Kërceni, ju kërceni, se notat po ua dredhin, në SHIK, në UDB e në KGB!

Aktuale

Kërceni, ju kërceni, se notat po ua dredhin, në SHIK, në UDB e në KGB!

Nga: Idriz Morina Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 11:54
Dardan Molliqaj në mesin e policëve

E besoni dot, se në një shtet demokratik dhe normal, një prokurore jo vetëm që nuk e zbardhë krimin, por madje i fshehë provat.

Tre të vdekur, dhe as tri familje në zi, e as tri nëna në zi për bijtë e tyre… nuk i mjaftonin zonjës prokurore, që të kujtohej, se edhe ato meritonin ngushëllim në drejtësi.

Në vend të kësaj ajo, paskërka zgjedhur që të fshehë prova, në autoritetin më suprem të hetimeve, prokurorinë speciale!

Si është e mundur kjo në mëse 20 vjet liri, në 14 vjet shtet sovran pas dy javësh!?

Vaji i profës është vallëzimi

Në ndërkohë, pamë se si e çmenden Fejsbukun me valle, sepse një deputete, si e nxitur nga dikush, sulmoi, një të dalldisur pas valles, pse i publikonte vallëzimet e tij në Fb. Asaj iu duk degjenerim! Pastaj ky qejflia, ia dha të qarës.

Nëse i bëjmë një vështrim sipërfaqësor psikanalitik, e qara e tij zbuloi, se ai po vallëzonte për të gjetur ngushëllim, bash si thotë ajo fjala e moçme shqipe, “vaji i burrit është kënga”, “Vaji i profës është vallëzimi”, por kur nuk e lanë të qetë në ngushëllimin e tij, ai u shkreh në vajë!.

Ai ishte në të drejtën e tij, por megjithatë situata dëshmoi se as atij nuk i ishin dashur aq shumë postime me vallëzime, meqë është një profesor, dhe vallëzimi nuk është lëndë e tij, dhe nuk është se po jepte leksione gratis.

Deri këtu edhe deputetja ishte gabim plotësisht. Por, provokimi i saj, zbuloi një hendekë të tërë kulturor e politik. Nuk mbet thuaja politikan i taborit të opozitës pa reaguar, duke shfrytëzuar faktin se ajo është një deputete e VV-së, po ashtu thuaja nuk mbet figurë publike pa reaguar, gazetarë, analistë e analiste, ... dhe ranë në kurth, si gjithmonë, të jehonave të zërave të çmendur...

Të atyre zërave që i dëgjojnë kryesisht mendjet e turbulluara, por kurrë nuk e dinë se nga vijnë...

Pas pak i rikthehemi shpjegimit.

Arrestimi i Molliqajt

Në ndërkohë, në natën e mbrëmshme ndodhi një arrestim, i një figure publike, shkeljen flagrante ligjore të të cilit shumëkush e ka parë live (si thuhet, pra të ndodhte para syve të botës).

Ky është Dardan Molliqaj, që e kishte goditur flakareshë policin tek porta kryesore e Qeverisë, dhe aty pamë që as polici nuk i doli zot vetes, dhe as kolegët e tij nuk i dolën në mbrojtje.

Ndërkohë, që na kujtohen skena që edhe për një fjalë goje, edhe për kundërshtimin më të vogël, policët nuk kanë ‘duruar’, i kanë lidhur dhe shtrirë në rrugë, në midis të sheshit, ata që i thoshin vetit burra, që nuk mund të rrëzoheshin, vetëm pse kishin refuzuar të vendosnin maskë!

Por, pasi me gjasë policia e njëjtë, që për 48 orë nuk e gjeti askund politikanin e llastuar, dhe tejet agresiv Dardan Molliqajn, e arrestoi në dyert e një televizioni, ku kishte zgjedhur të rrëfehej.

Një rast tipik, i inskenimit të arrestimit!

A nuk e dëshmoi këtë llava e ‘ulërimave’ duke nisur nga vetë ai televizion, dhe të ftuarit aty, dhe pastaj e përhapur në të katër anët, madje nga kryetar partie dhe të tjerë politikan, që akuzuan policinë për shkelje të të drejtave. Por, të kujt? Kujt iu shkelën të drejtat? Molliqajt, që edhe kur ishte në VV ndalte në rrugë dhe legjitimonte edhe zyrtarë shteti, mbase si mund të ketë bërë kur ka qenë pjesë e “Shqiponjave të zeza”! Historia gjithmonë përsëritet!

Pra, vendi nga zhurma e pafundme e 24 orëve më parë, kaloi në zhurmërim edhe më të bujshme!

Që të dyja këto u aktualizuan dhe po vazhdojnë të kenë jehonë shumëfish më të madhe, se sa konteksti thuaja vendimtar i fatit të Kosovës, të konstituimit të plotë të shtetësisë, apo të vazhdimit të cenimit e kontestimit të saj, nga jashtë dhe nga brenda.

Nga lajmi spekulativ

Ngjarja e parë, edhe pse u bë lajm nga një medium spekulativ, i nxitur nga një ‘pseudodeputete’- një jo përfaqësuese e denjë, e cila kërkonte largimin nga puna të një shakllabanti për vallëzimin e tij privat, por tradicional dhe serioz, nuk pat jehonë më tej.

U deshtë një ‘deux ex machina’, pra një ndërhyrje nga jashtë (jo nga Zoti), që një komunikim i ulët, të eklipsonte ditën e parë të takimeve për fatin e Kosovës, të të dërguarit të SHBA-së, dhe të BE-së me drejtuesit e shtetit të Kosovës.

Sapo ra intensiteti i këtyre ‘uturimave’, pra zhurmës, të padurueshme, në kurriz të atdheut, ndërkohë që ende janë këtu misionarët, amerikanë dhe europian, ia dhanë edhe një dallgë, tash për të mbrojtur një recidivist të shumëfishtë të veprave nga më të ndryshmet antiligjore.

E para, ky lloj ‘administrimi’ me intelektin tonë apo pseudointelektin tonë, ndodhi për t’ia dëshmuar misionarëve, se ne jemi të shumtë ‘shakllabanta’, injorantë, njerëz, siç na kualifikonte Serbia me propagandën e saj qe më se një shekull, dhe zyrtarisht rreth një shekull, “njerëz me bisht”, “e të egjër”!

Që thjesht për interesa meskine nuk duan t’ia dinë se çfarë mund të ndodhë, çfarë procesi pengojmë, apo nuk e vëzhgojmë thuaja fare, sa do që vendoset për fatin tonë.

E dyta, me këtë dëshmuan, se shumica manipulohemi njësoj thuaja, si para 100 vitesh. Dhe akoma më tej, dalin haptas kundër zbatimit të ligjit, kryetarë partish, deputetë, intelektualë, gazetarë, analistë ... e kush jo, ndaj njeriut që do të duhej të kishte qenë në burg të paktën minimalisht për 48 apo 72 orë, që kur e sulmoi të shtunën policin në detyrë zyrtare, derisa ai po vepronte qetësisht e paqësisht në detyrën e tij.

E treta dhe më e rëndësishmja, e manipuluan opinionin për t’mos u vënë në dukje, ndryshimi i qëndrimit amerikan edhe më në favor të Kosovës, në raport me disa qëndrime paraprake.

Pra, në vend që opinioni shqiptar të qartësohet se cila në të vërtetë është oferta apo kërkesa e Amerikës kësaj here, dhe nëse vërtetë institucionet tona mund të vendosin, që të refuzohet përfundimisht asociacioni i nënshkruar antikushtetues, lebetitësit dhe murmuritësit, e afishimit të kënaqësive dhe pakënaqësive personale, u munduan që ta mbysin çdo zhvillim të mundshëm pozitiv.

Pse heshtin për prokuroren, për pjesëmarrësit në vrasjen e trefishtë

Por, për prokuroren që bëri shkelje speciale, duke fshehur prova të krimit, ndaj të dyshuarve kyç në vrasjen e trefishtë, të gjithë heshtin, s’pipëtijnë! S’pipëtijnë se për drejtësi as nuk duan t’ia dinë!

Kjo është përmbysja e modelit kulturor që me zor ka zënë vend në 20 vitet e shkuara! Duke jetuar me antivlerat, i harrojmë dhe vrasim vlerat!

Askush asnjë reagim për prokuroren, asnjë dalldi, askush se ‘kalli fejsbukun (rrjetin)’, asnjë kryetar partie nuk reagoi, asnjë deputet, asnjë analistë, asnjë ‘parashutist’..., sepse shkelja e ligjit nuk është normë vetëm për të mbipushtetshmit, por edhe për këta që reaguan për valle e muzikë, dhe për kohën që pa u kënaqur po ju ikë!

Kërceni, ju kërceni, se notat po ua dredhin, në SHIK, në UDB (BIA) e në KGB!

Fishkëlleni, këndoni e vallëzoni, po Kosovën kujt do ia dhuroni!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat