prej juve, mesit të sallës për të vetmen arsye se e besoj që si ndiheni sot me zemër e me shpirt, ju jeni kundër këtij vendimi jo me neve por me qytetarët e Kosovës. Unë e di që me zemër dhe me shpirt ju jeni me qytetarët e Kosovës, fatkeqësia më e madhe është se juve iu mungon guximi jo të gjithëve sepse në grupin tuaj parlamentar ka deputet që guxojnë me i thënë jo këtij vendimi edhe i kanë thënë jo edhe sot kur ju të gjithë e braktisët sallën e Kuvendit, kishte deputetë të grupit tuaj që patën guxim me qëndrua me opozitën”, tha ajo.

Musliu tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është frikacak sepse nuk po guxon të përballet me problemin që u ka shkaktuar qytetarëve.

Musliu: Kurti përveç se është mashtrues dhe frikacak është edhe shakaxhi

“Para disa ditësh në këtë foltore edhe në këtë parlamentar para thënë që Albin Kurti ose kryeministri i vendit tonë është frikacak, kjo po dëshmohet edhe sot e shihni sa frikacak që është përveç që nuk guxon vetë të vijë të përballet me problemin që u ka shkaktuar qytetarëve të Kosovës ai i detyron edhe ministrat që mos të vijnë në sallë. Nuk i duhet këtij vendi një Qeveri frikacake, e ke marr vendimin, hajde ballafaqohu, e ke mbështet këtë vendim hajde ballafaqohu por jo me ikë mos ikë sepse nuk mund t’iu ikësh qytetarëve të Kosovës. Ai përveç se është frikacak dhe mashtrues është edhe një shakaxhi i madh, e keni parë se si bënë hajgare me popullin, gjatë gjithë ditës sot ka bërë ekzibicione në Facebook-un e tij duke u munduar t’iu shpjegoj tarifat qytetarëve të Kosovës”, tha ajo. 

Pacolli: Në Kosovë nuk ka rritje ekonomike, është mashtrim

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka thënë se qytetarëve të Kosovës u është ngarkuar barra e shtrenjtimit të energjisë elektrike si pasojë e mungesës së një strategjie nga Qeveria e Kosovës.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku po zhvillohet debat për shtrenjtimin e energjisë elektrike, Pacolli ka thënë se është mashtrim kur thuhet se në Kosovë ka rritje ekonomike.

Pacolli: Në Kosovë nuk ka rritje ekonomike, është mashtrim

“Është vetëm mashtrim, në Kosovë nuk ka rritje ekonomike për arsye se rritja ekonomike ka bazat e veta, më tepër konsum dhe projekte infrastrukturore, këto mungojnë në Kosovë, më trego dikush cilat projekte infrastrukturore kjo qeveri deri tash i ka filluar dhe është duke i kryer, më trego sa u rrit paga ose të hyrat për qytetarë dhe sa u rrit shporta për konsumatorin, është më dobët dhe më ulët sesa ka qenë. Kosova po përballet me krizë të rëndë ekonomike dhe sociale… Sot qytetarët e Kosovës e kanë sfidën e pagesës së energjisë elektrike e cila ju ngarkua si barrë nga Qeveria e tyre në mungesë të një strategjie tjetër e cila do të lehtësonte jetën e tyre”, ka thënë Pacolli. 

Berisha - Kurtit: Në krizë nuk është e ndershme të silleni si diktator

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha e ka quajtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti diktator.

Ai tha se me këtë krizë me të cilën po ballafaqohet populli nuk është e ndershme qw kryeministri tw sillet si “diktator i komunizmit”.

Berisha: Në këtë krizë nuk është e ndershme të silleni si diktator

“Zotëri kryeministër nuk është e ndershme që në krizën që po e përcjell popullin e Kosovës në të gjitha aspektet të silleni si diktator i komunizmit, edhe diktatorët në takimet e tyre ndërkombëtare i lavdëronin të arriturat e vendit të tyre dhe këtë model e përdorin sot vetëm Koreja Veriore dhe Kimi Yong dhe këtë po e bëni edhe ju me propagandë në popull dhe opinionin vendor”, tha ai.

Berisha kërkoi nga kryeministri Kurti ta mbyll çështjen me Serbinë, sipas tij, ashtu siç e solli ish-presidenti Hashim Thaçi pavarësinë e Kosovës.

Berisha: Mbylle problemin me Serbinë kryeministër ashtu siç e solli Hashim Thaçi pavarësinë

“Mbylle problemin me Serbinë kryeministër ashtu siç e solli Hashim Thaçi pavarësinë, ndërto shkolla ose avancoje sistemin arsimor sepse pa një bazë të fortë arsimore nuk ka as edukim patriotik për ta dashur vendin. Bëjë diçka të madhe kryeministër që të mbetesh në memorien e historisë për vlera. Kryeministër prej 2014 kur PDK nuk udhëheq më Qeverinë dhe stërkeqes që i keni bërë ju si opozitar, Kosova përparim nuk ka bërë më“, tha ai. 

Deliu-Kodra: Presidentja Osmani po heshtë karshi deklaratës së frikshme të bashkëshortit të saj
 

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka deklaruare se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po hesht karshi deklaratës së frikshme të bashkëshortit të saj, Prindon Sadriu i cili në rrjete sociale i ka quajtur mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

Lidhur me vendimin e ZRrE-së për ngritje të çmimit të energjisë elektrike, Deliu-Kodra tha se Qeveria po i ikën dhe po i braktisë qytetarët.

 

Deliu-Kodra: Osmani po hesht edhe karshi deklaratës së frikshme të bashkëshortit të saj

“Kur po diskutojmë lidhur me vendimin e ZRrE-së kryeministri dhe Qeveria ikin, ata i braktisin qytetarët e pushteti I tyre dita ditës po shndërrohet në pushtet arrogant, në pushtet shpërfillës e jo demokratik, pushtet që diskriminon qytetarët e heshtë nga ikja e përgjegjësisë. Për këtë diskriminim po hesht edhe e para e vendit, por hesht edhe presidentja e vendit karshi padrejtësive po u bëhen qytetarëve të Kosovës.

Kam kërkuar që zonja Osmani të deklarohet për diskriminim që po u ndodh qytetarëve të Kosovës në raport me tarifat që qeveria do e bëjë për pjesën veriore e barrën do ta marrin qytetarët e këtij vendi me faturat e larta.

Për më tepër zonja Osmani po hesht edhe karshi deklaratës së frikshme të bashkëshortit të saj i cili paturpësisht medien e quajti ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’ pra Prindon Sadriut duket se nuk i ka mjaftua jetësimi i dëshirës për krijimin e një aktakuze monstruoze me dokumente të sponsorizuara të fabrikuara nga Rusia dhe Serbia të cilat UÇK e portretizojnë si ndërmarrje e përbashkët kriminale, tani zotëri Sadriu me gjuhën e zyrtarëve serb në mënyrë skandaloze dhe të papranueshme për një zotëri të parë dhe diplomatë që i cilëson mediet si ndërmarrje e përbashkët kriminale.

Prindon Sadriu përveç që është bashkëshorti i presidentes Osmani është diplomat është zyrtar i lartë i shtetit të Kosovës është shefi i misionit diplomatik në Shkup, është pjesë e rezervës në FSK”, tha ajo./

 

​Seanca e jashtëzakonshme për vendimin e ZRRE-së.

 

Kuvendi në pauzë deri në 15:00

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë deri në orën 15:00.

Seanca e jashtëzakonshme për debatin për vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritje të energjisë elektrike e cila nisi paraditen e sotme, u thirr nga tri partitë opozitare të cilat e kundërshtuan këtë vendim. 

Lekaj-Vetëvendosjes: Jeni praktikantë, gjithçka që keni folur keni mashtruar

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj i ka quajtur praktikantë dhe mashtrues deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga partitë opozitare lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për ngritje të çmimit të rrymës, deputeti Lekaj u shpreh se e mira e gjithë kësaj do të ishte që Qeveria të dorëzohet dhe të siç thotë ai të pranojë që nuk kanë ditur që qeverisja kërkon përkushtim dhe jo të lihen qytetarët në vetmi.

Lekaj: Jeni praktikantë, gjithçka që keni folur keni mashtruar

“Ne po iu themi si grup parlamentar si Aleancës iu bëjmë ftesë që të bashkohemi dhe t’i mbrojmë qytetarët dhe mos t’i lëmë në vetmi sikur kjo qeveri, më mirë dorëzohuni dhe thoni se nuk e kemi ditur se qeverisja, menaxhimi i vendit do bukur përkushtim dhe do që me të vërtetë t’i mbroj qytetarët, dhe jo në këtë mënyrë t’i lë zbrazët këto karrige. Dhe ajo që iu them ju Vetëvendosjes mendoj se ju e keni quajtur vetën se jeni të përkushtuar por po iu them se jeni praktikantë, jeni ata që gjithçka që keni folur keni mashtruar”, tha ai.

***

​​​Zemaj: Rritjen e çmimit të energjisë nuk e mbulojnë gjëegjëzat

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj ka kritikuar qeverinë për mospjesëmarrje në seancën e jashtëzakonshme në të cilën po zhvillohet debat parlamentar lidhur me vendimin për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Sipas Zemajt, qeveria nuk duhet të refuzojë të dëgjojë qytetarët.

Zemaj: Rritjen e çmimit të energjisë nuk e mbulojnë gjëegjëzat

“Është jo normale për një demokraci parlamentare kryetar i Kuvendit, kur një vendim afekton të gjithë qytetarët e Kosovës pa përjashtim qeveria mos të jetë prezente. Ne mund të flasim sot edhe për tema të tjera sepse ka edhe ka edhe shumë tema të interesit të veçantë, mund të hedhim edhe akuza e kundër akuza, mund të analizojmë edhe gjëegjëzat se prindi i prindit që nuk është gjyshi, debatojmë ta gjejmë se kush është ai, apo edhe shumë gjëra të tjera që tentohen të hidhen këto, jo turbina, jo bojleri, jo gjermani, jo partizani, nuk janë të nevojshme, as nuk janë të arsyeshme, as nuk e mbulojnë rritjen e paanalizuar mirë dhe të dëmshëm të energjisë elektrike në vend”, ka thënë Zemaj.

***

Tahiri: Kurti ka agjendë për veriun po e trajton në mënyrë të veçantë

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për shtrenjtim të energjisë elektrike e ka quajtur të papërballueshëm për qytetarët e Kosovës. Ndërsa, lidhur me mos përfshirjen e pjesës veriore në bllok tarifat e reja, Tahiri tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka një agjendë për veriun për zgjerim të një autonomie në atë pjesë të Kosovës.

Tutje, deputeti i PDK-së arsyetimin e ZReE-së për mos rritjen e çmimit të rrymës për pjesën veriore e ka quajtur politik.

Tahiri: Qeveria Kurti dhe Albin Kurti po e trajtojnë veçantë veriun, Kurti ka një agjendë për veriun

“ZRrE si organ që duhet të jetë i pavarur dhe jo politik, jep arsyetime politike se pse nuk mund të përfshihet veriu në shtrenjtim të energjisë elektrike. Pra, nga ai organi profesional tash na del me arsyetime politike që aty ekziston një problem politik dhe ne normalisht që nuk mundemi me vendos në kuadër të shtrenjtimit të energjisë elektrike. Fatkeqësisht Qeveria Kurti dhe Albin Kurti është duke e trajtuar në mënyrë të veçantë veriun dhe unë mendoj se tani po shihet që Albin Kurti ka një agjendë për veriun, pra këtu kemi të bëjmë pikërisht me zgjerimin e një autonomie me angazhimin e kësaj qeverie që këta njerëz ta kenë një autonomi pikërisht në atë pjesë të vendit. Kjo është e dëmshme dhe unë besoj që kjo është pikërisht arsyeja pse Albin Kurti nuk guxon të marr pjesë në seancë sepse nuk ka arsyetim pikërisht për veriun”, tha ai.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Abelard Tahir tha se vendimi i ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike për 100% është i papranueshëm.

Tahiri ka ftuar Qeverinë e Kosovës që ta shkarkojë bordin aktual të ZRrE-së dhe ta anulojë vendimin për rritje të çmimit të rrymës.

Tahiri: Vendimi i ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike për 100% është i papranueshëm

“Vendimi i ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike për 100% është i papranueshëm për ne si deputetë të opozitës dhe çdo qytetar në vendin tonë. Pagat në Republikën e Kosovës si në sektorin privat ashtu edhe publik janë të papërballueshme për koston të cilën kemi arritur në këtë nivel. Janë shtrenjtuar çmimet e karburanteve, është shtrenjtuar secili produkt esencial ushqimor në vendin tonë, sot shtrenjtimi i energjisë elektrike shkakton edhe një zinxhir të shtrenjtimeve në gastronomi dhe sektorë të tjerë dhe realisht në këtë situatë çfarë jemi, e kemi të papërballueshme koston mujore pothuajse për secilën familje në vendin tonë“, tha ai.

***

Haradinaj: Qeveria të shfuqizojë vendimin e ZRrE-së për shtrenjtim të rrymës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria që të shfuqizojë vendimin e ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike. Ai ka thënë se një gjë e tillë duhet të bëhet për një kohë të pacaktuar meqë është përfundimi i dimrit dhe do të ulet konsumi i energjisë.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj ka thënë se ka argumente të mjaftueshme për një veprim të tillë.

Haradinaj: Qeveria të shfuqizojë vendimin e ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike

“Mendoj që sot ja vlen me i bë një kërkesë qeverisë tonë në këtë rast që të shfuqizojë këtë vendim të ZRRE-së për një kohë të pacaktuar, sepse jemi duke hyrë në pranverë, ka ndodh subvencionimi, do të ulet konsumi edhe në vjeshtën ose dimrin që vjen, ta diskutojmë edhe njëherë në këtë Parlament si të veprojmë”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se nëse flet me gjuhën e Lëvizjes Vetëvendosje dikur, do të pyeste qeverinë nëse është duke krijuar fonde të zeza.

Haradinaj: Qeveria të tregojë mos është duke krijuar fonde të zeza

“Me na shku mendja keq qysh i shkojke Vetëvendosjes, mund të na shkojë mendja, se Vetëvendosja thoshte përpara sa herë kish situate të tilla ka një interes, dikush pse po ndodh kjo, tash unë po ju pyes mos jeni duke krijuar fonde të zeza për ndonjë qëllim të caktuar si Vetëvendosje sepse jeni duke i përkrahur ata që importojnë energji dhe ata që shpërndajnë energjinë, ju po çoni para tek ata që blejnë e shesin energji e tregona kush janë ato kompani dhe tregona ai profit kujt po i shkon dhe ju lutem mos jeni duke krijuar fonde të zeza për diçka, çka do qoftë nuk e dimë pse, por tregona se ne e kemi dëgjuar këtë prej juve dhe kjo është ajo që na keni thënë kur ka pasur situata të tilla”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se qeveria Kurti është mashtrim.

Haradinaj: Qeveria Kurti është mashtrim

“Qeveria Kurti është mashtrim, është mashtrim ju lutem, nuk pres prej juve me e pranu, prej deputetëve të VV-së, por ja po ju jap disa argumente që është mashtrim. Për shembull në vazhdimësi i dëgjojmë Kurtin duke thënë, jo me këtë gjuhë, por duke u thënë përkrahësve të vet ‘po më shpërthejnë minat e kurdisura të qeverive të kaluara’, sigurt e ke, ky është arsyetimi sot që ua jep ai atyre afër vetës. Po u jap një pikëpamje të luftës si një komandant që i thotë ushtrisë së vet ‘po e mbysim vetën në këto mina se na i kanë lënë para nesh’”, ka thënë ai.

Pas shtrenjtimit të energjisë elektrike, sipas Haradinajt, pasi të hyjë në fuqi liberalizimi i tregut sipërmarrësit do të jenë viktimat e radhës.

***

Kusari-Lila: Milionerët e pasluftës e kanë sjell Kosovën në këtë gjendje, jo Vetëvendosje

Deputetët e pozitës tashmë janë duke marr pjesë në seancën e jashtëzakonshme të ftuar nga tri partitë opozitare. PDK, LDK dhe AAK. Për mungesën e këtyre deputetëve në sallë, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dha arsyetim se ata nuk morën ftesë për të qenë të pranishëm.

Sa i takon vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për rritje të çmimit të energjisë elektrike Kusari-Lila tha se përkundër të gjitha vështirësive aktuale Qeveria e Kosovës që nuk i krijoi vetë ofroi zgjidhje qytetarëve.

Ajo madje replikoi edhe për disa deklarimet të deputetëve nga opozita.

Kusari-Lila: Nuk ishim në sallë sepse nuk morën njoftim

“Më herët u tha se Qeveria e shumicës ose prej 50.2% të votave të qytetarëve u braktisën apo mbetën të vetmuar se ne nuk ishim në sallë, ne nuk ishim në sallë se asnjë njoftim nuk e morëm për këtë seancë as administrata e Kuvendit, as shefat e grupeve parlamentare të opozitës nuk na ftuan që të jemi në seancë, ajo ishte mënyra dhe forma se si e ftuat seancën. E dyta ne jemi me qytetarët dhe natyrisht që diskutojmë për secilin problem të qytetarëve për arsye se edhe në propozimin e vetë Qeveria e Kosovës ofroi subvencionin prej 100 milionë“, tha ajo.

Kurse, për deklaratën e deputetët të AAK-së, Ramush Haradinaj se i kanë thënë Kosovës se posa të hiqet UÇK-ja do të pranohet vendi në BE, Kusari-Lila u shpreh se këto parulla politike nuk janë të vërteta.

Por ajo shtoi se si breng gjithnjë e kanë ngritur çështjen e atyre që përfituan në emër të luftës, ndërsa theksoi se po këta persona pas përfundimit të luftës që sot janë milionerë e kanë sjell në këtë gjendje Kosovën e jo Lëvizja Vetëvendosja.

Kusari-Lila: Parulla politike me atë se ka ardhur VV në pushtet duke thënë se do t’i heqim këta të UÇK-së janë të pavërteta

“Ajo çka aktualisht është propozuar në Kosovë është propozuar një variant i cili u ndihmon në periudhë të dimrit 70% të amvisërive të Republikës, ndërsa gjatë verës 90%. Vendimet e gabuara në sektorin e energjisë një pas një e kanë sjell sektorin në këtë situatë. Sikur në Kosovë të kishte kapacitete gjeneruese më të madh sot nuk do të kishte nevojë fare për rritje të energjisë elektrike, sikur në Kosovë të ishin vetëm edh 300 MGË më shumë të instaluar për prodhim të energjisë elektrike sot nuk do të kishim nevojë për një reflektim që e bëjmë sot. Parulla politike me atë se ka ardhur VV në pushtet duke thënë se do t’i heqim këta të UÇK-së janë të pavërteta dhe zotëri Haradinaj duhet të jetë në sallë kur e thotë fjalën e mos të largohet pastaj për të dëgjuar komentet. Lëvizja Vetëvendosje dhe qytetarët e Kosovës kanë shprehur brengën e atyre për të gjithë ata që përfituar në emër të luftës jo për ata që kanë zhvilluar luftën dhe kjo duhet të qartësohet në vazhdimësi se kush janë ata që pas mbylljes dhe përfundimit të atij procesi sot janë milionerë ata e kanë sjell Kosovën në këtë gjendje, nuk e ka sjell LVV me aktivizim politik , u shpreh ajo. 

***

Haradinaj: VV ka thënë se si të largohet UÇK-ja do të na pranojë Evropa, ku është liberalizmi i vizave

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Qeveria Kurti është mashtrim. Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje kishte deklaruar se Kosova do të ketë liberalizimin e vizave dhe do të pranohet në Evropë pasi të largohen nga pushteti ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku po debatohet për shtrenjtimin e rrymës, Haradinaj ka pyetur Qeverinë rreth liberalizimit të vizave.

Haradinaj-Vetëvendosjes: I keni thënë Kosovës si të hiqet UÇK ka me na pranuar Evropa

“Ju keni shkuar aq larg sa i keni thënë Kosovës si të largohet UÇK-ja ka me na pranu Evropa, kanë me na dhënë liberalizimin, ku e keni liberalizimin, ku e keni ju lutem, ju keni hy derë me derë keni thënë vetëm t’i largoni këta të UÇK-së, komandantët, qeveria e komandanteve, pronto komandantët, ku jeni bre, kush është duke ju pritë. Sot po lavdëroheni që nuk po harxhoni, nuk po harxhoni se keni mbetë mbyllur, ku është liberalizimi i vizave çka ju tha ambasadorja e Francës para dy-tre ditësh, jeni mbyt”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se Vetëvendosje dhe Albin Kurti janë eksperimente.

Haradinaj: Vetëvendosje dhe Albin Kurti janë eksperimente

“Në Kosovë janë bërë shumë eksperimente, një eksperiment i tillë është Vetëvendosje dhe Albin Kurti në këtë vend, dhe ka me dalë eksperiment dhe ka me dalë e keqja e këtij vendi, më mirë është me kuptu të gjithë ne me kohë sesa me u thellu e me u shpraz më shumë mina për rruge për ne, është minë bukur e keqe kjo ngritja e çmimit tash me energji”, ka thënë ai. 

***

Lidhur me debatin që po zhvillohet në Kuvend edhe për rrymën në veri, deputeti Armend Muja tha se ka qenë vendimi i qeverisjeve të kaluara.

Vendimin që veriu të përjashtohet nga faturimi është marrë ne vitin 2014. ZRRE ka marrë vendim që KEDS t’ia heq faturimin e veriut. Ia ka vendosë KOSTT obligimin për me pagu rrymën për veriun si devijim.

Vetëvendosja ka ardhë në pushtet tash, e kemi gjetë këtë situatë. Është një nyje që keni shkaktu një kohë të gjatë”, ka thënë Muja.

​​Lekaj: Kurti është mashtrues, erdh në pushtet duke premtuar mos shtrenjtim të energjisë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, ka drejtuar akuza në drejtim të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, për të cilin tha se ka mashtruar qytetarët për 20 vite.

Edhe në seancë më herët e patë thënë një të pavërtete. Ky njeri dhe grupi i tij nuk ka njohuri rreth prodhimit të energjisë. Kjo është tallje me qytetarë. Po u vënë hije qytetarëve. Këta e kanë keqpërdor që po qesin lot krokodili. Nëse është dikush që i ka mashtruar qytetarët është ish kryeministri. Këta janë mashtrues dhe 20 vjet kanë mashtruar me qytetarin”, ka thënë ai

Por fjala e deputetit Thaçi siç duket e ka befasuar deputetin e AAK-së, Pal Lekaj. Ky i fundit tha se për herë të parë po e dëgjon zërin e tij.

Teksa ka kritikuar vendimin e ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë, Lekaj ka thënë se qytetarët do të hyjnë në krizë të thellë të varfërisë.

Po më duket që për herë të parë i’a dëgjova zërin deputetit Thaçi. A nuk është mashtrim mos prezenca e qeverisë për qytetarët. Ma mashtrues nuk ka se kjo qeveri që ka ardhur në pozitë duke iu premtuar qytetarëve mos shtrenjtim të energjisë. A është mashtrim për kryeministrin që na ka lajthitur me shumë propozime të tij. Nuk ka lajm më të keq se vendimi i djeshëm i ZRRE-së. Pas pak ditëve do të hyjmë në krizë të thellë të varfërisë.  Qeverinë e kemi paralajmëruar që do të vijë në një krizë të thellë energjetike”, tha Lekaj.

***

Abelard Tahiri: Tragjike për qytetarët mosprezenca e Qeverisë, po zgjerohet autonomia në veri si agjendë e Kurtit

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se është tragjike mungesa e kabinetit qeveritar ku po diskutohet për shtrenjtimin e energjisë elektrike në vend.

Tahiri kritikoi Qeverinë për mospërfshirjen e veriut në shtrenjtimin e rrymës në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohen tarifat e reja. Ai e sheh këtë si zgjerim të një autonomie për veriun.

“Fatkeqësisht Qeveria dhe Albin Kurti është duke e trajtuar në mënyrë të veçantë veriun. Dhe unë mendoj që tash po shihet që Albin Kurti e ka një agjendë për veriun. Pra këtu kemi të bëjmë pikërisht me zgjerimin e një autonomie me angazhimin e kësaj qeverie që këta njerëz ta kenë një autonomi pikërisht në atë pjesë të vendit. Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme dhe kjo është arsyeja pse Albin Kurti nuk guxon me marrë pjesë në seancë, sepse nuk ka arsyetim pikërisht për veriun”, tha ai.

ZRRE-ja, si organ që duhej të ishte i pavarur dhe jo politik, jep arsyetime politike se pse veriu nuk mund të përfshihet në shtrenjtim të energjisë elektrike. Nga ai organi profesional, tash na del me arsyetime politike që aty ekziston një problem politik dhe ne nuk mundemi me vendos”, tha ai.

Shefi i deputetëve të PDK-së i kërkoi Kurtit që ta shkarkojë borin e ZRRE-së.

***

Bajrami: A ka sot fytyrë Qeveria me e publiku listën e top 50 përfitueseve që ka subvencionuar

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami vendimin e ZRrE-së për rritjen e energjisë elektrike e ka quajtur si shkelje të madhe, për çka ka kërkuar edhe dorëheqjen e Bordit të këtij institucioni.

Ajo iu është drejtuar qytetarëve të Kosovës se qeveria e 51% i ka braktisur.

Bajrami: Qeveria e 51% nuk është sot këtu, ajo iu ka braktisur

“Qeveria e 51% nuk është sot këtu, ajo iu ka braktisur, ajo sot ka vendosur që me 90 milionë, taksat tona, sepse në fund të fundit edhe tatimi në fitim dhe doganën dhe TVSH konsumatorët janë ata që i kanë të kalkuluar në çmim, janë konsumatorët, janë qytetarëve, ka vendosur t’ua paguajë bizneseve. Cilave biznese? A jo ato top 50 bizneset që i pati publikuar Hekuran Murati në momentin kur e mori mandatin dhe tha e këto i ka ndihmuar qeveria Hoti. Ne, po, i patëm ndihmuar por mbi kriterin e punësimit për çdo të punësuar e sot kujt po ia subvenciononi energjinë elektrike, qendrave tregtare, pompave të benzinës. A mundet sot Hekurani, a ka sot fytyrë Qeveria e Kosovës me e publiku listën e top 50 përfitueseve nga 90 milionë, të cilën ka vendosur ta subvencionojë”, tha ajo.

Ajo tutje tha se Bordi i ZRrE-së duhet të jap dorëheqje sepse ka vënë në lajthitje të gjitha institucionet.

Bajrami tutje ka thënë se ZRrE-ja ka lajthitur me çmime në dokumentin konsultativ, pasi fillimisht janë dërguar komente për të hyrat deri në 132 milionë euro, por sipas saj, një ditë para se të ngritet çmimi, ZRRE-ja ka rritur në 251 milionë euro të hyrat.

Bajrami: Ky vendim është jashtëzakonisht i padrejtë, jashtëzakonisht diskriminues

“Ky vendim është jashtëzakonisht i padrejtë, jashtëzakonisht diskriminues. ZRrE, bordi duhet me dhënë dorëheqje sepse ka bërë shkeljen më të madhe, na ka vënë në lajthitje ne të gjithëve, jo vetëm deputetëve e Kuvendin por të gjitha institucionet ku për dy javë ne kemi dhënë propozime e komente. Kritika bazuar në atë që ka thënë që të hyrat ekstra të lejuara janë 132 milionë dhe sot del se janë 251 milionë”, tha ajo.

Sipas saj, Qeveria barrën prej 161 milionëve ua kanë lënë 20% të qytetarëve.

Bajrami: Barrën prej 161 milionë euro e lënë tek 20% e qytetarëve apo 125 mijë familje

“Qeveria me 90 milionë vendos me subvencionu energjinë elektrike për krejt sektorin privat, vendos me subvencionu për 80% të ekonomive familjare, sipas ZRrE-së po shpenzojnë më pak në mesatare gjatë vitit më pak se 800 kilovatë dhe barrën prej 161 milionë euro e ka lënë tek 20% e qytetarëve apo 125 mijë familje. Por sipas llogaritjeve tona, të ekspertëve tanë, ne e dimë që shtrenjtimi i faturave të energjisë elektrike do të prekë një numër shumë më të madh të familjeve në fakt do e prek secilën familje e cila gjatë muajve të dimrit ngroh një dhomë të shtëpisë ose banesës së tyre”, theksoi Bajrami. 

***

Krasniqi: Përmes ZRrE-së Qeveria e ka realizuar agjendën e saj për shtrenjtim të energjisë elektrike

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se Qeveria në krye me Albin Kurtin e ka realizuar agjendën e saj për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe sipas tij, këtë e ka bërë përmes Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE). Krasniqi ka thënë se Kurti e ka rënduar jetën e qytetarëve besimin e së cilëve ka marrë duke u premtuar lirim të çmimit të energjisë. Në foltoren e Kuvendit, Krasniqi ka thënë se PDK do të kundërshtojë vendimin për shtrenjtimin e energjisë përmes të gjitha formave demokratike.

Sipas Krasniqit, Kurti i ka mashtruar qytetarët.

Krasniqi: Qeveria i ka vënë barrë të papërballueshme qytetarëve të Kosovës

“Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti dje e ka realizuar agjendën e saj të paralajmëruar me kohë për shtrenjtimin e energjisë elektrike për krejt qytetarët e Kosovës, duke ua vënë një barrë të rëndë, të padrejtë por edhe të papërballueshme për secilën familje në vendin tonë. E këtë agjendë që e realizoi përmes Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, një instrument që ligjërisht është i pavarur por paraprakisht është në shërbim të agjendës politike të Qeverisë Kurti, e kjo zyrë nuk ndërmori vendim të pavarur por vetëm e vulosi një vendim politik të propozuar në kurriz të qytetarëve nga mazhoranca e këtij Kuvendi që sot ikë edhe prej debatit”, ka thënë Kraniqi.

Kransiqi ka thënë se ZRrE me vendimin e publikuar ka dalë të jetë mbi Kuvendin dhe Kushtetutën e Kosovës meqë sipas tij, e njëjta i ka dalluar qytetarët me vendimin e saj.

Në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për vendimin e ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike, Krasniqi ka thënë se qeveria nuk i ka marrë parasysh debatet për këtë temë dhe as propozimet e PDK-së për zbutje të krizës energjetike.

Kransiqi: Albin Kurti po dëshiron t’ia falë 100 milionë euro KEDS-it

“Albin Kurti po dëshiron me ia falë rreth 100 milionë euro, se kanë me dalë më shumë se 100 milionë euro, KEDS-it, mashtrimi që po tentojnë me e mbulu kinse po i subvencionojmë qytetarët është absolutisht i pavërtetë, ndarja e mbi 100 milionë eurove tashmë nga ana e Qeverisë është subvencion direkt për KEDS-in, për kompaninë private që e kanë sharë me vite dhe kanë thënë që duhet me ndërmarrë masa ndaj tyre dhe sot taksat e qytetarëve në vlerë mbi 100 milionë euro deri tash e kushedi sa deri në fund janë duke ua falë. Detyrojnë qytetarët me pagu rrymën dyfish më shtrenjtë sesa e kanë paguar deri sot. Nga dita e djeshme qytetari i Kosovës është mbështetur për muri”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka deklaruar se PDK do të kundërshtojë vendimin për ngritjen e energjisë përmes çdo mjeti ligjor.

Kransiqi: Do të kundërshtojmë vendimin për ngritje të energjisë me çdo mjet ligjor

“Siç e kemi kundërshtuar gjatë gjithë muajve të kaluar rritjen e çmimit të energjisë elektrike do ta kundërshtojmë me çdo mjet ligjor në çdo instancë ligjore këtu në Kuvend por edhe me të gjitha mjetet demokratike për të kërkuar dy gjëra themelore, shkarkimin e anëtarëve të bordit të ZRRE-së që si piuna të Albin Kurtit e kanë marrë këtë vendim me rëndu jetën e qytetarëve dhe anulimin e vendimit skandaloz për rritjen e energjisë elektrike”, ka thënë ai.

Kuvendi i Kosovës, me kërkesë të tri partive opozitare është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme ku po zhvillohet debat parlamentar lidhur me vendimin e djeshëm të ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike.

***

Tahiri: ZRrE është bërë instrument i Qeverisë së Kosovës

Në seancën e jashtëzakonshme lidhur me vendimin e ZRrE-së për çmimin e energjisë elektrike tri partitë opozitare po kërkojnë që ky vendim për rritje të çmimit të revokohet.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri u shpreh se nëse nuk reflekton Kuvendi i Kosovës atëherë të tri partitë këtë vendim të ZRrE-së do e dërgojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas tij, mungesa e kabinetit qeveritar dhe vetë kryeministrit Albin Kurti në këtë seancë tregon se ky vendim ka ardhur me direktiva të vetë Qeverisë.

Tahiri: Ky çmim duhet të revokohet

“Kërkesa jonë si grup parlamentar dhe si opozitë është shumë e thjeshtë: ky çmim duhet të revokohet. Këtë ngritje të çmimit të energjisë elektrike do ta ndalim, do t’i shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat e mundshëm. Sot jemi në Kuvend, nëse nuk ka reflektim do të vazhdojmë ashtu siç thënë nga PDK dhe LDK në apelim në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa mosprezenca e Qeverisë, e kryeministrit, ministrave që nuk linin të zezë edhe justicka, nuk linin gurë pa hedh në neve ndërsa mungesa e tyre këtu tregon thjeshtë që ky vendim është ardhur me direktivën e Qeverisë, ka ardhur me direktiva të mirë sinkronizuar dhe koordinuar në dëm të qytetarëve”, tha ai.

Tutje ai ka adresuar kritika edhe për mungesën e deputetëve të mazhorancës në sallë, ndërsa ka vazhduar që vendimin e ZRrE-së ta quaj diskriminues dhe politik.

Tahiri: Vendimi i ZRrE-së diskriminues dhe politik

“Për një vendim i cili është diskriminues, i cili është politik e i cili është në plotni i ndërtuar mbi një sinkroniizmi të Qeverisë së Kosovës dhe të ZRrE, shihni tarifat, shihni ngritjen e çmimeve dhe shihni pozicionin e Qeverisë. Dje në këtë seancë AAK nuk e ka lëshuar sallën, kemi qëndruar në sallë për të debatuar për ligje, për vendime, për raporte që ne i kemi konsideruar të rëndësishme. Sot Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk është këtu, grupi parlamentar më i madh e injoron debatin mbi një çështje e cila ka një rëndësi të jashtëzakonshme kjo tregon për papërgjegjësinë, kjo tregon për ikjen nga debati dhe mbi të gjitha kjo tregon se si ka qenë i sinkronizuar nga Zyra e Rregullatorit”, tha ai.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri u shpreh se ështëtepër e rëndësishme që ky Kuvend përmes një rezolute të jap udhëzim të saktë, të qartë për revokim të vendimit diskriminues dhe politikave të ZRrE-së.

Tahiri: ZRrE është kthyer në një instrument të Qeverisë

“Mendojmë se është kruciale dhe tepër e rëndësishme që ky Kuvend përmes një rezolute, qëndrimi politik, të jap udhëzim të saktë të qartë për revokim të vendimit diskriminues dhe politikave të ZRrE-së, i cili sipas tij tani më ka hyrë në fuqi, qytetarët e Kosovës kanë marr mesazhe nga KESCO se tarifat e reja kanë hyrë në fuqi. ZRrE që tashmë është kthyer në një instrument të Qeverisë është duke reflektuar saktë dhe drejt, direktivat dhe deklarimet e Qeverisë dhe shumicën parlamentare. Shihni tarifat që i ka vendosur dhe vendimet që i kanë dhënë dhe aty i gjeni. Tashmë për qytetarët e Kosovës është e qartë se vendimi nuk është i pavarur. Qytetarëve të Kosovës nuk iu është paraqitur qartë çmimi i rritjes, as reflektimi i kostos reale të prodhimit nga kapacitet tona e importi, por provohet në format më të ulëta që kjo çështje të paraqitet si një rritje që nuk afekton qytetarët”, u shpreh Tahiri.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike dje ka miratuar tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët, ndërsa vendimi nga sot ka hyrë në fuqi dhe vlen deri më 31 mars. Ata që konsumojnë mbi 800 kilovatë është tarifa e lartë prej 12.5 cent dhe tarifa e ulët 6.75 cent.

***

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka vazhduar me kritika ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti.

Në seancën e sotme të Kuvendit, debat i thirrur nga AAK-ja për të diskutuar lidhur me rritjen e tarifave të energjisë elektrike, Haradinaj tha se kjo Qeveri është mashtrim.

Qeveria Kurti është mashtrim. Nuk pres prej juve deputetëve të VV me pranu. Në vazhdimësi e dëgjojmë Kurtin duke thënë po më shpërthejnë minat e kurdisura të Qeverive të kaluara. Ai ka kërkuar votën me nxjerrë popullin nga mina të kurdisura. Ky njeri po i shkel ato mina. Ky e ka ditë kush ka qeverise me Kosovën. Pse po ngritën çmimet tash në verë gati. Ku e keni liberalizimin”, ka thënë Haradinaj.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për shtrenjtimin e energjisë elektrike, ka thënë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka bërë shkelje të rëndë.

Ajo ka kërkuar shkarkimin e bordit të ZRRE-së, teksa ka thënë se ky vendim do të shkojë në instanca gjyqësore.

ZRRE ka bërë shkelje jashtëzakonisht të madhe. Ka vu në lajthitje të gjitha institucionet. Ne kemi pasur dokumentin e saj me 17 janar të vitit 2021. Zyra e Rregullatorit i ka lejuar shtesë të gjithë operatoreve 132 milionë euro të hyra. Qeveria ka vendosur t’i rrisë subvencionet në 90 milionë të hyra. Qeveria me 90 milionë vendos me subvencionu për sektorin privat. Dhe barrën prej 61 milionë euro e lenë te pjesa tjetër e familjeve. Qeveria e 51 për qind ka vendosur që me 90 milionë taksa tona ka vendosur për t’i paguar bizneset”, ka thënë ajo.

Bordi i ZRRE duhet të japë dorëheqje dhe konsideroj që ky vendim është më diskriminues që ka ndodhur prej institucioneve ndaj qytetarëve dhe do të shkojë edhe në instanca gjyqësore”, ka thënë ajo.

***

Krasniqi: Kur flasim për vështirësitë në jetën e qytetarëve, Qeveria ikë nga përgjegjësia

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se pushteti po ikë nga përgjegjësia, ashtu siç ka ikur që nga marrja e mandatit.

Në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për shtrenjtimin e energjisë elektrike, Krasniqi ka thënë se kur flasin për për temën që ka vështirësuar jetën e qytetarëve, Qeveria Kurti po ikë nga përgjegjësia.

Iu ka vënë një barrë të rëndë secilës familje. Kjo zyre e vulosi një vendim politik të propozuar nga mazhoranca. Nga kjo parti duke premtuar edhe zbritjen e energjisë. ZRRE që ne vendimin e saj doli të jetë mbi Kuvendin dhe Kushtetutën sepse ndalu qytetarët në subjektet të pabarabarta. Në këtë kuvend shumë se një muaj ju kam thënë që do ta rrisni çmimin e energjisë. Sot jetojmë pasojë e injorimit të Albin Kurtit. Kemi pasur propozime konkrete por pa asnjë efekt sepse qeveria zgjodhi të injorojë jo vetëm në opozitën por edhe qytetarët e Kosovës. Rritja e kostos së shërbimeve nuk është e pamundshme. Për një qeveri që nuk ka vizion e ka një zgjidhje rritjen e çmimeve të energjisë. Kjo ndikon në jetën e qytetarëve. Siç e kemi kundërshtuar do të vazhdojmë me çdo instancë gjyqësore për të kërkuar shkarkimin e anëtareve të bordit të ZRRE-së dhe vendimin skandaloz për rritjen e energjisë elektrike”, ka thënë Krasniqi.

***

Tahiri: VV po e injoron debatin për rritjen e çmimit të rrymës, janë të sinkronizuar me ZRRE-në

Në Kuvendin e Kosovës ka nisur një seancë e jashtëzakonshme lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike, e thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e përkrahur edhe nga dy partitë tjera opozitare.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk është pjesëmarrëse në këtë seancë dhe sipas tij kjo tregon papërgjegjësi.

AAK nuk e ka lëshuar dje sallën, kemi nejt në sallë për të debatuar…sot, LVV e cila nuk është këtu, Grupi Parlamentar më i madh e injoron debatin mbi një çështje e cila ka një rendësi të jashtëzakonshme. Kjo tregon papërgjegjësi, kjo tregon ikjen nga debati, kjo tregon se kjo ka qenë e sinkronizuar me ZRRE”, tha Tahiri.

Ai ka thënë se ky vendim  se me këtë vendim, Qeveria po e godet shtresën më të varfër.

 “Dje në këtë seancë AAK nuk e ka lëshuar sallën për të debatuar për ligje që i kemi konsideruar të rëndësishme. Sot VV e cila nuk ëhstë këtu e injoron debatin për çështje të jashtëzakonshme. Si tri parti opozitare kemi kërkuar debat parlamentar. Vendimi nuk është i pavarur. Qytetarëve të Kosovës nuk iu paraqit qartë çmimi i rritjes. Ata që shpenzojnë mbi 800 kw orë. Qytetarët paguajnë për subvencion të qeverisë. Me këtë vendim qeveria përmes ZRRE-së është duke goditur klasën e mesme. Ne si tri grupe dhe si aleancë kemi ngitur debatin për ngritjen e çmimit enorme. Kërkesa jon është shumë e thjeshtë, duehet të revokohet dhe do ta ndalim rritjen e çmimit”, ka thënë Tahiri.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të deputetëve të tri partive opozitare. Opozita ka kërkuar debat parlamentar lidhur me vendimin e Zyrës së rregullatorit të energjisë (ZRrE) lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se opozita është treguar shumë e shpejtë në thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, saqë e ka befasuar veten.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat