“Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet vetëm me vendim të Gjykatës”

Aktuale

“Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet vetëm me vendim të Gjykatës”

Më: 7 janar 2022 Në ora: 18:34
Ilustrim

Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet vetëm me vendim të Gjykatës.

Kështu ka njoftuar Genc Nimoni, Shefi i Kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, teksa foli rreth Projektligjit për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikishme.

Përmes një postimi në Facebook, Nimoni tha se kjo është njëra ndër iniciativat më serioze dhe profesionale të Ministrisë së Drejtësisë.

“Për sqarimin e nevojshëm, konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet vetëm nga gjykata, ndërsa roli i Byrosë është verifikimi fillestar i saj. Gjykata garanton procedura profesionale dhe respektim të të drejtave të palëve në procedurë. Nuk ka prezumim të pafajësisë në çështje civile. Për juristët mbetet e qartë kjo dhe ky parim”, shkroi ndër tjerash ai.

Sipas tij, ky Projektligj është shumë i qartë dhe nuk cenon pavarësinë e pushteteve.

“Projektligji është shumë i qartë dhe nuk cenon pavarësinë e pushteteve. Byroja si një agjenci shtetërore e themeluar me Ligj nga Kuvendi, është e pavarur në verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publik dhe të ekspozuarve politikë, me c’rast në procedurë civile dërgon lëndët në gjykatë për t’i trajtuar gjykata. Pala të cilit i verifikohet pasuria në çdo kohë mund të argumentojë para gjykatës se pasurinë e ka fituar në mënyrë të ligjshme”, thuhet ndër tjerash në postim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat