Miftaraj: Deputetët “mashtrues” mund të dënohen mbi 5 vjet burgim

Aktuale

Miftaraj: Deputetët “mashtrues” mund të dënohen mbi 5 vjet burgim

Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 20:58
Ehat Miftaraj

Dyshohet se mashtruan shtetin dhe votuesin e tyre.

Krejt kjo për të përfituar benificione.

Por, nuk është vetëm kjo.

Disa deputetë të Kuvendit të Kosovës mund të kenë telashe edhe me Prokurorinë e Shtetit.

Kjo, pasi që të njëjtit dyshohet se nuk e kanë deklaruar saktë vendbanimin e tyre pranë Kuvendit të Kosovës lidhur me benifitet për udhëtime në bazë të kilometrave.

Por, si e përcakton Kodi Penal i Republikës së Kosovës dënimin për ata persona që kryejnë vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo edhe mashtrimit.

Ehat Miftaraj tregon se deri me sa vite burgim mund të dënohen ata persona që kryejnë këtë vepër.

“Kodi i ri Penal ka përcaktuar dënime dhe sanksione jashtëzakonisht të larta për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe mashtrimit, mund të shkojnë në burgim mbi pesë vite, por për këtë duhet të kemi një vendim gjyqësor, duhet të kemi një hetim, por që mashtrimi, keqpërdorimi i detyrës zyrtare është i sanksionuar dhe krejt çka duhet është vetëm Prokuroria t’i ushtroj kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre në mënyrë të drejtë, të pavarur dhe të paanshme”, ka pohuar ai.

Media për këtë çështje ka kërkuar përgjigje edhe nga Prokuroria e Shtetit se a do të fillojë hetimet dhe nga Kuvendit i Kosovës, por asnjëri prej këtyre dikastereve nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës.

Gjatë ditës së djeshme në media janë publikuar emrat e deputetëve që kanë shpenzuar më së shumti në derivate për të udhëtuar për në punë.

Shpenzimet e tyre kanë ngjallë reagime të shumta, sidomos ndaj atyre deputetëve që nuk e kanë deklaruar saktë vendbanimin e tyre.

Ndërsa, sot shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari -Lila ka njoftuar se deputetët e kësaj partie do të heqin dorë nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe njëkohësisht ka ftuar edhe deputetët tjerë të aplikojnë të njëjtin standard.

Vendimi për kompensimin e deputetëve është marrë në tetor të vitit 2011 e i cili parasheh që ata deputetë që udhëtojnë deri në 30 km të kompensohen më 10 euro, ata deri në 60 km më 20 euro dhe ata që udhëtojnë mbi 60 km do t’iu takojnë 30 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat