“Të gjithë po ikin”/ Zyra e vizave në ambasadën e Gjermanisë në Kosovë ndër më të mëdhatë në botë

Aktuale

“Të gjithë po ikin”/ Zyra e vizave në ambasadën e Gjermanisë në Kosovë ndër më të mëdhatë në botë

Më: 22 janar 2022 Në ora: 08:39
Qytetarët duke pritur para ambasadës gjermane në Prishtinë

Tokat në Kosovë që njihen si ndër më pjelloret në rajon, dalëngadalë po mbesin pa të zotët e tyre.

Të lënë anash nga shteti, bujqit po marrin “rrugët e mërgimit” me shpresën që shteti ku “strehohen” do t’u ofrojë mundësi më të mira punësimi e zhvillimi.

I tillë është edhe rasti i V.Z., nga fshati Drejë i Istogut, i cili ditë më parë mori vizë pune nga ambasada gjermane, për të cilën kishte pritur me vite.

Në Kosovë la bashkëshorten me tre fëmijët – të gjithë nën 10-vjeç.

Veç ndarjes nga familja, e vështirë për të ishte edhe të hiqte dorë nga puna të cilët e bënte me shumë pasion për vite të tëra – punonte tokën dhe kishte një stallë me 22 krerë lopë.

Në këtë mënyrë ai siguronte bukën e familjes dhe të hollat për shkollimin e fëmijëve.

Por, jeta po i rëndohej pasi për katër vite po paguante borxhin që kishte marrë për ndërtimin e stallës.

Kjo, siç tregon ai ishte dhe arsyeja që vendosi t’i  thotë “lamtumirë” Kosovës.

“Për ndërtimin e stallës si bujk kam aplikua për subvencionim dhe kam qenë përfitues i grandit, mirëpo më besoni që aq sa kam qenë përfitues, aq kam qenë edhe dështues. Me një fjalë, ra ai grand e ika nga Kosova. U futa në borxhe se ndihma e shtetit nuk mjaftoi dhe punova 4 vite pa ndalë, ditë e natë, për t’i pagua borxhet, por prapë asgjë”.

V.Z., është vetëm një nga mijëra shtetas të Kosovës të cilët kanë aplikuar për viza pune në Ambasadën Gjermane në Prishtinë.

Kjo e fundit në një përgjigje me shkrim thotë për shkak të kërkesave të mëdha për viza pune, kanë rritur dukshëm kapacitetet, ashtu që “zyra e vizave tani është njëra nga zyrat gjermane më të mëdha të vizave në botë”.

“Mirëpo, kërkesa edhe më tej i tejkalon kapacitetet tona dhe koha e pritjes për viza pune fatkeqësisht ka qenë e pashmangshme.“

Vetëm gjatë vitit 2019, Ambasada Gjermane në Prishtinë thotë se ka lëshuar më shumë se 50 mijë viza.

“Prej tyre rreth 36 mijë viza kanë qenë për qëndrime afatshkurtra (viza Schengen), si dhe rreth 15 mijë viza nacionale për qëndrime afatgjata (d.m.th. për bashkim familjar, viza pune, viza studimi, etj.)”.

Ndërsa, gjatë pandemisë, periudha 2020-2021, ka lëshuar vetëm viza për kategori të caktuara si: bashkim familjar, studime dhe kategori të caktuara të vizave të punës për punëtorë me kualifikim të lartë.

Numri kishte rënë meqë zyra, për shkak të shtrëngimeve nga virusi, ishte mbyllur për një kohë.

Por, me rifunksionalizimin e zyrës, kërkesa për viza është kthyer edhe më masive seç ishte më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat