Gjeneral Ramadan Qehaja kundër shkëmbimit të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë/ Ja pse kjo ide është e rrezikshme

Aktuale

Gjeneral Ramadan Qehaja kundër shkëmbimit të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë/ Ja pse kjo ide është e rrezikshme

Nga: M.L. Më: 6 shkurt 2022 Në ora: 21:11
Gjeneral Ramadan Qehaja

Njohësi i çështjeve të sigurisë kombëtare, Gjeneral Ramadan Qehaja ka shprehur habinë e tij për riaktualizimin apo tentim-riaktualizimin e idësë për shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në një postim në Facebook, Gjeneral Qehaja ka treguar disa nga arsyet se përse ideja e shkëmbimit të territoreve nuk është e mirë.

Ai ka thënë se Kosova, njihet me kufijt ekzistues dhe ny fakt nuk mund të zhbëhet me akrobacione idesh të rrezikshme me efekte negative jo vetëm në Kosovë por dhe më gjerë;

Po ashtu, Gjeneral Qehaja ka përmendur edhe arsyet ekonomike e ushtarake të cilat bëjnë që ideja për shkëmbimin e territoreve të jetë e rrezikshme.

Postimi i plotë:

Me shkas, kundër opcionit për shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë

Me habiti riaktualizimi apo tentim-riaktualizimi i idësë për shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke marrë për bazë një opinion se kjo ide do të ishte mbase më e pranueshme se sa ajo e themelimit të ashtuquajturës Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe. Duke mos hyrë në historikun e kësaj çështjeje dhe faktin se si ështe plasuar kjo ide rishtazi, unë personalisht jam kundër shkëmbimit për shkak të disa parimeve, perkatësisht të çështjeve si më poshtë:

- Kosova është pranuar si shtet në kufijtë ekzistues. Marrëdhënia jonë diplomatike me mbi gjysmën e botës është bërë në suaza të këtyre kufinjve dhe realitetit të ri gjeopolitik të krijuar pas vitit 2008. Ky fakt nuk mund të zhbëhet me akrobacione idesh të rrezikshme me efekte negative jo vetëm në Kosovë por dhe më gjerë;

- Në aspektin ushtarak, pjesa veriore e Kosovës (përkatesisht në veri të lumit Ibër), paraqet një tëresi apo bastion për mbrojtje sepse kjo pjesë karakterizohet me karakteristika orografiko – topografike të cilat formojnë 2-3 drejtime (veri – jugë) të kanalizuara pergjatë luginës së lumit Ibër. Kjo çështje mund të konsiderohet tejet tradicionale për rrethanat ekzistuese mirëpo në kontekst të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të studimeve të mbrojtjes duhet të përmendet dhe të njihet si e tillë;

- Në vazhdën e shpjegimit thjesht ushtarak, drejtimet e lartëpërmendura mund të kontrollohen dhe të mbyllen me forca të vogla ushtarake dhe në tëresi kjo pjesë e territorit tonë mund të na shërbej si një pararojë për një vetëmbrojtje të theksuar të rezistencës tonë.

- Në aspektin ekonomik, pa hyrë në detaje, në këtë pjesë shtrihet nëntoka e xehërores së Trepçës. Pavarësisht se ky sektor është shkatërruar në masë të madhe, ekziston një pjesë e industrisë përpunuese nga xehet e Trepçës. Për më shumë, pasuritë ujore të Liqenit të Ujmanit përbëjnë një thesar të padiskutueshëm.

Me fjalë të tjera, thjeshtëzimi i çështjeve në stilin se do të përfitonim më shumë nga marrja e një pjesë të Luginës së Preshevës është një farsë dhe do të na sillte shumë më shumë humbje se sa përfitime. Mendoj që Kosova ka hapësirë manovruese në dialog për arritjen e një marrëveshje brenda sistemit dhe kornizës ekzistuese pa hyrë në manovra të tilla jo vetëm të dëmshme por edhe të rrezikshme.

R.Q

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat