Osmani për ngjarjet e 3-4 shkurtit: Spastrimi etnik i shqiptarëve në veri vazhdoi edhe paslufte

Aktuale

Osmani për ngjarjet e 3-4 shkurtit: Spastrimi etnik i shqiptarëve në veri vazhdoi edhe paslufte

Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 16:53
Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka përkujtuar vrasjen e 10 shqiptarëve nga “Rojat e urës” 22 vjet më parë në Mitrovicë, duke thënë se spastrimi etnik ndaj shqiptarëve në veri vazhdoi edhe pas përfundimit të luftës.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë tmerrin e 3-4 shkurtit të vitit 2000, kur u vranë 10 qytetarë të saj, në mesin e të cilëve edhe pleq, gra e fëmijë.

“Kujtimi për ta do të rëndojë ende mbi ndërgjegjja tona, derisa autorët, pjesë të bandave kriminale të nxitura nga Serbia, të dalin para drejtësisë. 25 të plagosur nga ajo natë dhe 1664 familje të dëbuar me gati 12 mijë anëtarë nga ajo pjesë janë dëshmi e natës së trishtuar, kur ata pësuan vetëm pse ishin shqiptarë por edhe dëshmi se spastrimi etnik ndaj shqiptarëve në veri të vendit vazhdoi edhe pas luftës”, ka shkruar Osmani.

22 vjet më parë në veri të Mitrovicës, “Rojat e urës” vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq, plagosën shumë të tjerë, ndërsa dëbuan rreth 12 mijë shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit, duke lënë prapa shtëpitë e tyre në flakë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) kishte thënë se të gjitha këto vrasje janë bërë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe policisë ndërkombëtare.

Në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit 2000 janë vrarë Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi.

Sipas dëshmitarëve, operacionin e vrasjeve e kishte udhëhequr MUP-i i Serbisë, në krye me ish-komandantin, Dragan Delibashiq, politikanin tashmë të vrarë serb Oliver Ivanoviq dhe të tjerë. Gjykata Themelore në Mitrovicë më 2014 shpalli fajtor Ivanoviqin me 9 vjet burg për krime lufte ndaj shqiptarëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat