LDK-ja kurrë nuk kërkoi zbardhjen e atentateve ndaj Rugovës/ I heshti vrasjet politike

Aktuale

LDK-ja kurrë nuk kërkoi zbardhjen e atentateve ndaj Rugovës/ I heshti vrasjet politike

Nga: Idriz Morina Më: 23 dhjetor 2021 Në ora: 11:54
Foto ilustrim Rugova, në sfond automjeti i goditur nga sulmi me eksploziv, me të cilin udhëtonte Rugova

LDK-ja sot kremton 32 vjetorin e themelimit të saj, qe 15 vite pa Ibrahim Rugovën.

Qe 15 vite liderët e saj, nuk kanë pushuar të flasin për rugovizmin, nuk kanë pushuar ta përdorin maksimalisht në çdo fushatë politike, dhe mijëra e mijëra herë në debate televizive e publike. Të marrin pushtet!

Nderim pa hetim!

Por, asnjëherë të vetme, as si parti dhe as si lider të saj, nuk janë dëgjuar të thonë se sulmet, kërcënuesit, porositësit për vrasje të Rugovës, duhet të hetohen. Të paktën nuk kemi asnjë provë për këtë, pas vdekjes së Rugovës, 2006. Po ashtu nuk kërkoi asnjëherë të vetme zyrtarisht, për aq sa dihet publikisht, që të kryhen këto hetime.

Asnjëherë nuk është dëgjuar të thonë, as në përvjetor dhe as në ndonjë ngjarje të rëndësishme, madje si për hipokrizi as në fushatë, se kanë kërkuar një gjë të tillë.

Ka ndodhur që për disa nga viktimat e vrasjeve politike kanë kërkuar zbardhjen e rasteve, por vetëm para monumenteve të viktimave ose nëse është mbajtur ndonjëherë ndonjë akademi nderimi, si për Xhemail Mustafën, Enver Malokun etj.

Por, për tërë ata që nuk kanë monumente, dhe që kurrë thuajse nuk u mbajtën akademi, kurrë asnjë fjalë.

Dhe madje si për të fshirë gjithë mospajtimin me vrasjet e kryera, u kujdesën që të mbyllej QIK-u, Qendra për Informim e Kosovës, e cila, përkatësisht drejtues të saj, dhe punonjës të saj gjatë luftës dhe para saj, meritojnë shpërblime dhe dekorime nga shteti. Dy prej tyre u vranë, Enver Maloku dhe Xhemajl Mustafa.

Mendoj se presidentja Osmani, vetë duhet ta ndërmarrë një hap të këtillë, pa ia propozuar askush! Ashtu sikur ka pranuar që të dekorojë e nderojë disa viktima të dhunës politike, e përcjellur me vrasje politike të mbështetësve të Rugovës dhe zyrtarëve të LDK-së!

Por, t’i kthehemi disa rasteve që janë publike:

Presidenti Ibrahim Rugova sulmohet me tritol në vitin 2005, pak çaste para arritjes në Presidencë, ku do të takohej me Havier Solanën, shef i BE-së.

Presidentit Rugova i ishte hedhur një bombë në rezidencë, në oborr, ishte gati atentati nga tij në Klinë, në Kaçanik, në rrezik ishte në Gjakovë, dhe thuaja kudo.

Janë me dhjetëra familje, që nuk kanë asnjë mbështetje nga LDK-ja, dhe janë lënë të vetëm në përballje hetimore dhe gjyqësore pa asnjë mbështetje, vetëm me iniciativa të tyre ose jo.

Ende për asnjë rast hetimi për atentatorët ndaj Rugovës nuk është bërë, madje edhe kur njerëz, si i burgosuri Hoti, janë vetëdeklaruar se ai është personi që e ka vënë eksplozivin.

Besnik Lajqi, një aktivist shumë i njohur ka deklaruar publikisht në media, se Xhabir Zharku, një kohë edhe kryetar i Kaçanikut, i kishte kërkuar që ta vriste presidentin Ibrahim Rugova.

Shkrimi i botuar në “Bota sot”, dhe i shpërndarë edhe në mjete tjera të komunikimit.

Po, kush duhet t’i mbledhë provat?

Natyrisht që të gjitha këto hetime duhet të bëheshin dhe të bëhen nga policia, prokuroria. Por, kur LDK-ja bënte marrëveshje me PDK-në për ndarje të pushtetit, e ndanin me imtësi çdo pozitë, jo veç ministritë, bordet, por edhe kush do ta drejtonte policinë, zëvendësin e tij, kush do ta drejtonte AKI-në, zëvendësin, kryeinspektorin, drejtorët e burgjeve, (jo veç të hekurudhave), por edhe prokurorë e gjykatës, udhëheqës të prokurorive, të gjykatave, deri në ndarjen e anëtarëve që do të pranoheshin në Gjykatën Kushtetuese!

E pastaj, kur i pyesni për hetimin e vrasjeve politike, thonë se është kompetencë e organeve të drejtësisë, se nuk mund të ndërhyjnë në drejtësi.

Në fakt moszbulimi i vrasjeve politike është pikërisht ndërhyrje në drejtësi! Gjithsesi nga PDK-ja e AAK-ja, krerë të të cilave janë të dyshuara për lidhje me krimin e organizuar, ndërsa Thaçi e Veseli tashmë ndodhen në Hagë, pikërisht për disa nga ato krime politike.

Kryetari i ri Lumir Abdigjiku duhet ta nxjerrë LDK-në, nga kthetrat e robërisë ku e kanë futur, Lidhjen që ia përgatiti lirinë dhe pavarësinë Kosovës, e udhëhequr nga njeriu dhe lideri model, Ibrahim Rugova!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat