Kosova në ditën botërore kundër kancerit

Aktuale

Kosova në ditën botërore kundër kancerit

Më: 5 shkurt 2022 Në ora: 06:31
Ilustrim

Halim Abazi ka gjashtë muaj që është diagnostikuar me kancer. Të premten ai po kryente një seancë të kimioterapisë në Klinikën Onkologjike në Prishtinë, pjesë e trajtimeve të cilave u është nënshtruar tash e sa kohë.

“Rrezatimet i kam kryer rreth 20 seanca por nuk kanë pasur aq sukses e tash këtë e kam seancën e katërt. Këtu është gjithçka shumë mirë, vërejtje nuk ka”, thotë ai.

Drejtori i Klinikës Onkologjike, Ilir Kurtishi, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se numri i të prekurve nga kanceri në Kosovë është duke shënuar rritje shqetësuese.

“Nga viti 2020, viti 2021 shënon numër më të lartë të rasteve të reja për së paku 150 raste të reja. Në vitin 2020 ne kemi evidentuar rreth 1450 persona të diagnostikuar për herë të parë me kancer, kurse në vitin 2021 ky numër ka shkuar deri në 1610 – 1615. Ky numër mund të jetë edhe pak më i lartë meqë ka pacientë që nuk lajmërohen te ne në klinikë ose kryejnë trajtimet jashtë Kosovës, por ky numër mendojmë se nuk është i lartë, mund të jetë diku rreth 50 veta. Pra, përgjithësisht numri i të prekurve nga sëmundjet malinje është në ngritje dhe kjo është alarmante”, tha ai.

Forma më e përhapur e kancerit në Kosovë është kanceri i gjirit tek gratë dhe ai i mushkërive tek burrat, ndërsa grupmosha më e prekur nga kjo sëmundje është mbi 50 vjeç.

Zoti Kurtishi thotë se pavarësisht që ka një ndërgjegjësim më të lartë për kontrolle të shpeshta, sfidë vazhdon të mbetet zbulimi i vonshëm i sëmundjes.

Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës, thotë se vendi ka nevojë për një program kombëtar që do të ndihmonte në zbulimin e sëmundjes në faza të hershme, kur është edhe më e lehtë për t’u trajtuar.

“Ne konsiderojmë se fillimisht Kosova duhet të përmbushë listën e barnave esenciale dhe kushtet e punës për profesionistë shëndetësorë që e trajtojnë kancerin, mirëpo të ketë edhe një program i cili do ta ulte numrin e personave të prekur me kancer. Përderisa ne vazhdojmë kështu do të kemi gjithmonë rritje të numrave të pacientëve të prekur dhe kjo padyshim është një kosto shtesë si për pacientët ashtu edhe për shtetin”, thotë ai.

Zoti Kurtishi thotë se një program i tillë do të lehtësonte punën e Klinikës së Onkologjisë.

“Një grup i caktuar i popullatës do të targetoheshin dhe do të bëhen analiza qoftë një mamografi, ultrazë, pap test apo kolonoskopi për kancerin në zorrë të trashë, pa pasur shenja të sëmundjes. Pra një kategori e moshës rreth 40 vjeç, në regjione të ndryshme në Kosovë dhe ne ndoshta nga 1000 ekzaminime mund të zbulojmë sëmundjen në dy tre raste dhe është shumë mirë sepse e gjejmë sëmundjen ende pa dhënë shenja”, thotë ai.

“Mesazh më të mirë nuk ka sesa t’u them njerëzve që sapo ta vëreni veten që nuk jeni mirë menjëherë të shkoni te mjeku, trajtimet janë. Unë kam pasur dhimbje disa ditë, por tash jam më mirë dhe nuk kam dhimbje as asgjë”, thotë Halimi, i prekur nga kjo sëmundje.

Me numrat e të prekurve në rritje, zoti Kodra thotë se shteti duhet të mendojë për mbështetje financiare të të sëmurëve, meqë trajtimi mjekësor zgjat me muaj dhe është mjaft i kushtueshëm. Posaçërisht kjo rëndon mbi ata që nuk jetojnë në kryeqytet, duke qenë se trajtimet nuk ofrohen në qytete të tjera.

“Nuk ka një sistem social i cili ju jep një ndihmë sociale për të trajtuar sëmundjen ose për të vazhduar jetën për faktin se ata largohen edhe nga puna dhe ky është një problem shtesë për ta dhe familjet e tyre”, thotë ai.

Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, kanceri hyn ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën. Sipas kësaj organizate, gjatë vitit 2021 kjo sëmundje shënoi shifra rekorde në nivel global me 20 milionë të prekur dhe 10 milionë të vdekur.

Në Kosovë, çdo vit regjistrohen deri në 1,500 raste të reja me kancer dhe rreth 30 të vdekur nga pasojat e kësaj sëmundjeje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat